Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – me shumicë serbe – kanë mbështetjen e plotë të ekzekutivit.
Sipas Kurtit, ata ‘janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve’.
“Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.
Sa u përket përleshjeve të së hënës në Zveçan, mes forcave të KFOR-it dhe protestuesve serbë – të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale - Kurti ka thënë se “nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”.
“Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiç e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiç, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiç”.
Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke komunikuar me partnerët ndërkombëtarë, dhe se të gjitha palët e synojnë qetësimin e situatës.
Përveç Zveçanit, protesta janë mbajtur edhe në Leposaviç dhe Zubin Potok.
Lajmi kryesor:
Tensionet vijojnë në veri të Kosovës, NATO çon 700 trupa shtesë: Dhuna rrezikon të ardhmen! Kurti: Demokracia nuk pezullohet
M.Q./ReportTv.al