Erion Veliaj në SPAK, foto arkiv

Kronikë

‘Provat’ e çuditshme nga nisi hetimi për Veliajn, zbardhet letra e anonimit Nesti Angoni për SPAK-un

19 Gusht, 13:47| Përditesimi: 19 Gusht, 14:02

  • Share

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i kërkoi GJKKO-së shpalljen e pavlefshëm të hetimit ndaj tij, përfshirë edhe papërdorshmëri të akteve hetimore. Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës së Posaçme, Veliaj ka publikuar të plotë edhe tekstin e letrës që anonimi "Nesti Angoni" i ka dërguar SPAK-ut dhe mbi bazën e së cilës janë nisur veprimet hetimore ndaj tij.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të Nesti Angonit për SPAK-un, vetëm gjysmë faqe, të pa pashoqëruar me asnjë dokument apo provë, e cila ka shërbyer si pikënisje për prokurorin Olsi Dado për të nisur hetimin. Prokuror të cilin, Veliaj e akuzon për konflikt interesi dhe të emëruar në paligjshmëri.

Në letër, anonimi Nesti Angoni flet për një marrëdhënie  të pretenduar mes kryebashkiakut Veliaj dhe biznesmenit Gent Sula. Sipas Nesti Angonit, kur Veliaj u bë ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale, post që e mbajti nga 2013-2015, bleu një banesë te Kodra e Diellit në pronësi të Gentian Sulës dhe më pas emëroi gruan e tij si zv.ministre në dikasterin që drejtonte.

Që emërimin e saj nuk e ka bërë Veliaj, këtë fakt e ka pranuar publikisht edhe kryeministri Edi Rama, i cili pas arrestimit të kryebashkiakut tha se ai nuk kishte asnjë lidhje me emërimin e saj, por se Ramës ia kishte kërkuar Ilir Meta kur ishte kryetar Kuvendi, kur PS ishte në koalicion asokohe me LSI-në.

Në letër, Nesti Angoni flet edhe për një prej vilave në Qerret për të cilën SPAK akuzon se është në pronësi të Veliajt. Ndërtuesi i vilës, Gentian Sula pati deklaruar se Arben Xoxa ia kishte blerë vilën duke e shkëmbyer me një apartament që babai i Ajola Xoxës kishte në të njëjtin fshat turistik "Marea" në Qerret. Madje, për këtë vilë SPAK pretendon se Arben Xoxa nuk ka qenë kurrë atje dhe se është në pronësi të Veliajt, por në fakt Shqiptarja.com pati siguruar ekskluzivisht një foto, ku shihej Arben Xoxa, me pantallona të shkurtra (djali i Jakov Xoxës), bashkë me familjarë gjatë një dreke në vilën e Qerretit, ndërsa përballë tij është ish-balerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ganimet Vendresha, njëkohësisht nëna e bashkëshortes së Xoxës, Valbona.

Arben Xoxe u nda nga jeta në shkurt të vitit 2019, pra kjo foto është të paktën nga vera e vitit 2018, kohë kur biznesmeni Sula thotë se Xoxa bleu vilën në Qerret.

“Të nderuar jam një qytetar i Tiranës që dua tu vej në dijeni të disa fakteve që i shoh si kompromentuese për kryetarin e bashkisë Tiranë, zotin Erion Veliaj dhe marrëdhëniet e tij me pronarin e shoqërisë Agikons, Genti Sula. Kur Erion Veliaj u bë ministër mori një banesë në bllokun Kodra e Diellit në pronësi  të Genti Sula dhe gruaja e tij u bë zëvendësministre tek Ministria Punës (kjo banesë më  vonë është shtuar me një kat dhe me ashensor të veçantë). Që nga ajo kohë marrëdhënia e të dyve është e pandarë…. Shoqëria Agikons, me pronar Gent Sula ka “fituar” një pafundësi ndërtimesh në Tiranë, si shkollën tek ish-sheshi Shqiponja, parkun Rinia, Operan, Maternitetin, spitalin e ri, godina te Universiteti Bujqësisë dhe tani flitet edhe për Teatrin Kombëtar.

Nuk mund të them se si është fituar kontrata për  këto ndërtime… Sot Erion Veliaj ka në pronësi 3 vila në fshatin rezidencial në Qerret, Kavajë të ndërtuar nga shoqëria Agikons e Genti Sula. Nga këto një vilë e posedon i  vëllai Erion Veliaj, tjetrën Erion Veliaj të dyja të rikonstruktuara dhe të tretën e ka rrafshuar. Këto vila kanë një vlerë tregu plus rikonstruksionin që shkon rreth 500 mijë  euro. Vila e tretë tashmë e rrafshuar për të krijuar më shumë hapësirë, pra hedh në plehra 500 mijë euro për hiç. Për prishjen e saj kanë punuar makineritë e Ujësjellësi Kavajë.

A ka një leje për prishjen apo ndonjë faturë të punimeve? Të gjitha këto ngrenë  pyetjen ku i gjeti paratë Erioni? dhe a ka dokumenta të blerjeve, pagesave bankare, apo pronësia e tyre ka mbetur formalisht të ndërtuesi. Këto janë pak probleme që  mendoj se tregojnë shumë. Uroj që të kem dhënë një informacion të vlefshëm në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në letrën që Nesti Angoni i ka dërguar SPAK.

Në kërkesën drejtuar GJKKO-së për shpalljen e pavlefshëm të hetimit ndaj tij, Veliaj rendit një sërë momentesh të cilat sipas tij përbëjnë shkelje të kryera nga SPAK, mes tyre thotë se SPAK e regjistroi procedimin penal në bazë të një kallëzimi të falsifikuar “nga një shtetas i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë në regjistrin e gjendjes civile”.

“Z. Erion Veliaj nga viti 2015 e në vijim ushtron funksionin e Kryetarit të Bashkisë së  Tiranës, i zgjedhur për tre mandate radhazi. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit  dhe Krimit të Organizuar, duke marrë shkas nga një kallëzim të falsifikuar, pasi është  firmosur nga një person, në emër të një personi që nuk ekziston, në datën 08.02.2024 ka regjistruar procedimin penal Nr.27/2024, aktet e të cilit bëjnë fjalë për veprën penale të "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë", parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, pa autor. Në Korrik 2023 pranë Prokurorisë së Posaçme është protokolluar një kallëzim penal i falsifikuar nga një shtetas i vetëquajtur Nesti Angoni, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë në regjistrin e gjendjes civile”, thuhet në kërkesën e Veliajt.

Veliaj u mor i pandehur më datë 24 korrik për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurisë dhe futje e sendeve në burg. 

Arben Xoxa në shtëpinë e tij në Qerret

 

Letra në kërkesën e Veliajt për GJKKO-në

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vladi: 19/08/2025 16:28

    Bella thonë, por spekullimet Jane arme è Sali plehres! Nje anonim mund te spiunoje dhe padisi dikë, por ai ka nje identités qe shteti Duhet ta ketë!

    Përgjigju
  • xXx: 19/08/2025 15:57

    Nesti(E.R.);Angoni(B.B.)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?