Muret e shtëpisë së Ardian Kovaçit në fshatin Vlahen të Hasit janë çarë dhe prej një viti ankohet në çdo institucion për dëmet që i ka shkaktuar miniera e kromit. Sot, Kovaçi doli në protestë bashkë me 11 familje të tjera që pretendojnë se prej shpërthimeve me dinamit, shtëpitë e tyre kanë pësuar dëme të shumta. Po sipas banorëve, shoqëria turke "Vllahen Mining" që shfrytëzon minierën ka dëmtuar rrugën që lidh fshatin e tyre me qytetin e Krumës.
“Rrezikohet seriozisht jeta dhe prona jonë. Na ka bërë shumë dëme miniera. Bëjnë plasje (shpërthime) pa kriter”, thanë ata.
Banorët prej tetorit të vitit të kaluar i kanë dërguar shkresa bashkisë, policisë dhe të gjitha agjencive që kanë për detyrë kontrollin e minierës por s’kanë marrë përgjigje. Në mbështetje të tyre doli dhe nënkryetari i bashkisë së Hasit.
Përkundër këtyre ankesave, administratori, Nikolin Baçoku tha se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera ka kryer inspektime dhe ka dalë në konkluzionin se kompania po ben punime sipas kushteve teknike për lendet plasese.
“Rezulton se kemi koeficient sigurie me 50 për qind, theksoi ai.
Banorët e Hasit janë skeptik ndaj këtij raporti, ndaj thanë se do të përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e punimeve në minierë. Shoqëria “Vllahen Mining” është në pronësi të kompanisë turke “Yildirim Group”, e cila shfrytëzon edhe kromin e Bulqizës. Lejen minierare e ka marrë në 2017 nga Ministria e Infrastrukturës.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)