Pr/rregullorja e BSH: S’ka më kredi në pak minuta e pa analizë financiare! Qytetari s'mund të ketë më shumë se 2 kredi konsumatore

24 Shtator, 17:03| Përditesimi: 24 Shtator, 17:40

  • Share

Tirane- Nuk ka më kredi në pak minuta nga institucionet financiare jo-banka. Kushtet e reja të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë, detyrojnë kompanitë e mikrokredive që të bëjnë analiza të detajuara të gjendjes financiare të qytetarit që aplikon. Ato nuk mund të japin kredi në një fashë të caktuar ore dhe masat shkojnë deri tek kufizimi i numrit të kredive konsumatore që mund të ketë një individ.

Një qytetar nuk mund të ketë më shumë se 2 kredi konsumatore në të njëjtin institucion jo-bankë në të njëjtën kohë. “Subjekti nuk ekspozohet në më shumë se 2 kredi konsumatore ndaj të njëjtit kredimarrës, në të njëjtën kohë”, thuhet në projekt-rregullore.

Ky ndalim vjen për shkak se skandali me ‘MCA’ e ‘Final’ nxori në pah gjendjen e rënduar edhe me shumë tek ata klientë që kishin disa kredi për të paguar.

Në projekt-rregulloren që është shpërndarë për konsultim me grupet e interesit, thuhet se nuk do të jepen kredi nën moshën 18 vjeç, dhe s’do aprovohet asnjë hua nga ora 22.00 deri në 7 të mëngjesit.

Po ashtu institucionet jo banka nuk do të lidhin kontrata kredie me persona me aftësi të kufizuara, ose me individë që marrin vendime nën asistencën e një personi tjetër. Si dhe do të ketë një regjistër me ata që do mund të marrin kredi.

Po në këtë draft thuhet se këto institucione përpara se të miratojnë dhënien e kredisë konsumatore, duhet të bëjnë një analizë të detajuar të gjendjes financiare të personit, duhet të mbledhin informacione që mund të ndikojnë aftësinë paguese të kredimarrësit, si të ardhurat, historiku i pagesave, apo të gjitha detyrimet e tjera financiare.

“Subjekti vlerëson aftësinë aktuale dhe të ardhshme të kredimarrësit për të përmbushur detyrimet sipas kontratës së kredisë, duke konsideruar specifikat e saj (kredisë), të tilla si: llojin e kredisë, afatin e maturimit dhe normën e interesit. Në këtë vlerësim, subjekti merr në konsideratë edhe rritjen e normave të interesit në rastin e kontratave me norma të ndryshueshme, luhatjet e pafavorshme të kursit të këmbimit, etj”, thuhet në dokument. 

Të gjitha këto ndryshime po ndërmerren pas skandalit me mikrokreditë ku qindra qytetar u mashtruan, ju rritën detyrimet në shkelje nga MCA e Final dhe humbën pronat e tyre.

Kliko këtu per të parë dokumentin e plotë

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?