Ilir Meta dhe Sali Berisha

Protesta, 3-përqindshi i Argitës dhe pyetja: E mësoi Berisha ku bie Gërdeci?!

12 Nëntor 2022, 20:56| Përditesimi: 12 Nëntor 2022, 20:57

  • Share

E shtuna e kësaj jave është e “zënë” nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët kanë zhvilluar protestën e tyre kundër qeverisë së Edi Ramës. Kanë 4 muaj që e “shtrydhin” veten dhe mbështetësit e tyre për të prodhuar këtë protestë. Dhe ja ku e arritën, më në fund do dalin përballë godinës së kryeministrisë bashkë me mbështetësit e tyre.

Megjithëse e shtunë, zakonisht bëhen në vaktin e drekës protesta të tilla kur dita është shkurtuar ndjeshëm në këtë fundvjeshte, Berisha ka vendosur që ajo të zhvillohet para kryeministrisë në orën 16.00 duke kërkuar plot 4 orë në dispozicion për të protestuar kundër “regjimit të Ramës”.

Ndoshta policia bëri “gabim”, pasi “neglizhoi” fiksimin e Berishës për të dyfishuar gjërat, pasi lajmëroi që protesta duhej të zgjastë dy orë, ndërsa kreu i “Rithemelimit” i futi një shumëzim për 2 dhe e bëri 4 orë. Po t’i kishte thënë 1 orë policia se lejohej protesta, maksimumi mund të kishte arritur në 2 orë e gjysmë ose 3 orë, dhe do të merrte fund shpejt bllokimi i rrugëve që të çojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe përballë kryeministrisë.

Për pasojë dhe shqiptarët do të lëviznin lirisht duke shfrytëzuar kohën e mirë të kësaj vjeshte të dytë me familjet e tyre për të shetitur në kryeqytet, për të kaluar me miqtë fundjavën. Ndërsa tani, pavarësisht se nafta është shtrenjtuar do të jenë të detyruar të lëvizin që herët jashtë Tiranës. Por shqiptarët janë mësuar tashmë me shkatërrimin e pushimeve dhe të jetës së tyre thjeshtë dhe vetëm për tekat e politikës, apo të disa liderëve që u është tiposur se pasuria e shqiptarëve, ajo që ka mbetur pa u marrë prej tyre në fakt, po ndahet rëndshëm. Ndërsa ata, meqë janë jashtë pushtetit, me mendjen e tyre mendojnë se do të mbeten pa pjesë.

Këtu e ka dhe zanafillën tërbimi i Berishës me marrëveshjen me vlerën prej 2 miliardë eurosh me qeverinë e Emirateve për ndërtimin e portit modern si dhe infrastrukturës rreth tij në Durrës, një investim i paparë deri më tani në Shqipëri.

Berishës i është tiposur në kokë mendimi se Rama do të fitojë 20 përqind të kësaj vlere dhe me patjetër kërkon që ta bllokojë këtë investim të huaj. Kështu e mendon thithjen e investimeve të huaja Berisha, pasi kështu ka vepruar gjatë qeverisjes së tij 8 vjeçare kur vajza Argita Berisha-Malltezi, i kërkoi investitorit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte 100 milionë euro në Shqipëri, “taksën e suksesit prej 3 përqind të vlerës”. Pra i takonte të merrte Argita 3 milionjë euro, thjeshtë e vetëm që të bënte sekserin mes këtij biznesmeni të fuqishëm dhe babait të saj kryeministër. Rrugë e lehtë pasurimi.

Biznesmeni pakistanez iku i llahtarisur në atë kohë, duke anuluar projektin e investimit për një HEC me një kapacitet prej 144 MEGA dhe duke lënë pas akuza të rënda në drejtim të vajzës së ish kryeministrit Sali Berisha.
Pasi bëhej fjalë për një fitim të dyfishtë që kërkonte Argita, 3 milionë euro nga përqindja e investimit 100 milionë euro dhe paratë e nxjerra nga toka e shitur. Akuzën e biznesmenit pakistanez e ka pranuar dhe vetë Argita Berisha-Malltezi, e cila ka thënë se gjithçka ishte ligjore, por ka shmangur faktin se ishte terësisht në konflikt interesi. Pasi Argita Berisha ishte thjeshtë një seksere, për të lobuar te babai i saj kryeministër, Sali Berisha për përfitime thellësisht personale përmes studios së saj ligjore. Dhe këto i janë “llogaritur” Berishës në kurriz nga SHBA, teksa e shpalli familjarisht “non grata” për korrupsion madhor.

Dhe në këtë rast, prandaj Berisha po sulmon fort financimin e Emirateve të Bashkuara, një “superfuqi” investimi, i cili do investojë mbi 2 miliardë euro për të ndërtuar pallate, hotele dhe një port turistik. Dhe për projekte të tilla me vlera të mëdha monetare, është qeveria shqiptare ajo që do të shkojë dhe të paraqesë kërkesën, projektin apo të bëjë promocionin e vendit, do ta miratojë në qeveri, do ta çojë në Parlament ku do diskutohet në të gjitha komisionet parlamentare që kanë lidhje me të, për të diskutuar gjithçka, peshuar gjithçka e pastaj do miratohet në Kuvend, do botohet në fletoren zyrtare dhe do të marrë jetë zyrtarisht marrëveshje për të filluar investimi. Siç ndodh kudo në botë.

Aq më tepër që projekti nuk do të kufizohet vetëm në Durrës, por do të zgjerohet dhe në Tiranë dhe pika të tjera, duke shtuar më pas dhe 5 miliardë euro të tjera investime. Shumë për një vend të vogël si vendi ynë.
Me sa duket qeveria shqiptare të vetmin “gabim” që ka bërë ka qënë moskërkimi i “taksës së suksesit prej 3 përqind të vlerës së investimit”, sikurse kërkohej nën qeverisjen e Berishës për të gjithë investitorët e huaj që kërkonin të hidhnin lekë në Shqipëri! Siç bëri Argita me investitorin pakistanez të cilit i kërkoi 3 milionë euro “me një dorë”.

Po hajde e mbushi mendjen Berishës se nuk janë të gjithë si ai, që nuk veprojnë të gjithë si ai, për të “gjobitur” investitorët e huaj si Ansarin e “ngratë”, i cili po të kishte bërë me ato 100 milionë eurot HEC-in me kapacitet 144 MEGA, do t’i kishim thënë krizës së energjisë “sikter”, për të kursyer atë fjalën që thonë rëndom shqiptarët në këto raste.

Berishës i është tiposur se “taksa e suksesit” që vendoste vajza e tij Argita ndaj investitorëve të huaj për të ndërmjetësuar te babai kryeministër, aplikohet nga të gjithë kryeministrat e familjarët e tyre, e për pasojë atij i është tiposur madje se është futur dhe në “librin e taksave” në Shqipëri.

Prandaj nuk lë ekran pa dalë, emër përfaqësuesi të botës së nëndheshme të krimit, me prejardhje nga Serbia sidomos dhe me lidhje Rusinë e Bjellorusinë për përmendur, si të lidhur me Ramën për këtë projekt madhor, me të cilin sipas tij duan të ndajnë paratë e po lënë pa pjesë Berishën dhe Metën.

Megjithëse emrat që Berisha përmend nuk kanë asnjë lidhje me këtë qeverisje në fakt, më shumë dalin në listë-pagesat serbe e ruse për Berishën dhe aleatët e tij, si sponsorizim për destabilizimin e Shqipërisë dhe rajonit, tashmë që ushtria e Putinit po zbythet me turp nga Ukraina për shkak të kundër-ofensivës së fortë të ushtrisë së Kievit.

Ndaj Berisha është tërbuar, pasi mendon se mbeti pa pjesë ryshfeti, mbeti pa realizuar detyrën e ngarkuar nga Rusia për destabilizimin e rajonit dhe dhënia e një “dore ndihme” në këtë situatë të vështirë për Putinin, dhe po organizon këtë protestë pa asnjë bosht, pa asnjë kauzë dhe pa asnjë situatë të rëndë të shkaktuar nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama.

I cili për hir të së vërtetës, si të gjithë artistët që kërkojnë të lënë një gjurmë në vendin ku jetojnë, po kërkon të lërë shenjën e tij dhe në Durrës ku është deputet këtë radhë, por dhe në të gjithë Shqipërinë. Ndaj kërkon me insistim që në ‘dritën e diellit’ dhe me vendim Parlamenti të thithë këtë investim madhor prej 2 miliardë erurosh për Portin e Durrësit, përmes një marrëveshje me Emiratet, njësoj siç kanë vepruar dhe vende të tjera, që kanë përfituar po nga Emiratet duke ndryshuar faqen e vendit me investime serioze.

Prandaj i quajti dhe të pafe dhe pa atdhe, pasi opozita po godet pikërisht investimet e huaja, duke kërkuar me insistim të krijojë një situatë destabilizimi në venddhe për ta paraqitur Shqipërinë si një “xhungël”, për të lodhur, frikësuar, e detyruar investitorin nga Dubai që të largohet. Siç bëri me pakistanezin, me “taksën e suksesit” 3 milionë euroshe.

Prandaj Berisha dhe të premten krijoi atë situatën qesharake të dërgimit të marrëveshjes së ndërtimit të Portit të Durrësit në Gjykatën Kushtetuese “për të parë pajtueshmërinë me ligjin dhe Kushtetutën e vendit”. Një tallje e rëndë me shqiptarët por dhe me nënkryetarin e “Rithemelimit” Oerd Bylykbashi, i cili si jurist për nga formimi, madje jurist shumë i mirë, shkoi kokëulur në Kushtetuese dhe doli po kokëulur para gazetarëve, ku u prononcua në mbrojtje të “ankimimit”.

Themi është tallur rëndë me shqiptarët Berisha një ditë para protestës së lajmëruar për të shtunën para kryeministrisë, si dhe me mbështetësin kryesor të tij Oerd Bylykbashi, sepse nuk mund të goditet një marrëveshje e cila akoma nuk është diskutuar nga grupet parlamentare, nuk është miratuar në parlament dhe nuk është botuar në fletoren zyrtare. U tall dhe juristi dhe ish ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi me këtë lëvizje të Berishës, duke përmendur këto që nënvizuam ne.

Do të thotë ndokush se nuk e di Berisha këtë gjë. E di si dreqi, por nxitoi për ta pasur “ankesën” gati një ditë para protestës, pasi e kishte bërë gati fjalimin me këtë gjë brenda për ta lexuar para ithtarëve të tij, por dhe për të nxituar të japë mesazhin ndaj investitorit të madh të Dubait, se e ka ndjekur këtë çështje përmes Gjykatës më të madhe të vendit, asaj Kushtetuese.

Njëherësh Berisha kërkon të tregojë se është në dijeni të gjithkaje që “lëviz” nëpër territorin e Shqipërisë nga deti, toka dhe ajri. Pavarësisht se ka gati 10 vite që ka ikur nga pushteti, madje ka qënë dhe larg drejtimit zyrtar të PD. Por Berisha kështu vepron. Merr e bashkon pa asnjë lidhje emra, ndodhi, biznese dhe elementë të tjerë që i volisin, për t’i përdorur kundër kundërshtarit politik.

I përdorte kundër aleatit aktual Ilir Meta, e Ramës kuptohet, ndërsa tashmë i kanalizuar të gjitha kundër kryeministrit Edi Rama. I cili është në Paris në takimin me presidentin francez Macron. Berisha e ka humbur “shijen” e takimeve me liderët e vendeve të fuqishme, është një “non grata” funksional në SHBA, Britani, vendet e BE, madje dhe në rajon, deri dhe në Kosovë nuk lëviz dot.

Prandaj, pa asnjë kontakt me botën e jashtme, ka izoluar dhe PD-në që me ardhjen e tij në krye të shumicës përmes “Rithemelimit”, Berisha bën publike informacione që s’kanë lidhje me realitetin, këput “kumbulla” lart e poshtë dhe ekran më ekran në hapësirën shqiptare prej 28 mijë kilometrash katrorë sa është sipërfaqja e vendit, ku partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë “karantinuar”. Vetëm e vetëm për të krijuar situata destabilizimi që trembin investitorët e huaj por dhe realizojnë “detyrat” e vëna nga pagatorët në Moskë, për destabilizimin e rajonit.

Dhe meqë jemi tek informacionet e “detajuara që di” deri dhe në zbërthimin e bisedave dyshe sikur ka qënë pas ferrës, poshtë krevatit apo pas derës, mund ti bëjmë një pyetje të thjeshtë, përgjigjien e të cilës ka 14 vite që e presin shqiptarët: E ka mësuar akoma se nga bie Gërdeci.

E bëjmë këtë pyetje pasi më 15 mars 2008, kur shpërtheu biznesi i djalit të tij të demontimit të municioneve ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, Sali Berisha kryeministër deklaroi se nuk e dinte ku binte Gërdeci, jo më të ketë lidhje me këtë biznes. Madje nuk njihte as baxhanakun e ndjerë që la kockat tek biznesi i të birit.

Teksa theksojmë se ushtria kishte tre pika demontimi, në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës-Elbasan dhe s’kishte pse ia jepte Shkelzen Berishës lejen për ta ndërtuar në Gërdec punishten e vdekjes për demontimin e municioneve të ushtrisë, ajo që mund të themi është se Berisha përpara se të bëjë sikur di gjithçka duke hyrë madje dhe në “krevatin” e kundërshtarëve të tij politikë, të përgjigjet nëse e ka mësuar akoma se ku bie Gërdeci.

Eshtë një fshat në periferi të Tiranës, që gati u fshi nga harta fizike e Shqipërisë nga shpërthimi i biznesit të municioneve të të birit, fshat të cilin Berisha në rininë e tij si student dhe më pas në zbore e ka marrë me “b**ë”, me armë e kundra-gaz kur ka bërë zborin në periferi dhe ku ishte pika e nisjes për të ngjitur më këmbë Dajtin dhe për të shkuar deri në Bizë të Martaneshit.

Teksa presim këtë përgjigjie, jemi të detyruar të përcjellim nga larg protestën e Sali Berishës të ndihmuar dhe nga Ilir Meta, përpjekjet e tij për destabilizim për të treguar devotshmëri ndaj pagatorëve në Moskë si dhe sulmet ndaj SHBA e Perëndimit, sikurse bëri. Por që shërbejnë dhe për t’i treguar “muskujt” Alibeajt që të mos nxjerrë kandidatët e vet në emër të PD zyrtarë për garën e vendoreve më 14 maj të vitit të ardhshëm, për t’i treguar forcën drejtësisë që të vendosë në favor të tij për vulën dhe logon e PD, por dhe SHBA për t’i treguar me mendjen e tij se është faktor, dhe duhet të negociojë me të.

Pavarësisht se nuk ia “vërshëllejnë” fare dhe e kanë zgjedhur interlokutorin tek e djathta: Alibeajn dhe grupin e tij. Ndaj Berisha është bërë si i tërbuar, megjithëse e di pasi e ka provuar me dhjetra herë vetë dhe “biri” i tij politik, se me protestë as rrëzohet qeveria e Ramës as vihet në pushtet. Përkundrazi të gjitha sondazhet dhe realitetet politike e nxjerrin Ramën në krye të preferencës së shqiptarëve, që e lë në pushtet të paktën aq kohë sa Berisha të jetë në krye të shumicës së PD. Berisha e di këtë, por bën zhurmë për arsyet që përmendëm. Ka marrë “fermanin” për ta bërë këtë përpjekje. Do ta provojë sërish, edhe për faktin se ai nuk e njeh “marshin indietro”.

Dhe protesta e sotme këtë tregoi, dështimin e opozitës shqiptare së drejtuar nga Berisha dhe Meta, e cila nuk është gati jo sot, sikurse kishte premtuar për të rrëzuar Edi Ramën, por nuk do të jetë gati për një kohë të gjatë për të ardhur në pushtet. Sa të jenë në krye kjo dyshe.

Por sot u arritën dhe dy gjëra të mëdha: E para për herë të parë Berisha pranoi publikisht se 4 demonstruesit e opozitës më 21 janar 2011 i ka vrarë shteti, pra ai, duke urdhëruar protestuesit e tij të ndiznin qirinj tek monumenti në nder të tyre.

Dhe e dyta, shqiptarët opozitarë morën nga një “dorë” lekësh nga familja Berisha dhe Meta për të marrë pjesë në protestë, dhe të gjithë qytetarët shqiptarë e kuptuan më së miri se kush është Sali Berisha, retorika e të cilit nuk ka ndryshuar për 32 vite me radhë. Nuk janë pak këto.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sami: 13/11/2022 06:25

    Gerdeci bie mu tek takimi kok me koke i kunatit te monsters mafioze Mediu, pra Celibashi, me kryemonstren Rama, dhe se bashku arriten ti mbushin mendjen monstres Sali te.mos e kepuste Medine ne burg.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?