Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar reduktimin e tarifave doganore ndaj Kinës në këmbim të një marrëveshjeje për shitjen e TikTok.
Udhëheqësi i SHBA tha gjithashtu se ishte i gatshëm të zgjaste afatin e tarifave, që pritet të hyjnë në fuqi në Prill, nëse nuk arrihet një marrëveshjeje për rrjetin social, raporton Reuters.
Në Janar, ai shtyu zbatimin e ligjit të miratuar nën administratën e Joe Biden për të ndaluar TikTok. Në legjislacion, që u nënshkrua në vitin 2024, përmenden arsyet e sigurisë kombëtare për urdhërin e ndalimit ose shitjes.
"Në lidhje me TikTok, dhe Kina do të duhet të luajë një rol në këtë, ndoshta në formën e një miratimi, ndoshta, dhe unë mendoj se ata do ta bëjnë këtë. Ndoshta do t'u jap atyre një ulje të vogël të tarifave ose diçka për ta bërë këtë gjë", u tha Trump gazetarëve të mërkurën.
Në përgjigje të komenteve, një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Kinës tha se Pekini ka deklaruar vazhdimisht qëndrimin e tij.
"Kundërshtimi i Kinës ndaj vendosjes së tarifave shtesë ka qenë gjithmonë i qëndrueshëm dhe i qartë".
Kompania mëmë e rrjetit social ka afat deri më 5 Prill për të gjetur një blerës jo-kinez ose do të përballet me bllokim në SHBA për arsye të sigurisë kombëtare, vendim që supozohej të hynte në fuqi në janar sipas një ligji të vitit 2024.
Ligji është rezultat i shqetësimit të Uashingtonit se pronësia e TikTok nga ByteDance e bën atë në varësi të qeverisë kineze dhe se Pekini mund ta përdorë aplikacionin për të kryer operacione influencuese kundër Shteteve të Bashkuara dhe për të mbledhur të dhëna për amerikanët.
Komente
