Të paktën 474 persona janë arrestuar gjatë një proteste gjatë një demonstrate të "Veprimit për Palestinën" në Londër, një organizatë e ndaluar nga qeveria britanike në korrik sipas Aktit të Terrorizmit 2000, raporton BBC.
Sipas autoriteteve, 466 nga të arrestuarit akuzohen për mbështetje të grupit të ndaluar, pesë për sulm ndaj oficerëve, dy për shkelje të rendit publik dhe një për vepër me bazë racore.
Shumë prej protestuesve ishin ulur në tokë dhe mbanin tabela me mbishkrimin "Unë kundërshtoj gjenocidin. Unë mbështes Palestine Action". Ndaj të arrestuarve që pranuan të identifikoheshin, u vendos masa e lirimit me kusht që të mos marrin pjesë në protesta të ngjashme në të ardhmen. Ata që refuzuan të japin të dhënat, u dërguan në paraburgim.
Në reagimin e saj, ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, falënderoi policinë për punën, duke theksuar se ndalimi i grupit u bë për shkak të “kërcënimeve serioze për sigurinë kombëtare” dhe “akteve të dhunshme të kryera nga grupi, si dhe planeve të tjera që nuk mund të bëhen publike për shkak të procedurave ligjore në vazhdim”.
Nga ana tjetër, organizata Amnesty International shprehu shqetësim të thellë, duke e cilësuar ndërhyrjen si "absurde". Drejtori ekzekutiv, Sacha Deshmukh, deklaroi se "njerëzit kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë ndaj asaj që po ndodh në Gaza dhe nuk duhet të trajtohen si terroristë për këtë".
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, me shumë prej pjesëmarrësve që nuk pranuan të flisnin për mediat. Një protestuese e paidentifikuar u shpreh për BBC: “Nëse ndalojnë Palestine Action, kush është grupi tjetër që do të ndalohet? Nëse vazhdon kështu, s’do të na lejohet të protestojmë për asgjë. Kjo është e kundërta e demokracisë.”
Organizatorët e protestës pretendojnë se morën pjesë mbi 1,000 persona me tabela, por policia e ka hedhur poshtë këtë shifër.
Ngjarja vjen vetëm disa ditë pas publikimit të emrave të tre personave të parë që do të përballen me akuza penale për mbështetje të Palestine Action në Angli dhe Uells. Arrestimet kanë hapur debat të gjerë mbi kufizimin e të drejtave të protestës dhe lirinë e shprehjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Komente
