Kronikë

Provimet e Maturës, sot testimi për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë! Teza qarkulloi në internet, disa prej maturantëve: Ishte e njëjta me atë që bëmë

7 Qershor 2021, 08:52| Përditesimi: 7 Qershor 2021, 15:40

  • Share

Gjatë paradites së sotme 34 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të dytë të Maturës Shtetërore, ku u testuan për Gjuhën shqipe dhe Letërsinë.

Provimi zgjati për 2 orë e gjysmë, pasi testimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30.

Në total në të gjithë vendin provimi u zhvillua në 208 qendra, ndërsa Tirana ka 38 qendra, për 8300 nxënës.

Edhe këtë vit maturantët zbatuan rregullat anti-COVID, kjo për shkak të situatës pandemike në të cilën ndodhemi. Në një klase kishte 10-15 maturantë.

Në kuadër të masave anti-COVID, nëse një prej maturantëve rezultonte pozitiv me COVID-19, nuk mund ta bënte provimin ditën e sotme, por i jepej mundësia  ta zhvillonte në sezonin e vjeshtës.

Në mënyrë kategorike ishte i ndaluar përdorimi i telefonit gjatë zhvillimit të provimit dhe nëse identifikohej e kundërta maturanti duhet të mbante përgjegjësinë e veprimeve të veta.

Ky rregull duket se nuk u zbatua kudo, pasi vetëm disa minuta pas fillimit të provimit të maturës shtetërore, në internet kanë qarkulluar foto nga tezat e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Ky lajm i cili solli edhe reagime të shumta revolte, është konfirmuar menjëherë nga disa prej maturantëve, të cilat pas përfundimit të provimit, thanë se teza e cili zhvilluan ishte i njëjtë më atë që doli në rrjetet sociale.

Një denoncim të ashpër lidhur me këtë fenomen dhe konkretisht këtë rast, ka bërë edhe eksperti i Arsimit pranë PD, Ndriçim Mehmet, i cili ka ironizuar Ministrinë e Arsimit, duke thënë se kjo është pasojë e çorganizimit me sukses.

Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25% (15 pikë).

Më 11 qershor maturantët do të zhvillojnë provimin e Matematikës, ndërsa më 15 qershor atë të lëndës me zgjedhje.

Ora 13:10
Teza e maturës shtetërore qarkulloi në internet disa minuta pas fillimit të provimit, disa prej maturantëve: Ishte e njëjta me atë që bëmë (VIDEO)

Provimi i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë tashmë ka përfunduar.

Disa minuta pas fillimit të tij rreth orës 10:12 në internet, me shpejtësi, kanë qarkulluar tezat e provimit të maturës shtetërore

Në pritje të një konfirmimi, pas përfundimit të testimit që zgjati 2 orë e gjysmë, disa prej maturantëve për Report.Tv thanë se fotot e provimit, i cili qarkulloi në rrjetet sociale ishte i njëjti me atë të cilin ata zhvilluan.

“Po”, konfirmon një maturante.

Megjithatë ka pasur edhe nga ata të cilët e mohuan këtë fakt, duke thënë se tezat ishin krejtësisht ndryshe.

“Jo nuk ishin këto fare, nuk kishin asnjë lidhje, ishin teza krejtësisht ndryshe”, shprehet një tjetër maturante.

Nëse kjo është e vërtet, një gjë e tillë konsiderohet shkelje flagrante e rregullores së Maturës Shtetërore, dhe nëse zbulohet personi përgjegjës, mund të ndiqet penalisht.

Ende nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Arsimit.

Ora 11:45
Maturantët ende në provim, eksperti i Arsimit në PD denoncon shpërndarjen e testit në internet: Miradministrim i çorganizuar, suksese në jetë zysh Kushi

1623059341_mehmetaj.jpg

Teksa maturantët janë ende duke zhvilluar provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, eksperti i Arsimit pranë PD, Ndriçim Mehmet ka denoncuar, se testi ka qarkulluar nëpër rrjete sociale.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Mehmeti shkruan se në orën 10:00, momenti kur maturantët zunë vend nëpër klasat për të zhvilluar provimin, testi “ka marrë rrugët nga shkollat në tryezat e kafeneve për zgjidhje dhe dorëzim përgjigjesh në kohën e duhur”.

Me tone ironike, Mehmeti shkruan se kjo situatë është pasojë e çorganizimit me sukses nga Ministria e Arsimit.

“Suksese ne jete zysh Kushi”, shkuan ai në fund.

Postimin e tij, eksperti i Arsimit pranë PD, e ka shoqëruar edhe me foto të provimit të plot, që sipas tij kanë qarkulluar menjëherë në internet.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?