Banorët e Lumasit në Kuçovë kanë protestuar sot duke kërkuar anulimin e projektit të bashkisë së Kuçovës për ndërtimin e një ujësjellësi në ujëvarën e Sinecit. Uji që rrjedh nga burimi natyror përdoret nga këta banorë për vaditjen e tokave.
Ata kanë protestuar sot para zyrave të njësisë vendore. Ata pretendojnë se uji që rrjedh nga burimi natyror i Sinecit, ku ka edhe një ujëvarë që frekuentohet nga turistët, do të futet në tuba.
Sipas banorëve të fshatit Lumas, Bashkia e Kuçovës ka projektuar ngritjen e një ujësjellësi në Sinec, ç'ka sjell dëme në bujqësi pasi ujin e përdorin për vaditje.
"Më gjest i poshtër më nuk ka edhe një mundësi të vetme për të jetuar me ujë burimi na e marrin. Vendi ynë po shkretohet, po bëje një copë rrugë që populli të jetojë këtu pse të iki. Ky komunitet të jetojë këtu në vendin ku është. Kjo bëhet për të fituar ata bostat e mëdhenj oligarkët", është shprehur një qytetar i revoltuar në lidhje me situatën.
"Vendin e mban këtu në këmbë ky ujë, për mbijetesë jo se duam të pasurohemi, nuk japin shpjegime fare vetëm punojnë fshehurazi natën me grupe, duan të korruptojnë njerëzit, servila e t'u japin ndonjë lek t'u marrin firma. Thonë për ujë të pijshëm po për gjë tjetër nuk na kanë dhënë shpjegim", tha një tjetër qytetar.
Protestuesit kërkojnë të anulohet projekti që dëmton 5 mijë banorët që jetojnë me bujqësi në njësinë administrative Lumas.