Provimet online/ Rregullorja e hartuar nga UT pret miratimin nga ekspertët e shëndetësisë, studentët: Bojkot, nëse ka përgjigje negative

29 Janar 2021, 15:59| Përditesimi: 29 Janar 2021, 16:05

  • Share

Me afrimin e sezonit të  provimeve studentët po presin përgjigjete Komitetit Teknik të Ekspertëve, nëse do rikthehen në auditore apo jo.

“Janë zhvilluar diskutime dhe me Profesoreshë Rakacollin e cila dhe dje na telefonoi dhe nga diskutimet që patëm situata është e tillë, që Komiteti i Ekspertëve është organi përgjegjës që merr vendime por vendos mbi bazën e një propozimi nga ministria e arsimit, pra po presim që ministria të cojë propozimin te Komiteti i Ekspertëve dhe të thotë që auditoret kanë kapacitete për të zhvilluar seminaret, praktikat dhe laboratoret nëpër auditore”-tha Agred Tafaj.

Një rregullore për provimet online është hartuar paraprakisht dhe është shpërndarë mes pedagogëve të Universitetit të Tiranës. Ajo nuk është miratuar, por është një opsion nëse auditoret nuk hapen.

Në të thuhet se për cdo provim do të ketë dy data të njëpasnjëshme për ti krijuar mundësi studentëve që mund të kenë probleme me internetin.

Provimet që do zhvillohen me gojë online do të regjistrohen dhe do të zgjasin nga 10-15 minuta. Koha në dispozicion për testin online me shkrim do të jetë 1-2 orë, ndërsa për provimin e kryer nga shtëpia 2-3 orë.

Për provimin e diplomimit në sezonin e dimrit programi do ti jetë në dispozicion të studentëve 10 ditë para përfundimit të mësimit online.

Pedagogu do të kërkoj një kartën e identitit të studentit nëpërmjet emailit dy ditë para provimit dhe i kërkon që ta paraqesë në momentin e zhvillimit të provimit online.

Studentët nuk do të bejn regjistrim individual për provim.

Gjithashtu në këtë rregullore thuhet se studenti duhet të marrë masa që të qendrojë vetëm në dhomë gjatë kryerjes së provimit.

Por çfarë mendojnë studentët për këtë rregullore?

“Zhvillimi i provimeve online është tepër problematik pasi sic shohim jo të gjitha universitetet kanë mundësinë e zhvillimeve të provimeve online. Universitetet që kërkojnë skicime, planimetri etj , si mund ti zhvillojnë këto provime? Kishte dal dhe një rregullore me sa pash që ende nuk është miratuar, ku thuhej që do zhvillohen provimet online. Këto më shumë më duken si manovra politike për të matur dhe testuar pulsin e studentëve dhe për të parë si do veprojmë”-u shpreh Tafaj.

Ka nga ata që sugjerojnë që provimet të bëhen si sezonin e shkuar, me përgjysmim të numrit të tyre në auditore. Nëse do të kenë një përgjigje negative nga Komiteti, si hap të ardhshëm shohin bojkotimin e mësimit online.

“Dua t’ju bëj me dije se situata mes studentëve po vlon dhe janë hapur diskutime për të bojkotuar mësimin online, për të bojkotuar provimet, për të zhvilluar protesta, pra situata cdo ditë e më shumë po nxehet”-tregoi Agred Tafaj.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?