Kosova & Rajoni

Protestë kundër konferencës së kryetares së Gjykatës Speciale! Arrestohet kreu i PSD në Kosovë, fotot teksa prangoset në tokë i gjakosur! Lihet i lirë pas disa orësh

7 Shtator 2021, 11:28| Përditesimi: 7 Shtator 2021, 21:36

  • Share

Në kohën kur kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova po mbante një konferencë në Prishtinë, në ambientet e jashtme po zhvillonin një protestë.

Madje në shenjë proteste ata kanë hyrë në sallën e konferencës duke u fryrë bilbilave dhe deklaruan se ata nuk do të lejonin një konferencë të një “përfaqësuese të një gjykate të padrejtë që asnjëherë nuk mund të sjellë drejtësi”.

Aktiviteti është organizuar nga Partia Socialdemokrate në Kosovë. Në përfundim të kësaj proteste ka pasur disa të arrestuar mes të cilëve edhe bashkëshorti i ish-ministres së Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj, i cili në imazhet e shpërndara në media është shfaqur i gjakosur. Pas disa orësh që u mbajt në qeli kreu i PSD-së u la i lirë së bashku me aktivistët e tjerë të kësaj partie që u arrestuan sot.

Konferenca e Trëndafilovës po mbahej për të dhënë të dhëna në lidhje me gjyqet që po zhvillojnë aktualisht Gjykata Speciale.  Ajo tha se gjykimi ndaj Salih Mustafës do të nisë më 15 shtator, ndërkaq nga fundi i këtij muaji po ashtu pritet të nisë gjykimi edhe ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Sa i përket rastit të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se puna është duke u zhvilluar me intensitet të lartë.  Ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nëntori i vitit të kaluar, që të gjithë ndodhen në paraburgim në Hagë. Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

Ora 21:34
U arrestua me dhunë gjatë protestës, reagon kreu i PSD-së: Pavarësisht dhunës që nxjerr pushteti, mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës

Kreu i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka reaguar pas arrestimit me dhunë nga Policia e Kosovës, për shkak të një proteste ku aktivistë të partisë penguan konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova.

Prëmes një postimi në rrjetet sociale, Molliqaj shkruan se mbrojtja e UÇK-së ëshët detyrë e kohës dhe do të bëhet pavaërisht faktit se pushteti iu përgjigjet protestave me dhunë. Ndër të tjera, burri i ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini, thotë se ata që nuk luftojnë për UÇK-në janë rreshtuar kundër saj.

“Mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës!

Sot kur ndaj UÇK-së po bëhet luftë speciale, jashtë e brenda vendit, mbrojtja e saj është detyrë e kohës. Është mbrojtje e shtetit të Kosovës. Sepse nuk qëndron dot, e fortë dhe e sigurt një ndërtesë që ia gërryejnë themelin.

Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë e u jep pozita atyre që e luftojnë.

Ndërkaq dhuna ndaj nesh, nuk është thjeshtë dhunë ndaj nesh. Është dhunë e mosdurimit të pushtetit sa herë që i shpaloset pozicioni i tij i gabuar.

Po ky pushtet, me këtë mënyrë të të menduarit, u ka dhënë zemër fraksioneve brenda policisë që janë kundër UÇK-së. U ka dhënë zemër të sillen dhunshëm ndaj kujtdo që është kundër qeverisë. Prandaj dhuna e shfrenuar.

Sot mbrojtja e UÇK-së është detyrë e kohës. Është detyrë e secilit. Është detyrë që do të kryhet, pavarësisht çfarë dhune nxjerrë pushteti përballë”, shkruan kreu i PSD-së.

Ora 16:14
Penguan konferencën e Gjykatës Speciale, lirohet nga burgu kreu i PSD-së Dardan Molliqaj

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, dhe aktivistët e tjerë të kësaj partie që u arrestuan sot pas aksionit për pengimin e konferencës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, janë liruar.

 “Rreth orës 10:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash, të ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor. Hetuesit policor të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit  dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë  karakterizuar ngjarjen”, ka deklaruar Borovci.

Borovci deklaroi se të gjithë aktivistët e arrestuar sot nga policia, janë liruar në procedurë të rregullt.

Ora 15:26
Bashkëshorti iu arrestua dhunshëm gjatë protestës, reagon Besa Shahini: Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar ka kaluar në absurditet

Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj, kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Shahini shkruan se kryeministri Albin Kurti po dëshiron të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë. Përmes një postimi ajo nënvizon se nevoja e Kurtit për ta shuar zërin opozitar ka kaluar në absurditet, ndërsa shtoi se aktivistët u rrahën dhe u arrestuan dhunshëm. Ajo thotë ndër të tjera se demokracia në Kosovë është në pikën e saj më të brishtë që nga paslufta.

Postimi i Besa Shahinit:

Nevoja e Albinit që të shuajë çdo zë opozitar në Kosovë ka kaluar në absurditet. Pesë aktivistët në aksionin simbolik kundër gjykatës së padrejtë speciale - tashmë e shndërruar në gjykatë kundër UÇK-së - u rrahën dhe arrestuan dhunshëm. Në korrik ndodhi e njejta, kur Albini nxorri policinë për të mbrojtur një taksë absurde shtesë të regjistrimit të makinave, të cilën e tërhoqi më vonë.

Para kësaj, u organizua një protestë e vogël kundër hipokrizisë së VV-së e cila bëri fushatë të hapur elektorale, të rrezikshme për shëndetin midis pandemisë dhe menjëherë pasi fitoi zgjedhjet vendosi masa të rrepta duke u thirrur në pandemi, që rezultuan në mbyllje biznesesh dhe gjobitje marramendëse të qytetarëve. Protesta u mbyll me dhunë policore, aq në shpërputhje me aksionin e protestuesve, sa nuk ishte parë që nga koha e UNMIK-ut.

Nëse nuk i shuan me dhunë, Albini nxjerr ministrat e vet në protestë, për ta përvetësuar kauzen, siç ndodhi me daljen e turpshme të ministres së drejtësisë dhe atij të brendshëm në protestat kundër vrasjes brutale të një gruaje të re nga partneri i saj.

Shëndeti i demokracisë në Kosovë është në pikën e vet më të brishtë që nga paslufta. E vetmja fije shprese është fakti që nën pushtetet e dhunshme, pashmangshëm rritet e forcohet opozita. Kështu që paradoksalisht, nevoja dhe hapësira për opozitë të re dhe të zëshme po vjen duke u rritur.

Ora 11:19
FOTO/ I shtrirë në tokë i gjakosur, arrestohet kreu i PSD-së në Kosovë, bashkëshorti i ish ministres Besa Shahini

Në Prishtinë ka pasur tensione sot gjatë një proteste të disa aktivistëve të PSD-së në Kosovë në kohën kur po pritej konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova.

Pas tensioneve në protestën e paralajmëruar është arrestuar edhe kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të PSD-së. Siç shihet nga pamjet e publikuara, Molliqaj është gjakosur në protestën ndaj Trendafilovas.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 07/09/2021 16:12

    Ju dhe për cilin sigurim ka punuar babai yt, tregoje këtë së pari pastaj nga kush paguhet burri yt…!

    Përgjigju
  • lolita: 07/09/2021 09:49

    Edhe ne Prishtine po shuguronin ndokend?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?