Prrenjas-Kryeplaku i fshatit Katjel, Enver Muça, në njësinë administrative Rrjacë është kallëzuar në polici pasi një familje nga komuniteti egjiptian nuk iu lejua që të kryenin varrimin e të afëmes së tyre 63-vjeç.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi gjatë kësaj jave në Katjel, ku për dy ditë me radhë familjarëve të së ndjerës Sofie Doda, nuk iu lejua të kryenin varrimin e saj, për shkak të një vendimi të pleqësisë dhe një pjese të komunitetit që e konsideronin familjen e të ndjerës “jo autoktone”.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në radhët e vetë komunitetit, të cilët kërkojnë ndalimin e praktikave diskriminuese dhe garantimin e barazisë për të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes.
Pas kësaj situate Organizata “Drejtësi Sociale”, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, avokat Gentian Serjani ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kundër kryeplakut.
Ai akuzohet për diskriminim dhe shkelje të të drejtave të barabarta, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ngjarja ka sjellë në vëmendje nevojën për të adresuar trajtimin e pakicave në zonat rurale dhe respektimin e të drejtave bazë për çdo qytetar, pavarësisht prejardhjes etnike apo statusit shoqëror.
Komente
