Kosova & Rajoni

Protestat antiqeveritare në Serbi, 9 muaj revoltë qytetare. Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, Vuçiç refuzon (VIDEO)

16 Gusht, 13:41| Përditesimi: 16 Gusht, 13:51

  • Share

Në Serbi, protestat antiqeveritare kanë hyrë në muajin e nëntë, duke sjellë përplasje të ashpra mes demonstruesve dhe policisë në Beograd e disa qytete të tjera. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit dhe zgjedhje të parakohshme, ndërsa qeveria serbe mohon çdo përgjegjësi dhe refuzon të japë dorëheqje.

***

Edhe nata e së premtes ishte e rëndë në disa qytete serbe. Serbia po kalon prej muajsh një valë të fuqishme protestash antiqeveritare, të cilat edhe këtë javë kanë mbushur rrugët e disa qyteteve kryesore, ku nuk kanë munguar incidentet dhe përplasjet e forta edhe fizike.

Incidentet me policinë dhe mbështetësit e pushtetit janë bërë pothuajse të përditshme, ndërsa protestat e udhëhequra nga studentët kanë nisur që 9 muaj më parë.

Mbrëmjen e së premtes, në qendër të Beogradit dhe në Bulevardin e Mbretit Aleksandër, u regjistruan përplasje të forta mes protestueseve dhe xhandarmërisë.

Revolta e protestuesve është shoqëruar me ndezjen e zjarreve në konteinerë dhe përdorimin e mjeteve piroteknike, ndërsa policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe automjete të blinduara. Mediat vendase raportojnë edhe për të lënduar.

Ndërkohë, në Novi Sad, tubimi përfundoi më i qetë, pa incidente serioze. Megjithatë, tensionet ishin të larta në disa lagje të kryeqytetit, ku bllokuesit ngritën barrikada, hodhën fishekzjarre dhe u përplasën me forcat e rendit deri pas mesnate.

Sulme ka pasur edhe ndaj gazetarëve e kameramanëve që mbulonin zhvillimin e protestës.

Kjo është nata e tretë radhazi e trazirave, pas incidenteve të rënda që shpërthyen fillimisht më 12 gusht në Vërbas dhe Baçka Palankë, kur mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) sulmuan kundërshtarët.

Studentët dhe qytetarët i kërkojnë autoriteteve të mbajnë përgjegjësi, pas tragjedisë së Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona më 1 nëntor 2024, si dhe artikulojnë me forcë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Autoritetet atje nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiç i cilëson protestat si të nxitura nga jashtë dhe pjesë të “revolucioneve me ngjyra”, duke theksuar se situata po dëmton ekonominë dhe imazhin e vendit.

 

 

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?