Foto ilustruese

Pse dolëm nga Lista Gri e pastrimit të parave?

30 Tetor 2023, 09:30| Përditesimi: 30 Tetor 2023, 09:41

  • Share

Më 27 tetor 2023, Task Forca për Veprimin Financiar(FATF), një strukturë e pavarur brenda sistemit të OECD-së, me qendër në Paris, vendosi në Mbledhjen e saj Plenare që të nxjerrë Shqipërinë nga Lista Gri e pastrimit të parave.

Çfarë është FATF?

FATF përbëhet nga 39 vende anëtare, ministrat e financave të të cilave marrin pjesë në Mbledhjen Plenare, si dhe nëndë organizata ndërkombëtare. Task Forca për Veprimin Financiar hulumton se si pastrohen paratë dhe financohet terrorizmi, promovon standardet globale për të zbutur rreziqet dhe vlerëson nëse të 200 vendet që kanë pranuar monitorimin e saj po ndërmarrin veprime efektive.

Më shumë se 200 vende dhe juridiksione në botë janë zotuar të zbatojnë standardet e FATF-së, si pjesë e një reagimi të koordinuar global për parandalimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Vendet dhe juridiksionet vlerësohen me ndihmën e nëntë organizatave anëtare të asociuara të FATF-së dhe partnerëve të tjerë globalë, FMN-së dhe Bankës Botërore.

Pse na hoqën nga Lista Gri?

Vendimi i 27 tetorit i FATF për Shqipërinë vjen si pasojë e përparimit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve të kësaj strukture.

Shqipëria ka zbatuar vitet e fundit hap pas hapi rekomandimet e dala nga monitorimi i Task Forcës për Veprimin Financiar. Më 15 korrik 2020, ka realizuar Memorandumin e Bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, për rritjen e efektivitetit në hetimet që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, krimet financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale.

Memorandumin e nënshkruan edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit Pastrimit të Parave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Me këtë memorandum, të gjitha palët rritën dhe forcuan bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe kapacitetet institucionale dhe profesionale për të përmbushur rekomandimet e Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe Planit të Veprimit të Task Forcës për Veprimin Financiar, në afatet e përcaktuara nga secili institucion përgjegjës.

Palët nënshkruese arritën të ndërmarrin në kohë masat e nevojshme mbikëqyrëse, monitoruese dhe koordinuese, sipas kompetencave ligjore, duke kryer analiza të përbashkëta dhe duke shkëmbyer informacione midis njeri-tjetrit, me qëllim evidentimin e saktë dhe të plotë të shkeljeve që përbëjnë vepër penale në fushat e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe kryerjen e hetimeve pasurore për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

Dy ligjet-themel të daljes nga Lista Gri

Si rezultat, po në vitin 2020, qeveria miratoi në Kuvend Ligjin për Rregjistrin e Pronarëve Përfitues.

Ky ligj u siguron strukturave të shtetit tonë informacion të plotë për pronarët e të gjitha strukturave të biznesit në Shqipëri, duke përfshirë edhe organizatat jo fitim-prurëse. Ligji u përmirësua sërisht edhe gjatë vitit 2021, duke u mundësuar në kohë reale me dhjetëra mijëra bizneseve dhe OJF-ve të hedhin në Regjistrin elektronik të krijuar të dhënat e plota të pronarëve të tyre, brenda 30 ditëve kalendarike të rregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndryshimet mundësuan po ashtu kalimin automatik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte, duke ju referuar gjendjes se ortakërisë, të regjistruar në Regjistrin Tregtar. Kjo i mundëson çdo institucioni shtetëror tek ne që ndërmerr një hetim për një transaksion të dyshimtë, që të ketë në kohë reale të dhënat për pronarët përfitues të subjektit që ka kryer transaksionin. 

Një Ligj tjetër, zbatimi i të cilit në praktikë e bindi FATF që Shqipëria e ka seriozisht me luftën ndaj pastrimit të parave, ishte Ligji për Regjistrin e Llogarive Bankare, që daton po vitin 2020 dhe hyri në zbatim në vitin 2021.

Ligji themeloi Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare, si një bazë e të dhënave shtetërore, si dhe përcaktoi qartë detyrimin e institucioneve financiare bankare, për të raportuar të dhënat sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ai krijoi kushtet për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar, kryesisht bankave të nivelit të dytë në Rëpublikën e Shqipërisë, për pastrimin e parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe për parandalimin e financimit të terrorizmit.

Vendimi i Task Forcës për Veprimin Financiar për ta hequr Shqipërinë nga Lista Gri e pastrimit të parave ka një sërë ndikimesh pozitive për vendin tonë. Së pari, rritet imazhi i Shqipërisë si një vend i sigurtë për të investuar. Së dyti, me këtë vendim, lehtësohen kostot e transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Vendimi është një lajm inkurajues dhe motivues për të gjitha institucionet tona shtetërore, për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vijimësi, zotimet  e marra me partnerët ndërkombëtarë.   

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Foni: 01/11/2023 07:39

    O Loni a ka pare per fukarane, pa listat gri jeshile nuk na duhen

    Përgjigju
  • Loni: 30/10/2023 12:55

    Pra, ndaj qenka hequr nga "grija' se paskemi moratuar ca akte ligjore e nenligjore. E bukur kjo.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?