Opinion

Pse e burgosën piktorin Edison Gjergo?

25 Maj 2019, 07:32| Përditesimi: 25 Maj 2019, 07:34

  • Share

- Sot është Dita Ndërkombëtate e Artistit. Ku të shkon mendja?

  - Tek piktori Edison Gjergo?

  - Pse?

  - Ishte nga shpirtrat më të ndjerë të Artit Shqiptar. Piktor i talentuar... një tel kitare këputur nga rregjimi.

  Kur u mësua lajmi ishte mëngjes. Dënohej një piktor. Edison Gjergo. Bota artistike mbajti frymën një çast. Një pshehrëtimë frike u përhap ngadalë. Më pas u kthye në kërcënim.

  - Pse? Pse? Pse?

  - E kishte tepruar. Fliste shumë...

  - Si mund të dënohet një piktor se fliste shumë?!

  - Duhej të flisje atë që të mësonin. Pinte dhe... i hante goja...

  - Edhe?

  - Nuk ishte kjo kohë. Nuk lejohej...  të flisje... dmth të mos ishe në një mendje me pushtetin.

  - Nuk të kuptoj... nejse vazhdo.

  - Dikush tjetër tha:

  "Do të na marrë në qafë"!

  - Pse?

  - Dikush në baret e kryeqytetit la kafen e mëngjesit mbi tavolinë pa pirë. Nxitoi të shkonte në studio, në shtëpi të fshihte gjurmët si të ishin vepra krimi...

  - Çfarë gjurmësh?!

  - Ndonjë skicë, tablo në formë etydi, ndonjë vepër arti me ndikime nga arti modern, si psh nga impresionistët...

  - Impresionistët?!

  - Pse çuditesh! Atë botë nuk lejohej.

  - Idiotë ishin?!

  - Aspak. Siç thoshte një shkrimtar humorist, idiotë kemi sa të duash. Na mungojnë Dostojevskët.

  - Ha... ha... ha..  e bukur!

  - Atë botë nuk qeshje dot.

  - Duhej të fshije artin?

  - Të fshehësh artin është si të fshehësh fëmijën nga ata që duan të ta vrasin...

  - Kishte që e fshehën?

  - Jo.

  - Pse?

  - Diktatura ishte e rëndë...

  - Dhe?

  - Dhe çfarë?

  - Domethënë e hëngri...

  - Gjergo më pëlqen shumë. Kur shoh tablotë e tij sikur ndjen muzikë.

  - E vërtetë. Kur pikturonte studio e tij mbushej me muzikë. Dëgjonte Bethovenin, Moxartin... Bahun e pëlqente tmerrësisht.

  - Bahu është përtej së qenit magjik... ka një frymë që të fut në një tjetër botë.

  - Ndaj edhe Gjergo e pëlqente. E largonte nga bota ku jetonte. Ndihet kjo në tablonë "Epika e yjeve të mëngjesit"...

  - Sa titull poetik!

  - Mbas një nate të gjatë, kaluar bashkë me një poet, u gjet titulli. Nuk ka vepër të dytë në Shqipëri me titull më poetik e më të bukur. Është gur kilometrik, tablo sa poetike, aq edhe tragjike. Ndaj për të duhet një përshpirtje kujtimi dhe nderimi. Tabloja ishte njëherazi apogjeu i lavdisë dhe fillimi i rrokullimës dhe renia e thyerja fizike e morale në burgun e Spaçit.

  - Kam dëgjuar se në burg...

  - Hesht... hesht. Edisoni ishte artist dhe burgu nuk është për artistë.

  - Mbyllje tragjike e jetës...

  - Vite më vonë duke kujtuar piktorin rebel, një mik piktor më tha, "Edisoni ishte lokomotiva. Ne të tjerët ishim vagonët. Tani atë e arrestuan. Ne mbetëm pa lokomotivë, por vazhdojmë të ecim si vagonë, secili për hesap të vet..."

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?