Një sërë protestash masive shpërthyen gjatë natës në Beograd, ku grupe studentësh bllokuan selinë e televizionit publik RTS në qendër të kryeqytetit.
Protestuesit thanë se aksioni do të vazhdojë për 22 orë.
“Të gjithë do të mund të dalin nga ndërtesa, por askush nuk do të mund të hyjë”, thanë organizatorët.
Një njësi policore që mbërriti në vendngjarje për të siguruar daljen e personelit u sulmua dhe një oficer u dërgua në spital me një lëndim në sy. Asnjë incident tjetër nuk është raportuar deri më tani.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka vizituar në spital policin e plagosur.
“Të dhunshmit mendojnë se u lejohet gjithçka. Nuk është kështu. Ata do të përgjigjen për çdo akt të dhunshëm që kryejnë”, shkroi Vuçiç në Instagram.
Në solidaritet me kolegët e tyre në Beograd, studentët në Novi Sad gjithashtu bllokuan hyrjet në selinë e Radio Televizionit Vojvodina (RTV) gjatë natës.
Një nga protestat më të mëdha në Serbi pritet të jetë ajo e 15 marsit, ku përveç të rinjve do të jenë të pranishëm edhe qytetarë të tjerë. Madje siç raportoi edhe gazetari Valon Arifi një ditë më parë në ‘Sot Live në Shqipëri’ pritet të marrin pjesë rreth 200 mijë protestues.
Komente
