Kosova & Rajoni

S'ndalen protestat në Serbi, plagoset një studente, kryeministri jep dorëheqjen: Vendimi im është i parevokueshëm

28 Janar, 11:20| Përditesimi: 28 Janar, 22:27

  • Share

SERBI- Në Serbi protestat masive duket se nuk do të ndalen. Protestues të shumtë kanë dalë në protesta pas shembjes së një çatie betoni në muajin nëntor në një stacion treni në Novi Sad. 

Ditën e sotme, studentët bllokuan fakultetet në Novi Sad, ndërsa pati edhe një sulm ndaj një studente, e cila u plagos rëndë. Policia ka arrestuar 4 persona, pasi dyshohet se kanë kryer akte të dhunshme gjatë protestës.

Protesta masive sollën sot edhe dorëheqjen e kryeministrit të Serbisë, Milosh Vuçeviç. “Dorëheqja ime është e pakthyeshme”, tha kryeministri Vuçeviç në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd, një ditë pasi studentët e universiteteve bllokuan një nga kryqëzimet kryesore në kryeqytetin serb.

“Kur mora mandatin për të formuar qeverinë në fund të prillit të vitit të kaluar, sigurisht që kisha një ndjenjë të fortë krenarie, por mbi të gjitha u përpoqa të kuptoja përgjegjësinë që vjen me atë punë. I vetëdijshëm se ka sfida të shumta për Serbinë, rajonin dhe situatën e ndërlikuar gjeopolitike, e pashë veten si pjesë e politikës së presidentit Vuçiç, që të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri së bashku me presidentin. 

Ajo që hodhi një hije të madhe vitin e kaluar dhe mandatin e kësaj qeverie ishte ngjarja tragjike në Novi Sad, një tragjedi e madhe, humbja e 15 jetëve. Që nga ai moment, Serbia dukej se ishte ngecur në atë aksident. Ne kemi parë përsëri abuzime politike të asaj tragjedie dhe një përpjekje për të përfituar nga aksidenti. Qeveria tregoi përgjegjësinë e saj edhe këtu, dy ministra dhanë dorëheqjen, prokuroria mori gjithçka që kërkoi, u ngrit aktakuzë, tregoi se nuk ka të mbrojtur dhe të privilegjuar. Ne si qeveri u përpoqëm, në radhë të parë me kërkesë të studentëve, të publikojmë të gjitha dokumentet" tha Vuçeviç.

Gjatë fjalës së tij, Vuçeviç u shpreh vendimi për dorëheqjen është i pakthyeshëm, duke theksuar se se edhe Vuçiç e kishte pranuar këtë fakt në bazë të argumenteve të dhëna.

“Nuk mund të justifikoj dhe kuptoj kurrë shumë nga protestat, bllokimin e rrugëve, lëvizjet, sulmet ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe, ndaj studentëve që duan të studiojnë, ndaj pedagogëve që duan të mbajnë provime, nuk do ta pranoj kurrë terrorin ndaj studentëve.

Kjo politikë të cilës i përkas, partia që unë drejtoj, partia që fitoi, duhet të tregojë shkallën më të lartë të përgjegjësisë, të sjellë dhe të tregojë rregulla të reja të së drejtës në politikën serbe, të tregojë se është më e përgjegjshmja. Pas kësaj ngjarjeje mbrëmë në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Serbisë. Kam pasur një takim të gjatë me presidentin Vuçiç, ai pranoi vendimin dhe argumentet e mia", shtoi ai.

Pas dorëheqjes së kryeministrit pritet që edhe kryetari i Novi Sad-it, Milan Gjuriç të jap dorëheqjen nga posti i tij. Një ditë më parë, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe se po shikon për disa ndryshime në qeveri.

Studenët e universiteteve të Serbisë nisën (më 27 janar) një bllokadë 24-orëshe në Beograd, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Ndërkohë, disa media të tjera vendase bëjnë me dije se studentët e Fakultetit Filozofik në Novi Sad janë sulmuar fizikisht gjatë mbrëmjes së djeshme (27 janar) nga persona të panjohur të cilët kanë dalë nga ambientet e SNS-së, partia e Vuçiç.

Ora 19:24
Protesta masive në Serbi, plagoset rëndë një studente, policia arreston 4 persona  

1738088946_protesta.JPG

Në Serbi vijojnë protestat masive, pas shembjes së një çatie betoni në muajin nëntor në një stacion treni në Novi Sad.

Sipas mediave serbe, studentë bllokuan fakultetet në Novi Sad, ndërsa fermerë, biçikletë dhe qytetarë të tjerë protestuan para ambienteve të Partisë Progresive Serbe në Bulevardin e Çlirimit, ndërsa pati edhe një sulm ndaj një studente, e cila u plagos rëndë.

Disa fakultete kanë dënuar sulmin ndaj studentes dhe kërkojnë që autorët të ndëshkohen sipas ligjit. Policia ka ndaluar katër persona të cilët dyshohet se kanë kryer akte të dhunshme në protestë.

Xh.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?