PS propozon ndryshime në ligjin për Komisionet Hetimore! Felaj: Ka mangësi! Ftuam opozitën, por ra në vesh të shurdhër! Report Tv siguron projektligjin

30 Nëntor 2023, 13:06| Përditesimi: 1 Dhjetor 2023, 00:03

  • Share

Teksa opozita vijon protestën në Kuvendin e Shqipërisë për ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj, socialistët kanë gati ndryshimet në ligj që ridimensionon ngritjen dhe funksionimin e tyre.

Sipas draftit, që PS e dorëzoi sot në Kuvend, ligji i ri do të qartësojë kornizat se kur mund të ngrihen komisionet hetimore, dhe me cilin objekt, nisur nga fakti që pikërisht objekti i gjerë ka qenë argumenti kryesor që kanë rrëzuar kërkesat e opozitës.

Citim Projektligji:

Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit Hetimor  kur objekti I hetimit respekton parimet dhe standardet kushtetuese:

1-Çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit

2-Objekti I hetimit duhet të fokusohet në  çështje ose subjekte konkrete

3-Duhet të ekzistojnë të dhëna apo indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes.

“Komisionet Hetimore ngrihen për të hetuar një çështje të veçantë” citohet në projekt-ligj, sipas të cilit çështje të veçanta janë vetëm ato që lidhen me aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjit dhe që nxisin rregullimin e tij.

“Komisionet Hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit e të lidhura mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit

“Komisionet hetimore funksionojnë sipas parimit të ndarjes së pushteteve, parimit të prezumimit të pafajësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor, i paanësisë dhe respektimit të shtetit të së drejtës” thuhet në nenin 4 të projektligjit”.

Sipas Ermonela Felajt, që prezantoi nismën në emër të PS, pikërisht këto nene qartësojnë se komisionet hetimore nuk I mbivendosen drejtësisë.

‘Gjatë ditës së sotme në emër të grupit të PS kam depozituar në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime për funksionimin e Komisioneve Hetimore. Ky është produkt i një pune disa mujore, që në krye të herës është folur nga të gjithë anëtaret e Kuvendit, përfaqësues të opozitës apo mazhorancës. Nga të dy përfaqësuesit qoftë të mazhorancës qoftë të pakicës në përfundimet e raporteve për komisionin hetimor të inceneratorëve përfaqësuesit kanë kërkuar rishikmim të ligjit. I bëmë thirrje opozitës për rishikimin e ligjit për komisionet hetimore, por thirrja jonë ra në vesh të shurdhet sepse opozita ka mbetur të ai produkti i një anshëm pune. Jemi kujdesur që të analizojmë të gjitha praktika më të mira ligjore, të vendeve të rajonit dhe BE-së dhe jo vetëm sa i takon komisioneve hetimore. Ligji për komisionet hetimore është marrë për model ligji gjerman. Ligji gjerman nuk është marrë i plotë. Ka pasur mangësi të dukshme.’- tha Felaj.

Drafti parashikon dhe raste kur komisionet mund të mbahen me dyer të mbyllura dhe propozimi me vjen 2 variante

"Mbledhjet e komisionit si rregull janë të hapura, por ka dhe rastet kur me vendim të ndërmjetëm përjashton publikun në rastet kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror apo informacion të klasifikuar si sekret apo kur publiciteti mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit

Varianti i dytë ka të bëjë me rastin kur publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit nëse një gjë e tillë kërkojet nga organi kompetent."

E pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e opozitës, Felaj tha se ka kërkuar që të jenë anëtarët e opozitës, por askush nuk ka dashur që të ulet në tryezë. Deputetja e PS-së nënvizoi se nuk është një e drejtë e opozitës, por e pakicave parlamentare.

'Është njohur e drejta e ngritjes së Komisioneve Hetimore si e drejtë e opozitës, por nuk është një e drejtë e pakufizuar. ¼ e deputetëve të Kuvendit kanë të drejtë të propozojnë ngritjen e një komisioni hetimor. Ligji i vitit 2002 ka qenë ligji që ka detajuar këtë kërkesë për të drejtat e pakicës. Kam kërkuar që anëtarët e opozitës të mund të përfaqësoheshin në komisionin Ad-hock. Unë i kam ndjekur me vëmendje edhe qëndrimet e anëtarëve të opozitës dhe nuk më rezulton që dikush aty të ketë dashur që të ulemi në një tryezë punë dhe të punojmë me një tryezë të përbashkët. Koha nuk pret. Këtë duhet ta diskutojmë me të trija nisma, një e Tabakut dhe ajo e Spahos. Puna e komisioneve hetimore ka dalë jashtë kornizave të Kushtetutës së Shqipëri. Ne duam të bëjmë një ndarje të qartë që mos të zëvendësojmë punën e prokurorisë dhe të Gjykatës.’- tha Felaj.

Fton opozitën për diskutim, duke shprehur gatishmërinë për t’u ulur me çdo faktor, veç Sali Berishës non grata.

Me ‘non gratën’ nuk do të takohemi. Kushdo nga opozita që dëshiron të vij në mbledhjet e komisioneve ne do të ulemi dhe do të diskutojmë. Jemi të detyruar që ta trajtojmë së bashku me dy nismat e tjera e Tabakut dhe e Spahos.’- tha Felaj.

Për këtë legjislaturë, janë në total 8 komisione hetimore të rrëzuara nga ana e socialistëve me argumentin se ligji kërkon ndryshime, veçanërisht në objektin e hetimit të komisionit, por edhe thirrjen e dëshmitarëve, që sipas draftit, nëse çështja është në hetim, duhet të merret leje në prokurori.

Ora 15:50
Propozimi i PS për komisionet hetimore, reagon Tabaku: ‘Fantashkencë’! Me këtë gjuhë dëshmojnë tmerrin e tyre

1699870710_tabaku.jpg

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për propozimin e PS mbi formimin e komisioneve hetimore të Kuvendit. Në reagimin e bërë në facebook, Tabaku e cilëson si “fantashkencë” projektligjin e propozuar nga PS që sipas saj vetëm do ngrejë komision hetimor që do të kontrollojë komisionet hetimore të ngritura.

Komisionet hetimore janë një e drejtë kushtetuese që i garantohet opozitës së çdo kohe. Në një shtet të së drejtës hierarkia është e tillë që kushtetuta prevalon mbi ligjet. Prandaj më duket një fantashkencë dëshira e mazhorancës që me propozimet duket se do të ngrejë një komision hetimor që do të kontrollojë komisionet hetimore.

“Frika që u ndjellin Komisionet Hetimore i ka detyruar të rrëshkasin në komedinë “Ne” do të vendosim, “ne” do t’i njohim, “ne” jemi të gjithëditurit! Me këtë gjuhë nuk bëjnë vetëm se dëshmojnë tmerrin e tyre që nuk ka lidhje aspak me deputetët si prokurorë pasi historia e komisioneve hetimore flet vetë për rezultatin e tyre.

 Shqiptarët duhet të dinë që prej një viti në sirtarët e kuvendit fle propozimi i bërë në emër të Partisë Demokratike për reformimin e Ligjit të Komisioneve Hetimore. Ndryshime që i propozova duke pasur mbi supe eksperiencën e një komisioni hetimor dhe të një ligji që ishte po aq pengues sa përpjekja aktuale.

 Alibia e mëtejshme se në Komisione Hetimore kanë dëshmuar persona nën hetim është minimalisht e pasaktë historikisht dhe mbase një mashtrim publik. Po, ka rezultuar që persona të thërritur për dëshmi kanë pohuar se janë nën hetim dhe seanca është anulluar. Natyrisht që kanë rezultuar që dëshmitarë, si tek inceneratorët, janë thërritur më pas nga SPAK dhe janë vendosur nën hetim mbas punës tê komisionit hetimor, siç ka ndodhur që raportet e minorancës të jenë pjesë e provave të SPAK dhe kjo mund të ndodhë sërisht”- shkruan deputetja.

Ajo tha se propozimet e qeverisë duhet të miratohen në dakordësi të plotë me opozitën pasi komisionet hetimore kanë qëllim kontrollin dhe balancën në një shtet.

“Por, qëllimi i ndryshimeve ligjore në fakt lidhet me funksionimin normal të Komisioneve Hetimore. Bashkë me znj Felaj kemi dëshmuar që përtej mosdakordësive tona të drejtojmë një komision që stekën e ka ngritur lartë. Ndaj propozimet tona politike për ndryshimet ligjore duhet të miratohen në dakordësi absolute, sepse sado “pushtete” ka qeveria ky ligj duhet patjetër të ketë dakordësinë e opozitës.

 Qëllimi i ligjeve nuk është të shpëtojnë as mazhorancën nga frika dhe as opozitën nga sikleti. Ato kanë qëllim që të ofrojnë një shtet që ka për bazë kontrollin dhe balancën. Prandaj është mëse e domosdoshme që të kemi një dakordësi për këto propozime. Komisionet Hetimore janë një armë që opozita ka në dorë për ta ushtruar, nëse mazhornca është e bindur që nuk kanë asnjë efekt le të miratojnë dhe t’ia lëmë publikut të gjykojë efektin e tyre. Mbase mazhoranca ka të drejtë! Mbase opozita ka më shumë të drejtë! Ligji duhet zbatuar”- përfundon Tabaku në reagimin e bërë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Linda: 01/12/2023 06:54

    Partia demokratike arriti te behet copa copa nga pabesia dhe pa fytyresia e disa anetareve te vet dhe fafjeqsia me e madhe eshte se nje nga anetraet me kete lloj karakteri e kemi kryetare te integrimit qe kerkon me ngulm berja copa copa te dali dhe jasht Shqiperis! Si guxon Tabaku te flasi akoma me gjuhen e dhunes kush e lejon kete si kryetare e integrimit te flasi me gjuhen e kriminel Berishes? Familja Berisha dhe kjo bashk qe kane grabitur pasurit shqiptare jane sot te trenburit e politikes jo qeveria aktuale qe po punon nate e dite per kete vend! Skane as turp as dinjitet as cip as karakter nuk meritojn as miremengjesin e popullit! Detyrimi juaj eshte pa e zgjedhur fare te respektoni popullin qeverin parlamentin dhe te debatoni si politikan me vlera jo te ironizoni dhe te talleni gjithe diten neper mediat e shitura tek Berisha!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?