Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu priti sot një grup maturantësh ekselentë nga gjimnazet e Tiranës, për të diskutuar mbi zhvillimin e Maturës Shtetërore dhe për të ndarë risitë e këtij viti në procesin e provimeve.
Në bashkëbisedim me maturantët, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e përgatitjes dhe garantimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt për të gjithë nxënësit maturantë.
“Testet model, që ne tashmë u bënë dy vite që i japim për nxënësit maturantë që në muajin janar, janë një mundësi shumë e mirë që të familjarizoheni me mënyrën e testit për katër provimet e maturës. Ajo që është e rëndësishme këtë vit është se fondin e pyetjeve e kemi të riorganizuar, sepse edhe mësuesit që janë përfshirë, hartuesit e tezave, i kanë riparë me shumë kujdes. Nga ana tjetër, sa i përket administratorëve të testimit, do të jenë mësuesit të cilët do të jenë në ambientet e përzgjedhura të testimit dhe do të jenë mbi 140 shkolla të cilat janë vendosur të jenë ambientet e testimit për provimet e maturës shtetërore. Janë të angazhuar më shumë se 640 vlerësues, pra mësues që do të korrigjojnë testet”, tha Manastiliu, duke shtuar se për këtë vit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët të cilët janë me aftësi speciale.
E pyetur nga maturantët mbi të ardhmen e formatit të Maturës Shtetërore, Ministrja Manastirliu u shpreh se e ardhmja e testimit të maturës do të shkojë drejt digjitalizimit, pasi po punohet për të garantuar infrastrukturën përmes QSHA si dhe investimet në rrjetin e laboratorëve SMART në të gjithë vendin.
Sa i përket alternativave që ofron arsimi i lartë në Shqipëri, për të cilën maturantët shfaqën interes të veçantë, Ministrja Manastirliu tha:
“Mundësitë që janë sot në Shqipëri për të ndjekur një edukim cilësor janë shumë më të mëdha se ato që ishin dje. Sot universitetet tona janë lidhur me universitete prestigjioze europiane. Ne kemi Universitetin Bujqësor të Tiranës që është lidhur me Universitetin e Shkencave Natyrore, Boku në Vjenë dhe në krye të pak viteve do të jenë diplomat e unifikuara njësoj sikur të kesh studiuar në Vjenë, Austri.
Ndërkohë kemi programe dyfishe dhe diploma të përbashkëta me universitete të huaja duke nisur që me universitetet e Italisë, ku programet e përbashkëta dhe diplomat dyfishe krijojnë mundësi që të kemi të njëjtat programe, me të njëjtat standarde dhe që diploma të njihet në të gjithë vendet.
Kampuset e universiteteve ndërkombëtare të njohura janë duke u hapur në Shqipëri. U hap kampusi i Tiranës i Kolegjit të Europës për nivelin master për të gjithë ata që studiojnë shkenca ndërkombëtare politike.
Hapet këtë vit një tjetër kampus, ai i Universitetit Teknologjik të Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës, për degë shumë interesante dhe të kohës që lidhen me elektronikën dhe inxhinierinë elektronike që ju të keni të njëjtat diploma si në Francë. Të njëjtën gjë po bëjmë me Universitetin Teknik të Stambollit dhe po zgjerohemi edhe me universitete të tjera për të pasur programe të përbashkëta dhe diploma dyfishe.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.
Komente
