Përveç liderëve politikë, përplasja për ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal, i cili është nën hetim në SHBA, u shtri edhe mes deputetëve gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare.
Te “Veprimtaria Prodhuese”, deputetja demokratike Jorida Tabaku, refuzoi ftesën e qeverisë që propozimet e saj për disa ndryshime në ligjin e koncensioneve për më shumë transparencë e llogaridhënie, të bëhen pjesë e një drafti të përbashkët me qeverinë, që ka nisur diskutimet edhe me bankën botërore dhe FMN, për t’iu përshtatur legjislacionit të BE.
Tabaku tha se duhet transparencë për tenderët që sipas saj kanë fituar kompani të fshehta ruse në fushën e naftës, mbështetur mbi pretendimet se edhe pas tenderit fshihet ndikimi i ish-zyrtarit të FBI, por propozimi i saj u rrëzua nga mazhoranca.
“Është një qytet që jeton me burimet e naftës, qeveria ja beson kompanive të lidhura me Rusinë. Këtu tregohet atdhedashuria”- u shpreh Tabaku
“Ti lëmë rusët!”- iu përgjigj deputeti i PS, Arben Pëllumbi.
“Pa rusët nuk ecet përpara”-tha Tabaku.
Ndërsa deputeti socialist Baftjar Zeqaj tha se nuk kishte pasur asnjë kompani ruse që të ketë aplikuar për naftë në Shqipëri.
“E kam dëgjuar sikur vijnë ca rusë me sonda në krahë dhe po çpojnë këtu për naftë. Nuk është e vërtet. S’di që asnjë kompani ruse të ketë aplikuar për naftë, gaz apo energji diellore. Deri më sot jo”- u shpreh Zeqaj.
Edhe në komisionin e sigurisë gjatë diskutimit nen për nen për sportistët elitarë që marrin grada ushtarake, diskutimet u orientuan tek ish-agjenti i FBI.
Përmes një pakete ligjore të depozituar në Kuvend në 18 janar, deputetja e PD Jorida Tabaku ka propozuar ndryshime në dhënien e konesioneve, duke përfshirë rritjen e transperancës gjatë dhënies së kontratave koncesionare dhe PPP, me qëllim që të shmangen rastet abuzive dhe kostot që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit.