Foto ilustruese

Propozimi i çuditshëm/ Krerët e partive deklaratë me shkrim se nuk do blejnë votat

7 Tetor 2018, 07:29| Përditesimi: 7 Tetor 2018, 07:32

  • Share

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kush financon partitë nuk mund të marrë tendera që kalojnë shumën 10 milionë lekë për 3 vite me radhë

Krerët e partive politike në Shqipëri, krahas kërkesës për t’u regjistruar në zgjedhjet e ardhshme lokale, do të bëjnë edhe një deklaratë me shkrim, përmes të cilës do të përbetohen se nuk do të blejnë votat.

Kështu parashikon drafti i Partisë Socialiste për reformën zgjedhore. Nisma ligjore i shton një pikë nenit 64 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton procedurën dhe afatin e regjistrimit të parave politike në zgjedhje.

Pas pikës ‘dh’ të nenit 64, shtohet pika ‘e’, e cila detyron krerët e partive të deklasojnë se nuk do të angazhohen në blerjen e votave, nuk do pranojnë financime nga krimi si dhe do të konkurrojnë ndershmërisht në zgjedhje.

Ndonëse blerja e votave dhe marrja e parave nga krimi janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepra penale, drafti për ndryshimin e ligjit zgjedhor përcakton detyrimin për dorëzimin në KQZ të “deklaratës me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe

përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet me vendim të KQZ-së”.

Ndalimi për financuesit

Drafti për ndryshimin e Kodit Zgjedhor parashikon që personat që financojnë në zgjedhje një parti të caktuar, për tre vite me radhë nuk mund të marrin tendera që apo përfitime të çfarëdollojshme nga shteti, që kalojnë shumën 10 milionë lekë. "Personat fizikë ose personat juridikë që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 3 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë tjetër fonde me vlerën totale që tejkalon shumën prej 10 milionë lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik”, thuhet në draft. Ky parashikim shtohet si pikë më vete tek neni 89 i Kodit Zgjedhor. Ky nen parashikon që paratë politike mund të marrin fonde, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Por, shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Neni 89 parashikon gjithashtu që ndalohet dhënia e fondeve nga një person që ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, ushtron veprimtari në fushën e medias, ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme dhe nëse ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Drafti parashikon që afati i përfitimit të kontratave 2 vitet e fundit, bëhet tre vitet e fundit.

Kufizimi për partitë

Drafti i PS parashikon një kufizim për shpenzimet elektorale të partive. Sipas draftit, shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë më shumë se 2 herë më e madhe se shuma më e lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 87/3 të këtij Kodi. “Çdo shpenzim i fushatës zgjedhore dokumentohet dhe zbatohet në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Për zbatim të këtij Kodi “shpenzim për fushatë"është çdo shpenzim që bën një parti ose kandidatët e saj për qëllime të fushatës zgjedhore, pavarësisht datës se kur është bërë”, thuhet në draft.


Lajmi kryesor:

Reforma zgjedhore, censura financiare ndaj medias kundër OSBE/ODIHR


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?