Sociale

Protestoi për pagë më të lartë dhe kushte më të mira pune, kompania ‘Albchrome’ shkarkon nga puna vagonistin në minierën e Bulqizës

15 Korrik, 15:42| Përditesimi: 16 Korrik, 11:12

  • Share

Një prej punëtorëve të minierës së Bulqizës, i cili ishte pjesë e grupit të negociatave mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe kompanisë Albchrome, është shkarkuar nga puna pas përfshirjes në protesta. Altin Kola, i cili mbante pozicionin e vagonistit në minierë dhe me një eksperiencë prej 11 vitesh, ka marrë një shkresë zyrtare nga kompania, ku i komunikohet zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës.

Në shkresën e firmosur nga administratori i përgjithshëm i Albchrome, Cemil Acar, thuhet se Kola ka kryer veprime në kundërshtim me detyrimet kontraktuale, duke dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë dhe duke ndikuar në “përshkallëzimin e marrëdhënieve me punëmarrësit”.

Në mjediset publike të Minierës së Kromit në Bulqizë në mars 2025, pas protestave disa ditore të punëtorëve ishte vendosur një njoftim zyrtar nga kompania. Njoftimi i cilësonte veprimet e tyre si një “grevë e paligjshme” dhe paralajmëronte pasoja të rënda administrative dhe ligjore. Kompania i akuzonte punonjësit se kanë braktisur vendet e punës pa njoftim paraprak dhe se kanë krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikonte sigurinë e minierës dhe veprimtarinë normale të saj.

Nga ana tjetër, punëtorët e kanë konsideruar largimin e Kolës një veprim hakmarrës nga kompania.

Të hënën që lamë pas, punonjësve të minierës së Bulqizës u është shpërndarë nga kompania Albchrome një “Deklaratë përgjegjësie individuale”, të cilën ata janë ftuar ta plotësojnë me të dhënat personale dhe ta firmosin. Në këtë dokument, punëtorëve u kërkohet të distancohen nga çdo akt apo thirrje për ndërprerje të paligjshme të punës, të angazhohen për të vijuar normalisht detyrat sipas kontratës dhe të deklarojnë se nuk janë ndikuar apo nuk do të ndikohen nga persona të tjerë për të ndërmarrë veprime proteste. Deklarata paralajmëron se përfshirja në veprime të paligjshme konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore, që mund të çojë deri në shkarkim nga puna apo ndjekje civile dhe penale.

Kompania Albchrome gjithashtu u ka njoftuar punëtorëve se do të aplikojë një rritje page në masën 5%. Njoftimi është bërë në vijim të protestës disa ditore të punonjësve, të cilët kishin kërkuar më herët një rritje prej 10%, si dhe përmirësim të kushteve të punës. Megjithatë, shumë prej minatorëve e kanë konsideruar këtë rritje të pamjaftueshme dhe një reagim të vonuar ndaj premtimeve të mëparshme që, sipas tyre, nuk janë përmbushur.

Në vitin 2022, Albchrome u bleu nga konglomerati turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”, i cili prej asaj kohe ka marrë në dorë administrimin dhe operimin e aktiviteteve minerare në Bulqizë dhe jo vetëm.

Sektori minerar konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme të punës, ku punëtorët përballen me kushte të vështira dhe rreziqe të larta për jetën dhe shëndetin. Aksidentet në miniera shpesh çojnë në pasoja tragjike, duke përfshirë vdekje të punëtorëve ose dëmtime të rënda që sjellin paaftësi të përhershme.

Punonjësit e minierës së Bulqizës protestuan edhe në mars të vitit 2025 për rreth një javë, duke kërkuar rritjen e pagës dhe kushtet e punës. Megjithatë, ata ndërprenë përkohësisht protestën pasi kompania u premtoi në atë kohë se do të adresonte kërkesat e tyre dhe do të ofronte një zgjidhje të pranueshme.

Kompania Albchrome, si aktori kryesor në sektorin minerar në Shqipëri, punëson qindra punonjës në Bulqizë, Klos, Mat dhe Elbasan.

K.M/xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Haka Tekizoti: 15/07/2025 18:35

    Punëtorët duhet të krijojnë sindikatën për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duhet të kërkojnë lidhje kontrate kolektive; duhet të mos pranojnë asnjë ofertë të punëdhënësve pa kthyer në punë të pushuarin, në të kundërt të hedhin në gjyq firmën. Pa këmbëngulje dhe organizim do të jenë të humbur e të shfrytëzuar pa mëshirë.

    Përgjigju
  • George: 15/07/2025 17:42

    Industrine e rende duhet ta marre ne dore shteti; se te huajt po e rjepin vendin dhe popullin shqiptar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?