Deputeti i Partisë Socialiste Agron Malaj, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sot para Bashkisë Klos, lidhur me ndërtimin e HEC-it nga kompania “Global Interpace Grup sh.p.k.” me administrator Ashim Doma. Në një deklaratë publike, Malaj ka shprehur mbështetjen e tij për banorët e Njësisë Administrative Suç-Kurdari, duke theksuar se “uji për këta njerëz punëtorë dhe bujarë është vetë jeta”.
Megjithatë, ai nuk ka fshehur habinë për pjesëmarrjen në protestë të një deputeteje të Partisë Demokratike, duke e akuzuar se ose nuk njeh historinë e partisë që përfaqëson, ose po përpiqet ta mohojë atë. Sipas Malajt, kontrata për ndërtimin e HEC-it është miratuar më herët nga ish-kryetari demokrat i Bashkisë Klos, Basir Çupa, ish-kryetarja e Këshillit Bashkiak Zana Elezi dhe ish-administratori i Njësisë Suç-Kurdari, Ilir Çeliku – të gjithë anëtarë të kryesisë së PD-së.
“Për ironi të fatit, janë pikërisht këta që tani protestojnë para bashkisë për një kontratë që e kanë firmosur vetë,” deklaroi Malaj, duke shtuar se “ose nuk dinë çfarë bëjnë, ose po përpiqen të mashtrojnë qytetarët me maskarada politike”
Reagimi i plotë e deputetit Agron Malaj:
Sot ndoqa me vemendje protestën e zhvilluar para Bashkisë Klos lidhur me ndërtimin e Hec Global Interpace Grup sh.p.k (administrator Ashim Doma).
Që në krye të herës dua të shpreh mbështetjen time për popullin e Njësisë Administrative Suç-Kurdari. Uji për këto njerëz punëtore dhe bujarë është veta jeta. Por, smund të fsheh habinë time kur pashë deputetën e Partisë Demokratike të dalë nga votat e Dibrës që ose nuk njeh historinë e partisë që përfaqëson ose në rastin më të mirë përpiqet ta mohojë atë.Deputetja kërkon të bëjë përgjegjëse Kryetaren aktuale të Bashkisë Klos për kontratën e miratuar nga ish-kryetari i kësaj bashkie, demokrati Basir Çupa, bashkë me Zana Elezin, ish-kryetaren e Këshillit Bashkiak dhe Ilir Celikun, ish -Administrator i Njësisë Suc- Kurdari. Për ironi të fatit këta persona, anëtarë të kryesisë së PD-së na zhvillojnë protesta para bashkisë për një kontratë që e kanë firmos po vetë.
Tani këta ose nuk dinë çfarë bëjnë ose duan të tallin e gënjejnë popullin me maskarada të tilla.
Nëse synojnë këtë të dyten, më vjen keq ti zhgënjej por klosianët i njohin mirë dhe nuk i hanë dokrrat e tyre.
Lajmi kryesor:
Kundër ndërtimit të HEC-it, dhjetëra banorë hyjnë me forcë në bashkinë e Klosit: Do ta mbrojmë lumin deri në vdekje! Pezulloni punimet!
K.M/ReportTv.al
