Ultimatumi nuk mund të ishte më i qartë. Trump u tha liderëve të Iranit: nëse nuk hiqni dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit, nëse nuk dorëzoheni pa kushte, “diçka do të ndodhë”. Nuk është një negociatë, nuk është çështje kompromisi. Është kërkesë për dorëzim pa kushte.
Vetëm disa ditë më parë, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit, Trump kishte zgjedhur një rrugë të mesme: dha mbështetje të paqartë përmes inteligjencës amerikane për sulmet izraelite, të cilat i cilësoi si “të njëanshme” dhe natyrisht premtoi mbështetje mbrojtëse për aleatin, por njëkohësisht theksoi se lufta do të shërbente si levë presioni për ta detyruar Teheranin të pranonte një marrëveshje.
Por tashmë ka ardhur momenti kur, nëse kjo taktikë kërcënimi dështon, Trump duhet të vendosë nëse kjo është lufta e Izraelit apo edhe e Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, bota dje priste me frymë të ndalur rezultatin e takimit të tij në "Dhomën e Situatave", për të kuptuar nëse ai është gati të ndihmojë izraelitët për të shkatërruar uzinën bërthamore iraniane në Fordow.
Takimi u parapri nga një ndryshim në retorikën e Trump në orët e fundit: jo vetëm mesazhi shqetësues në rrjete sociale “evakuoni Teheranin” pak para se të largohej para kohe nga samiti i G7-ës, por mbi të gjitha përdorimi i përemrit “ne” kur përmendi ndryshimin e regjimit, kur shkroi “ne kemi kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore të Teheranit” dhe “dimë saktësisht ku fshihet e ashtuquajtura Udhëheqje Supreme. Është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje; nuk do ta heqim qafe (as do ta vrasim!) të paktën për momentin”.
Edhe ndërhyrja e nënpresidentit JD Vance në rrjete sociale është domethënëse: ai u përpoq t’i shpjegonte elektoratit të linjës MAGA (Make America Great Again) një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane, duke thënë se “sigurisht që njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për një përfshirje të re jashtë vendit pas 25 vitesh politike të jashtme idiote”, por “presidenti ka bërë gjithçka për t’i mbajtur forcat ushtarake të përqendruara në mbrojtjen e ushtarëve dhe qytetarëve tanë”. Tani, megjithatë, “mund të vendosë nëse janë të nevojshme veprime të mëtejshme për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit”.
Fronti i mbështetësve të MAGA-s, “kori” trumpian me komentatorin Tucker Carlson në krye, po përpiqet të ndalë atë që ata e shohin si një rrëshqitje të pashmangshme drejt një prej atyre “luftërave të përjetshme” që lideri i tyre i ka dënuar gjithmonë. Nga ana tjetër, Trump qortonte Carlson në rrjetet sociale dhe rishpërndante një mesazh të ambasadorit të tij në Izrael, pastorit Mike Huckabee, i cili i shkruante se Zoti e kishte shpëtuar gjatë atentatit në Butler për ta bërë “presidentin më të rëndësishëm të historisë që nga koha e Truman-it në 1945”: ai që hodhi bombën atomike mbi Japoninë. Netanyahu e ka bindur Trump-in se iranianët janë tashmë pranë një arme bërthamore.
Dy liderët kanë mospajtime, nuk mungojnë dyshimet reciproke, por kanë një gjë të përbashkët: bindjen se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe se për Izraelin përbën një kërcënim ekzistencial. Para se të niste sulmet ndaj Iranit, Izraeli i kishte dhënë Shteteve të Bashkuara informacione alarmante të inteligjencës, sipas të cilave Teherani po kryente kërkime të reja të dobishme për krijimin e një arme bërthamore – edhe pse disa zyrtarë amerikanë, megjithëse të bindur se Irani ka bërë përparime të mëdha në programin e tij atomik, ishin skeptikë se kishte marrë vërtet vendimin për të ndërtuar një bombë. Dje, Shtëpia e Bardhë u shpërndante gazetarëve një listë me 15 raste kur Trump kishte deklaruar që nga fillimi i mandatit të tij se Irani nuk duhet të ketë kurrë një bombë; ndërsa zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, deklaroi se që nga viti 2011, këto deklarata kishin qenë gjithsej 40.
Amerikanët e dinin prej kohësh që Netanyahu po përgatitej për të sulmuar. Më 8 qershor, në Camp David, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, i tha presidentit se Izraeli do të godiste me apo pa mbështetjen e SHBA-ve. Më 9 qershor, Trump foli në telefon me Netanyahun dhe kuptoi se nuk do të mund ta ndalonte. Kryeministri izraelit i zbuloi se kishte forca edhe brenda territorit iranian: kjo e la Trump-in të impresionuar, siç mbeti edhe nga suksesi i operacionit izraelit, një sukses që dëshiron ta prezantojë edhe si meritë të vetën. “Besoj se do ta ndihmojmë”, thuhet se u tha ai këshilltarëve të tij atë ditë. Për më tepër, Trump po humbiste durimin me negociatat me Iranin: nuk po shkonin në drejtimin që ai dëshironte./Corriere della Sera
Komente

Trump duket si aeroplan pa bisht, vec ben si i forti i lagjes duke u fryre e bere gam gam, nderkohe te fortet e vertete te heqin qafe pa shume paralajmerime.
Përgjigju