TIRANË - Analisti Martin Leka foli në Report Tv lidhur me protestën e djeshme të Partisë Demokratike dhe opozitës ku për gati 3 orë u bllokua trafiku në 5 akse të kryeqytetit. Leka tha për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’ se kjo protestë ishte një përsëritje e atyre të mëparshme me pak njerëz dhe skenar të njëjtë.
'Asgjë e re nga froni i protestave të PD. Po bëhen rutinë në këtë formë. Të bllokosh rrugët është e lehtë. Me shumë pak njerëz mund të bllokohen rrugët por problemi më i madh i PD se nuk ka njerëz dhe këtë e vuan PD-ja vetë. Mundohen si ishte rasti me Berishën doli falënderoi protestuesit dhe tha se ishte fitore e madhe. Një teknologji propagandistike e njohur për të mbajtur të karikuar ata simpatizantë të PD-së.'
Sipas analistit bllokimi i rrugëve u arrit nga PD-ja pasi kjo nuk është e vështirë, por përveç kësaj protesta nuk ka asnjë produkt të vlefshëm.
'Protesta ja arriti qëllimit, bllokoi rrugët. E lehtë të bllokosh rrugët dhe të boshatisësh sheshet. Ashtu siç mendoj se opozita duhet ti rikthehet një tjetër qasjeje, të hap rrugët për të mbushur sheshet. I duhen njerëz. Dje kemi parë më shumë polic sesa protestues por rrugët u bllokuan. Çfarë produkti ka PD nga kjo protestë. Produkti është që të mbledh sa më shumë njerëz dhe vota. Të gjithë hallexhinjtë apo simpatizantë të PD-së, nuk është rasti të jenë të bllokuar pa patur arsye dhe shkak. Dhe të duket sikur do votojnë për atë forcë politike.'
Sa i përket krahasimit me protestën në Beograd, Leka thotë se kjo e Berishës është e kundërta.
'E kundërta e asaj që duhet të ndodh. Të imagjinosh lum njerëzit në sheshet e Beogradit dhe akoma qeveria nuk bie. Sali Berisha dhe PD nuk ka njerëzit të vijnë pas për të tronditur pushtetin e Edi Ramës. Imagjinoni të mbushen sheshet e Tiranës kështu. Të hap gjitha rrugët që të sjellin në Tiranë, që të vijnë njerëz. Njerëzit nuk i ka dhe ka mbetur në protesta dhe mitingje. Duket sikur PD-ja me këtë qasjen e mosbindjes civile po bën atë që ne kuptojmë qartë se Partia Demokratike ose më saktë, mosbindje civile e njerëzve, e popullit ndaj PD-së. Nuk binden njerëzit të vijnë në protestat e PD-së.'
Qeveria teknike si kërkesë e PD-së është një retorikë boshe dhe nuk ka si ndodh përderisa Berisha nuk ka numrat dhe Rama nuk e lejon.
'Është retorikë boshe dhe mendoj vetëm nëse i teket Ramës të bëjë një lëvizje të papritur ja ku e ke qeverinë teknike. Opozita nuk ka njerëz të fus në trysni mazhorancën për të përmbushur kërkesat e saj. Nuk ka kohë për të bërë ato 77 format. Me kë do ta ndryshojë Kushtetutën?! Duhet të ketë 96 vota. Nëse bën marrëveshje me Edi Ramën si për Kodin Zgjedhor gjë tjetër. ne do futemi në zgjedhje dhe do futemi me këtë qeveri, me këtë kod zgjedhor. Nuk besoj dhe e pamundur të bëhen ato që thotë opozita sepse opozita nuk ke besimin e njerëzve. Nuk ka aq njerëz sa të fus në kolaps qeverinë.'
Problem mbetet sipas Lekës non grata e Berishës dhe përçarja që ai krijoi në të djathtën shqiptare.
'Problemi qëndron tek lideri i opozitës që është non grata. ky lideri është shkaktari kryesor i një përçarjeje të thellë në të djathtën shqiptare që bën të ketë shumë opozita. Këta parti të reja të dala nga PD-ja. Nuk bëhet fjalë të bëjë të mundur me votat e PD-së të rrëzojë Edi Ramën. E pamundur të ndryshoj pushteti. Mund të kemi ngjarje të ndryshme. Me këtë qasje që ka opozita është thjesht retorikë politike. Sali Berishës i intereson të jetë në krye të PD-së dhe e ka të qartë se nuk e fiton pushtetin.'