Politikë

“Prova” e SPAK që e çoi në burg/ Report Tv zbuloi shtëpinë modeste 1 katëshe të gomistit në Yrshek! Reagon Veliaj: Ja çfarë më faturoi si korrupsion prokurori ndërtues

1 Mars, 09:55| Përditesimi: 1 Mars, 10:22

  • Share

TIRANE- Një nga firmat e kryebashkiakut të Tiranës,  Erion Veliaj për një leje ndërtimi për të cilën akuzohet për korrupsion pasiv dhe ndodhet në burg, është për një shtëpi modeste 1 katëshe në Yrshek, në pronësi të një gomisti të cilin Report Tv arriti ta gjejë. Firma që do ta ndërtonte është kompania “Fusha shpk”, për të cilën SPAK i ka vënë masë sigurie detyrim paraqitje biznesmenit Shkëlqim Fusha dhe i ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv.

Në një reagim sot në facebook kryetari I bashkisë Erion Veliaj e quan provë për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dado

"Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria "Fusha".

Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse.

Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t'u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2"

Leja për banesën vetëm 90 m² në Yrshek, në periferi të Tiranës, është marrë në vitin 2020, ndërsa banesa është përfunduar në 2022-shin.  Siç pronari dëshmon për Report Tv  ka paguar vetëm tarifat ligjore, por pikërisht për këtë leje të marrë, firma Fusha që ka aplikuar si kompani ndërtuese për llogari të gomistit, po hetohet se ka korruptuar Veliajn.

Vetë pronari i banesës Glentjan Karaj në një bisedë me Report Tv thotë se shtëpinë e ndërtoi me investimet e jetës, me borxhe tek të afërmit dhe kredi ende të pashlyera dhe se kryebashkiakun Veliaj nuk e ka takuar kurrë. Ndërsa për biznesmenin Shkëlqim Fusha e njeh personalisht pasi disa herë ka ndërruar gomat e makinës së tij në gomisterinë ku punon prej rreth 13 vitesh.  

“Erion Veliajn nuk e kam takuar për asnjë gjë. Me Çimin (Shkëlqim Fushën) jam njohur prej punës, e ke parasysh ka ardhur nja 2-3 herë për të ndërruar gomat, për asnjë gjë tjetër, as aplikim, as asgjë nuk është marrë. Nuk ka ndërhyrë për asnjë gjë më të vogël”, shprehet pronari, Glentjan Karaj.

Erion Veliaj u arrestua në zyrë më 10 shkurt dhe ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej 12 shkurtit pasi po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash. Në masën detyrim me paraqitje po hetohet bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, dhe 5 biznesmenë, ndërsa biznesmenin Elman Abule po hetohet në masën 'arrest me burg' .

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anti rus: 01/03/2025 11:42

    Nëse kjo është drejtesia e re, në djall vaft.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se në primaret e PD do të fitojnë kandidatët më të mirë?