Akuzat e socialistëve se sulmi ndaj qendrës shëndetësore në Elbasan ka pasur motivim politik, demokratët e quajnë një lojë politike me jetën e shqiptarëve. Nga selia blu është numri 2 i PD-së, Gazment Bardhi i cili i ka kthyer përgjigje Taulant Ballës.
Sipas Bardhit, sulmi i qendrës shëndetësore është një histori e rremë për të hequr vëmendjen nga problemi i vërtetë siç ai e quan, që është fshehja e viktimave të COVID-19 nga qeveria. Ai i ka ribërë thirrje Prokurorisë që të nis hetimet.
"Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballën për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një përgjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia. Edi Rama vetëm po përpiqet të largojë vëmendjen e qytetarëve nga vonesa e pajustifikuar në zbardhjen e së vërtetës. Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga covid19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbësore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës", shkruan Bardhi.
Qendra Shëndetësore në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan ra sot pre e sulmit vandal ku një person ka qëlluar me gurë duke i thyer disa nga xhamat e dritareve të saj. Lidhur me këtë reagoi numri 2 i PS-së, Taulant Balla i cili i cili i ka cilësuar këto sulme si të frymëzuar nga nxitjet dashakeqe të politikës kundër bluzave të bardha.
Lajmi kryesor:
Sulm me gurë qendrës shëndetësore në Elbasan, ndalohet autori! Balla: Motivim i pastër politik e nxitur nga gjuha e urrejtjes ndaj bluzave të bardha! Bardhi: Lojë politike me histori të rremë
B.K.//ReportTv.al