Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian do të drejtohet nga mazhoranca, teksa legjislaturën e kaluar drejtohej nga Jorida Tabaku e opozitës.
Tashmë Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian do ta drejtojë Igli Hasani, ish-ministri i Jashtëm.
Drejtimi i këtij këshilli bëhet nga kryetari i komisionit parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, që në këtë legjislaturë i është besuar Igli Hasanit.
Për këtë arsye, ai do të drejtojë edhe KKIE, njësoj siç ndodhte legjislaturën e kaluar nga Jorida Tabaku që drejtonte Komisionin e Integrimit.
Ndërkohë që nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian i takon opozitës, me konfigurimin e ri.
Për shkak të shtimit të numrit të komisioneve, edhe në këtë Këshill ndryshon balanca e përfaqësimit mes PD dhe PS, e cila sipas dokumentit që Report Tv disponon, ka 29 anëtarë më përbërjen e re, përkundrejt vetëm 8 anëtarëve të opozitës.
Këshilli Kombëtar i Integrimit evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, që ngrihet pranë Kuvendit, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.
Këshilli Kombëtar i Integrimit drejtohet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit. Zëvendëskryetar është kryesuesi i delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin.
Këshilli Kombëtar i Integrimit evropian përbëhet nga kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare; përfaqësues të grupeve parlamentare të Kuvendit; kryesuesi i delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin; ministri përgjegjës për integrimin; përfaqësues nga Kabineti i Presidentit; përfaqësues nga Kabineti i Kryeministrit; përfaqësues nga Ministria e Jashtme; Prokurori i Përgjithshëm; Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë; Avokati i Popullit; tre përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, të përfshira në çështje të integrimit evropian
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
