Protesta në Maqedoninë e Veriut, VMRO akuzon kryeministrin Zaev për shitjen e interesave kombëtare

1 Dhjetor 2020, 17:19| Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 17:21

  • Share

Me moton “Për shpëtimin e së ardhmes maqedonase dhe për të ardhmen e popullit maqedonas”, opozita maqedonase ka bllokuar për rreth dy orë trafikun në Shkup në protestën e organizuar kundër qeverisë,  duke akuzuar qeverinë për shitje të interesave kombëtare e shtetërore në bisedimet me Bullgarinë.

“Populli duhet të dijë të vërtetën, partia më e madhe e opozitës duhet të dijë të vërtetën se për çfarë po bisedohet në Bullgarinë”, ka deklaruar lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Ai ka përsëritur qëndrimin se “VMRO DPMNE-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, në rast se më të qeveria dëmton interesat kombëtare, gjuhën maqedonase, kombin maqedonas si dhe nëse heq dorë nga pakica maqedonase në Bullgari”.

Ndërkohë që kanë bërë për dorëheqjen e ministrit të jashtëm Bujar Osmani dhe kryeministrit  Zoran Zaev.

Pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev duke akuzuar VMRO DPMNE-ja se “punon për shërbime të huaja në dëm të shtetit”.

“Atdheu ynë është i tërë dhe mbetet i tërë. Mickoski paraqet rrezik për shtetin dhe qytetarët. Mickoski dhe VMRO-DPMNE vazhdimisht bllokojnë proceset në vend, po bllokojnë luftën kundër koronavirusit, po bllokojnë punën e Kuvendit, po bllokojnë përparimin drejt NATO-s, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Shumica e qytetarëve i dhanë mbështetje të madhe progresit dhe të ardhmes. Republika e Maqedonisë së Veriut po lëviz përpara drejt një të ardhme progresive dhe drejt realizimit të angazhimeve strategjike”, ka deklaruar Stefan Vasev, përfaqësues i LSDM-së.

Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut pasuan veton bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Korniza e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ishte paraparë të miratohej në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, më 10 nëntor, por kjo u kundërshtuar nga Sofja e cila kërkon nga Shkupi marrëveshje paraprake mbi prejardhjen e identitetit dhe të gjuhës maqedonase, të cilat pretendon se kanë rrënjë bullgare, por ato janë refuzuar nga autoritetet në Shkup.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?