Aulon Kalaja protestoi me disa parrulla tek dera e KQZ. Arsyeja ka lidhje me kutitë e qarkut Durrës. KAS me votë unanime vendosi hapjen e të gjitha kutive ku Aulon Kalaja kishte bërë këqyrjet e veta dhe tek të cilat paraqiti parregullsitë e konstatuara prej tij. Sipas Kodit i takon subjektit që të kërkojë, marrë dhe këqyrë pamjet filmike dhe aty ku konstaton parregullsi, paraqet ankesë në KAS.
Kodi funksionoi dhe KAS pranoi kërkesën e Zotit Kalaja sa kohë ajo ishte mbështetur nga Kodi Zgjedhor. KQZ në javën e kaluar ka hapur dhe rinumëruar të gjitha kutitë tek të cilat Zoti Kalaja kishte konstatuar parregullsi. Ndaj kjo protesta sot për pretendimet se KQZ nuk i hapi të gjitha kutitë duket më shumë si nevojë për PR sesa për drejtësi.
Zoti Kalaja akoma sot nuk ka depozituar ndonjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me pretendimet e tija për leximin e gabuar të Kodit nga KQZ, që nuk i njohu atij si kandidat të drejtën e subjektit ankues. Pasi humbi në Kolegjin Zgjedhor, ku u la në fuqi vendimi i KAS, Zoti Kalaja kishte të drejtën e ankimimit në Gjykatë Kushtetuese meqë edhe pretendimet e tija kishin lidhje me të drejta kushtetuese sipas tij të mohuara. Por kandidati Kalaja e la në mes betejën. Me sa duket u lodh me ankimimet. Siç u lodh dhe la përgjysëm këqyrjen e gjithë pamjeve filmike dhe çoi në KQZ vetëm aq sa gjeti për 60 kuti. Aq kohë dhe durim kishte! Pra kur lexoi dhe ndoqi kërkesat e Kodit, ankimimi i tij u pranua. Por pretendimi i tij nuk mbështetet në Kod por në arsyetime apo pretendime pa fakte dhe prova, të cilat nëse KQZ do u vinte pas do duhej të rinumëronte gjithë Shqipërinë. Meqë kandidatët, si rregull, nuk kanë kohë të këqyrin vetë pamjet, të bëjë KQZ punën e tyre.
Nga ana tjetër, Zoti Kalaja harron se hapja e kutive të plota në qarqet Fier dhe Tiranë u bë me kërkesën e 2 anëtarëve të KAS, përfaqësues të Partisë Demokratike. Tek kërkesa e 2 anëtarëve të KAS për rinumërimin në Tiranë dhe Fier u ndoq pikërisht “metoda” që pretendon Kalaja se duhet ndjekur edhe për qarkun Durrës. Pavarësisht se sa abuzive ishin edhe ato kërkesa dhe sesi dy anëtarët u përdorën një herë nga partia e një herë nga shoqëria, Zoti Kalaja nëse ka ndonjë protestë atë duhet ta bëjë tek selia e PD. Në atë seli, pretendimet e Alimehmetit u përqafuan, kurse këto të Kalasë u shkelmuan.
Kështu Zoti Kalaja mund të hyjë edhe në histori e nuk rrezikon të përdoret në raportet e brendshme në PD. Ku tashmë gara e vetme duket të jetë ajo se kush e ngre më shumë zërin për faktin ae Berisha nuk duhet të largohet nga drejtimi partisë. Dhe një pankartë e tillë i mungonte Aulon Kalasë sot në protestën para KQZ. Epo ka kohë boll deri në shtator…/VNA
Komente
