Ndonëse Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, kandidatja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, ka vijuar turin e takimeve me komunitetet e kryeqytetit, duke u ndalur këtë herë në Selitë dhe Farkë.
Gjatë bisedave me banorët, ajo nënvizoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe transport, si pjesë e një plani të qartë për t’i dhënë një hov të ri kurorës së gjelbër të Tiranës dhe për të lidhur më mirë periferinë me qytetin.
“Kemi një plan konkret për zhvillimin e infrastrukturës dhe transportit në zonat përreth Tiranës, për t’i dhënë një hov të ri agroturizmit në kurorën e gjelbër të kryeqytetit.”, tha Manastirliu.
Takimet me banorët e Selitës dhe Farkës janë pjesë e një kalendari më të gjerë dëgjimi, ku Manastirliu synon të përfshijë çdo komunitet në vizionin e saj për Tiranën.
“Tirana është një skuadër e madhe që punon çdo ditë për zhvillimin e saj me njerëzit e saj dhe qytetarët e Tiranës janë skuadra më e fortë. Momenti është që unë të dëgjoj, të kuptoj edhe më shumë dhe më pas të bëjmë një plan së bashku, për të adresuar të gjitha ato shqetësime dhe sfida të përbashkëta që kemi për qytetin, për Tiranën tonë, për të përmirësuar jetën e banorëve tanë”, u shpreh Manastirliu.
Komente
