TIRANË- Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume i ftuar në Report Tv komenton kërkesën e Partisë Demokratike që në zgjedhjet e 11 majit të votojnë edhe ata emigrantë shqiptarë me dokumente të huaja. Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Kume thotë se kërkesa e PD nuk është bërë në kohën e duhur, pasi tashmë ky proces mbyllet më 4 mars. Edhe nëse do realizohej, sipas tij nuk do kishte ndonjë efekt të madh në numrin e regjistrimeve.
“Sjell me vete një problematikë të madhe, por në kohën kur është kërkuar të trajtohet përbën problem. Jemi në situatën kur që nga 11 janari ka nisur procesi i kërkesave për tu regjistruar, jemi gati në gjysmën e kohës. Të kërkosh të bësh ndryshime, që për mua s’ka për të pasur efekt, duke nisur nga fakti se sa do shtojë. Nuk është koha, duhej të ishte diskutuar kohë më parë dhe t ishte pjesë e atij diskutimi që solli ndryshimet e korrikut ku u bë e mundur vota e diasporës. Ka sens që të diskutohet, por jo tashmë, s’ka pse të kushtëzohet vota. Kërkesa nuk është bërë në kohën e duhur”, tha Kume.
Sa i takon pjesëmarrjes së diasporës, Kume thotë se procesi po ecën me ritme të mira, por shprehet se në fund të zgjedhjeve do duhet të analizohen problematikat me të cilat u përballën emigrantët gjatë regjistrimit.
“Procesi me ritme të mira, një pjesë e konsiderueshme e kërkesave janë pranuar. Presim që efekti i kësaj pjesëmarrje të jetë e tillë që për mua menjëherë pas zgjedhjeve duhet të shtrihet në tavolinë ky problem për t’u zgjidhur problematikat me të cilat përballet votimi nga jashtë territorit të vendit”, u shpreh Kume.
Tre janë problematikat me të cilat mund të përballet procesi zgjedhor, sipas Kumes.
“Janë problemet që kanë të bëjnë me përdorimin e asteve publike, paratë e paidentifikuara dhe intimidimin e zgjedhësve”, thekson ai.
Komente
