PS sërish ftesë: Lufta ndaj korrupsionit duhet bërë bashkë! Opozita: Jo me ata që keqqeverisën 11 vite

3 Qershor, 17:26| Përditesimi: 3 Qershor, 17:34

  • Share

Pavarësisht se opozita nuk bashkoi votën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm anti-korrupsion, socialistët ende shpresojnë në pjesëmarrjen e tyre.  Nga Këshilli Kombëtar i Integrimit deputetët socialistë i shtrinë dorën e bashkëpunimit, duke i ftuar t’i bashkohen në atë, që e quajnë luftë të përbashkët kundër korrupsionit.

 “Kemi ndërtuar një komision të posaçëm për mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, që ju (opozita) keni shumë për të ofruar në këtë betejë frontale”, tha Toni Gogu.

“Nuk kemi thënë ndonjëherë që jemi imunë ndaj korrupsionit, por vlerësohen përpjekjet për të luftuar korrupsionin, është një luftë që nuk bëhet me shkopin magjik, por përfshirje të të gjithë aktorëve. Uroj që roli i Kuvendit në vijim të përpjekjes së fundit e reformës në drejtësi, të merret në konsideratë e të shtyjë përpara përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit. Uroj të kemi opozitën së bashku me maxhorancën e me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për këtë luftë që është e përbashkët” u shpreh Klotilda Bushka e PS.

Por demokratët shprehen të bindur, se nuk luftohet korrupsioni me një qeveri sipas tyre të korruptuar. Dhurata Çupi tha se nismat e ashtuquajtura kundër korrupsionit të një mazhorance pas 11 vitesh në pushtet janë qesharake.

“Dy janë problemet për Shqipërinë, nga vendet post-komuniste jemi vendi më i korruptuar dhe jemi për lirinë e medias, vendi i fundit. Ajo çfarë konstatohet është korrupsioni te prokurimet publike, tenderët, ligjet klienteliste. Janë në rritje 11 vitet e fundit. Të vini në 2024 dhe të thoni po marrim masa parandaluese, është qesharake, ironike dhe tallëse. Kam edhe një kërkesë tjetër, do doja që të kishim një takim me të gjitha organizatat e medias, të vijnë dhe të raportojnë në një seancë të posaçme për lirinë e medias. Nga ana tjetër qeveria ‘ka kryer punë’ me luftën ndaj korrupsionit, s’mund ta bëni ju korrupsionin dhe s’mund ta luftoni ju si qeveri korrupsionin. Dëmin e keni bërë këto 11 vite”, tha Dhurata Çupi.

Në Këshillin e Integrimit, teksa raportoi për strategjinë kombëtare të luftës korrupsionit, ministrja e Shtetit Adea Pirdeni, tha se një nga masat që po merret, është rregullimi i procedurave të tenderimit për të shmangur abuzimin dhe proceset korruptive

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?