Protestat në Serbi

Kosova & Rajoni

Protestat në Serbi, studentët bllokojnë rrugët në vend për të tretën ditë radhazi! 16 minuta heshtje për viktimat para stacionit hekurudhor në Novi Sad

2 Korrik, 08:04| Përditesimi: 2 Korrik, 12:15

  • Share

Studentët vijuan protestat në Serbi edhe gjatë natës, ndërsa qytetarë të shumtë iu bashkuan thirrjeve të tyre për mosbindje civile në të gjithë vendin. Ata kërkuan lirimin e disa studentëve gjatë protestës së mbajtur në Vidovdan, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. 

Që prej ditës së dielë, bllokadat në rrugët dhe kryqëzimet kryesore janë përhapur në shumë qytete, përfshirë Novi Sad, Valjevo, Novi Pazar dhe Leskovac. Studentët kanë kërkuar që qytetarët të pezullojnë përkohësisht punën dhe të mbështesin protestën, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Në Novi Sad, qytetarët u mblodhën para stacionit hekurudhor për të bërë homazhe për viktimat nga rënia e tendës në stacionin e trenit, një incident që ndodhi tetë muaj më parë dhe që shkaktoi një valë protestash. Homazhet u shoqëruan me 16 minuta heshtje (numri i viktimave) dhe mesazhe simbolike të vendosura në gardhin e ndërtesës, si “Është më errësira para agimit” dhe “Krimi është krim”. 

Paralelisht, çiklistët dhe qytetarët nga kryqëzimet e tjera u bashkuan në vendin e protestës.

Në Valjevo, qytetarët kanë lëvizur nga një kryqëzim në tjetrin, duke bllokuar rrugët që të çojnë në drejtim të Baja Baštës dhe Loznicës. Protestat u zhvilluan pa ndërhyrje policore dhe pa incidente. Bllokime pati edhe në Beograd. 

Në Leskovac, një marsh proteste kaloi nëpër rrugët e qytetit, ku protestuesit ndaluan përpara selisë së Partisë Progresive Serbe (SNS), duke brohoritur slogane si “Arrestoni Vuçiçin”. Ata bllokuan kryqëzime dhe kalime për këmbësorë. 

Studentët dhe qytetarët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet deri në përmbushjen e kërkesave për drejtësi dhe zgjedhje të reja parlamentare.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se Shqipëria do bëhet anëtare e BE-së më 2030?