Kemi 30 vjet që na thuhet se politikanët tanë dalin në protestë për hallet tona e po ashtu kemi parë se si në fakt protestat kanë shërbyer vetëm për të marr pushtetin dhe tek protestuesit shumë pak ose hiç ka ndryshuar në jetën dhe hallet e tyre. Kjo retorika se për popullit, kjo histori 30 vjeçare ka dëshmuar se në fakt popullit është përdorur vetëm për interesat e pushtetit dhe sinqeriteti i politikanëve për të mbrojtur me të vërtetë kauzat e qytetarëve ka qenë I vogël ose thuajse inekzistues. Sigurisht, gjithkush ka të drejtë të protestojë, qoftë edhe ndonjë parti politike. Po ajo që është themelore është të dinë qytetarët se çfarë ndodh ose çfarë mund të ndodhë me protestat që politika i bën për pushtet në emër të qytetarëve, me qytetarët, por pushtetin dhe privilegjet finale i mbajnë vetëm për vetën e tyre e ndërsa hallet, varfërinë, papunësinë ua lënë në kurriz thuajse në situate të pra ndryshuar atyre qytetarëve që edhe në kohë shiu apo të ftohtë kanë dalë e kanë mbushur sheshet!
Dëshira ose vullneti i politikës për të protestuar nuk do të thotë asgjë të re, nëse në mesin e tyre, në mendësinë tyre nuk ka asgjë të re. Protestat, në një rend demokratik, të organizuara nga partitë politike, sidomos në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më pak të besueshme e po thuajse nuk përbëjnë më rrezik as për ata që e kanë pushtetin dhe e ushtrojnë atë edhe në forma e modele të gabuara. Me të madhe po dëgjojmë se me datë 6 dhjetor po përgatitet një protestë madhështore me idenë se politikës opozitare i dhimbsen qytetarët që po përjetojnë çmime të larta e po ashtu po detyrohen të largohen nga vendi, sepse nuk ka më shpresë për ta për shkak të keqqeverisjes. Në këtë histori ka dy vërteta të mëdha:
- Nuk ka dyshime se ka keqqeverisje
- Nuk ka dyshime se këta që bëjnë thirrje për protestë në historinë e tyre politike kanë pak ndryshim me ata që kanë pushtetin e në fakt ndryshimi I vetëm është se në këtë herë ndodhën në anën opozitare dhe jo në opozitë
Po reklamohet 6 dhjetori sikur të ishte fundi i keqqeverisjes dhe sikur me këtë protestë do të mbarojnë vështirësitë e shqiptarëve duke mos pasur më çmime të larta dhe se nuk do të largohen më jashtë vendit.
Pra, data 6 dhjetor, ashtu siç ka ndodhur në historinë 30 vjeçare të politikës së konsumuar dhe mashtruese shqiptare, po prezantohet si fundi i ferrit dhe fillimi i një “floride” për shqiptarët dhe Shqipërinë! Me datë 6 dhjetorit kemi një protestë kundër çmimeve të larta e në fakt nuk kemi asnjë projekt ekonomik opozitar se si mund të jenë më të ulëta çmimet në një kohë jo normale që po jetojmë e sigurisht, të gjithë e dinë, përveç opozitarëve tanë, se lufta në Ukrainë ka vendosur përballë vështirësive edhe vendet me standarde më të mira qeverisje e po ashtu edhe indekse më të larta të standardeve ekonomike.
6 dhjetori, në fakt përtej konsumit politik, duhet të konsiderohet si një datë e rëndësishme, sepse Shqipëria është zgjedhur të jetë në qendër të liderve europian që kanë vendosur të mblidhen në Tiranë, pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, të Ballkanit Perëndimor e pse jo edhe situatës të përgjithshme të kontinentit europian që nga paqja e garantuar që nga mbarimi i Luftës II Botërore, është rikthyer më pranë se kurrë hija e një lufte që këtij kontinenti i ka kushtuar shumë në shekullin e kaluar.
Ka momente edhe kur protestat nuk duhet të behën edhe kur janë të sinqerta siç është data 6 dhjetor, apo edhe për faktin se Ballkani Perëndimor e Shqipëria nuk duhet të kenë probleme me destabilitet politik, sepse ndërhyrjet nga jashtë blloku i Natos po bëhen gjithnjë edhe me serioze duke kërkuar ashtu si ujku, mjegull për të kapur ndonjë dele të shastisur. Në këto momente ndryshimet politike në Shqipëri dhe po ashtu në Ballkanin Perëndimor duhet të ndodhin në situate të shëndosha demokratike e përmes votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira.
Gjithashtu, me datë 6 dhjetor, Shqipëria do të jetë qendër e liderëve të BE e për pasojë, ka plotë arsye që kanë të bëjnë edhe sigurinë që një protestë e tillë nuk duhet të ndodh, ose edhe nëse e kanë vendosur të ndodh duhet të bëhet përtej zonave të sigurisë. Mjafton të kujtojmë mbledhjen e G8 të bërë në Genova në vitin 2001 e cila edhe pse kishte të caktuar disa zona të sigurisë u përfshi në përplasje serioze mes forcave të rendit e me disa grupe “no global”, ku një pjesë e tyre nuk ishin as Italian, por kishin ardhur nga vendet të tjera të Botës. BE po kalon një moment jo të mirë edhe në imazhin e saj ndërkombëtar e sidomos në lidhje edhe me qëndrimet që po mban kundrejt luftës në Ukrainë. Atëherë, këta që kanë bërë thirrje për protestë me datë 6 dhjetor a janë në gjendje të japin garanci se në proteste do të ketë vetëm shqiptarë që kanë halle ekonomike e nuk duan qeverinë apo mund të ketë edhe protestues të tjera?
Nga një protestë nuk pritet të thotë asgjë, nëse ajo nuk ka edhe ca cilësi të tjerë të organizatorëve, nëse kemi të bëjmë me proteste politike të organizuar nga partitë politike.
- Një protestë është e besuar nëse ajo përfaqëson me të vërtetë interesat e qytetarëve
- Nëse ka një lidership të besuar që ka dëshmuar se i mban premtimet e dhëna
- Nëse ka një lider që nuk ka faje në të kaluarën për të njëjtat kauza
- Nëse ka një program me zgjidhje për kauzat e ngritura
Nëse, nuk plotëson këto kritere edhe kjo protestë në emër të popullit është si të gjitha protestat e tjera që kemi parë në këto 30 vite. E kjo historia e protestave në emër të popullit ngjanë me atë historinë e mirditorit në Mirditë, kur në mesin e natës gjatë Regjimit i trokasin në derë duke i thënë se në emër të popullit ishte i arrestuar. Ai përgjigjet- Populli në këtë orë është duke fjetur gjumë, prandaj zbatoni atë që keni vendosur!