Këtë të shtunë në Tiranë u zhvillua një protestë në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Aktivistja Zhaklina Lekatari, pjesëmarrëse në protestë, tha në një intervistë për Report TV, se fokusi i këtij viti janë vajzat dhe gratë me probleme ekonomike.
Lekatari deklaroi se kanë organizuar edhe një mbledhje fondesh, të cilat do të shkojnë për gratë dhe vajzat që vuajnë dënimin në burgun e Pogradecit.
“Ne protestën e bëjmë çdo vit, çdo 8 Mars. Jemi një grup vajzash dhe grash aktiviste. Është një zgjedhje e bërë nga ky grup vajzash dhe grash ku çdo vit zgjedhin të protestojnë dhe vendosin në diskutim një temë të caktuar. Vitin e kaluar mbuluam temën “Siguria e vajzave dhe grave gjatë natës” dhe i bëmë kërkesë bashkisë që të ndriçonte disa rrugë gjatë natës, ndërsa sivjet tema ka të bëjë me gratë e varfra, për të pjesë të shoqërisë që është më vulnerabël. Duke parë që jemi para zgjedhjeve, dëshira jonë ishte që institucionet të bëjnë një punë më të vërtetë dhe vullnetshme jo vetëm ndaj vajzave dhe grave që janë viktimë e dhunës në familje por edhe ndaj atyre që janë pjesë e komunitetit më të varfër. Dëshira faktike është të paktën ndihma ekonomike të shkojë nga 92 mijë në 200 mijë. Protesta ende po zhvillohet. Kemi organizuar një mbledhje fondesh. Më 24 mars do të shkojmë te burgu i grave në Pogradec për t’u çuar disa dhurata dhe për t’u përmbushur disa nevoja që ata na kanë shprehur.”, u shpreh Lekatari.
Aktivistja apeloi institucionet që të punojnë më shumë për të përfaqësuar gratë dhe vajzat dhe të flasin për problemet reale të tyre.
“Thirrja ime është ndaj institucioneve dhe grave që punojnë në institucione që të na përfaqësojnë më denjësisht, në hapësirat ku marrin vendime, të flasin për problemet reale që gratë kanë, që narrativa anti gjini që vjen nga Amerika të mos huazohet në Shqipëri. Do të doja që vajzat dhe gratë të kishin më shumë mundësi dhe oportunitete, që dhuna në familje të kishte një strategji të dedikuar dhe afatgjatë, edukim seksual në shkolla që të na tregojnë që politikanët të na dëgjojnë dhe kanë vullnet për t’u përgjigjur nevoja të qytetarëve.”, shtoi ajo.
Komente
