Kryetari i partisë 'Lëvizja për Zhvillim Kombëtar', Dashamir Shehi, ka shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar në Kuvend, pas përplasjeve të deputetëve opozitarë me Gardën e Republikës dhe efektivët e Policisë.
Përmes një deklarate për mediat, Shehi tha se nuk mund të jenë funksionale seancat parlamentare ku mazhoranca ka përjashtuar gjysmën e deputetëve të opozitës.
"Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, shpreh shqetësimin e saj për situatën në përkeqësim në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk mund të jenë funksionale seancat parlamentare ku mazhoranca ka perjashtuar gjysmen e deputetëve të opozites", tha Shehi.
Ai shtoi gjithashtu se opozita ka të drejtën e saj legjitime që të reagojë me të gjitha mënyrat që ja lejon demokracia dhe ligji, për të kthyer normalitetin në Parlament.
"Kjo është e papranueshme në një vend demokratik dhe opozita ka të drejten e saj legjitime të reagoj edhe ashpër, me të gjitha mënyrat që ja lejon demokracia dhe ligji", shtoi më tej kreu i LZHK.
Në përfundim Shehi i bëri thirrje mazhorancës që të mos dënojë e provokojë opozitën.
"Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, i kërkon mazhorancës që të mos dënojë e provokojë opozitën por të rikthej sa më shpejt normalitetin në Kuvendin e Shqipërisë.
A mund të kemi demokraci pa parlamentarizem?", përfundoi Shehi.