Pro
Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka reaguar lidhur me situatën e sotme në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku pati edhe një protestë qytetare për shkak vendimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Këshilli Bashkiak shprehet se sot ishte jnë shfaqje e stisur ku u godit edhe një prej këshilltarëve socialistë. Ndërkohë më tej shton, se rritja e çmimit nuk do të jetë barrë mbi familjet në nevojë pasi do rimbursohen.
'Keqardhje për shfaqjen e shëmtuar që ndodhi sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Një çështje e stisur politike që nuk ka asnjë lidhje me interesat e qytetarëve të Elbasanit ishte ajo që u pa sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Ajo që u paralajmërua nga disa këshilltarë të djathtë si protestë qytetare degradoi në grumbullimin e 7-8 personave nga baret e lokalet pranë zonës.
Qytetarët e Elbasanit janë karakterizuar gjithnjë nga qytetaria, kultura dhe zbatimi i ligjeve, ndaj dhe pengesa e ushtrimit të funksionit të Parlamentit të Qytetit, goditja në detyrë e një këshilltari bashkiak, nuk janë sjellje të qytetarëve të Elbasanit dhe as e nderojnë atë.
Për shkak të këtyre pengesave, Këshilli Bashkiak sot nuk mundi të miratojë vendime të rëndësishme që garantojnë zhvillimin e qytetit dhe as vendimet që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike.
Rreth një muaj më parë Këshilli Bashkiak i Elbasanit dha pëlqimin për furnizimin 24 orë ujë të të gjithë qytetit, për heqjen e depozitave të shëmtuara dhe të dëmshme nga tarracat e pallateve, dha pëlqimin për vijimin e investimit rreth 12.5 mln euro të KFV, përkthyer kjo me një rritje të vogël të çmimit.
Ndërkohë kjo rritje çmimi nuk do të barrojë familjet në ndihmë ekonomike pasi këto familje do të rimbursohen nga Bashkia e Elbasanit.
Elbasani aktualisht ka çmimin më të ulët të ujit të pijshëm 40L/m3 dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit kërkon ta unifikojë në të gjithë qarkun 60L/m3, një rritje që nuk rëndon qytetarin duke marrë parasysh çmimet në të gjithë Shqipërinë.
Korça paguan 70/m3; Tirana 65 L/m3; Vlora 60L/m3; Durrësi 70L/m3 etj.
Në të gjithë Elbasanin është duke u punuar për të garantuar ujë 24 orë dhe me cilësi dhe asnjë investim nuk do të ndalet për interesa politike të disa individëve.
KËSHILLI BASHKIAK ELBASAN'
Lajmi kryesor:
Elbasan/ Këshilli Bashkiak miratoi rritjen e tarifave të ujit me 40%, qytetari godet me dosje një këshilltar të PS (VIDEO)
G.K/ReportTv.al