Shpesh herë më pyesin, madje më kritikojnë, pse unë apo komuniteti LGBTI duhet të mbështesim çështjen e Palestinës, kur dihet që në vetë shoqërinë palestineze personat LGBTI janë të stigmatizuar dhe shpesh janë përballur me dhunë sistemike. Kjo pyetje në fakt fsheh një grackë që përpiqet të na izolojë dhe të na ndajë nga kauza universale për liri e dinjitet. Kur reduktojmë një njeri ose një komunitet në vetëm një përkatësi të vetme qoftë ajo kombëtare, fetare apo seksuale dhe e dehuamnizojmë atë, i hapim rrugën logjikës së dhunës. Pikërisht ky është mekanizmi që bën të duket sikur mbështetja jonë për Palestinën bie ndesh me mbrojtjen e vetes sonë. Në të vërtetë, është e kundërta.
Ne si persona LGBTI e kemi përjetuar mbi kurriz këtë logjikë të reduktimit dhe dehumanizimit: për ne nuk shihet njeriu i plotë me të gjitha shtresat e identitetit, por vetëm “lezbikja”, “gej”, “transi”, që paraqitet si kërcënim për rendin moral apo për familjen tradicionale. E njëjta gjë ndodh edhe me palestinezët, të cilëve u mohohet dimensioni njerëzor dhe jeta e përditshme, duke u reduktuar në “kërcënim” për sigurinë e dikujt tjetër. Kur mbështesim çështjen palestineze, nuk e bëjmë duke mbyllur sytë para homofobisë që ka ekzistuar në shoqërinë palestineze, por duke refuzuar që dhuna ndaj një populli të tërë të justifikohet dhe normalizohet. Sepse e dimë nga përvoja jonë se kur normalizohet dhuna ndaj një grupi, ajo kthehet më e fortë dhe më e legjitimuar ndaj kujtdo në shoqëri.
Solidariteti nuk është transaksion dhe as shpërblim me kushte; ai nuk jepet vetëm kur tjetri na pranon apo na do. Ne si persona LGBTI e kemi dëshmuar këtë herë pas here, përmes mbështetjes sonë ndaj shumë lëvizjeve sociale në Shqipëri; nga protestat e studentëve, protestat për dhunën ndaj vajzave dhe grave, teatrit, pensionistëve, naftëtarëve, punëtorëve etj. Shpesh kemi ecur krah për krah me njerëz që e dinim se mund të mos na pranonin, madje edhe mund të na kenë përçmuar e urryer. Por ne e kemi bërë, sepse besojmë se solidariteti është mbi të gjitha një akt politik dhe etik për të mos lejuar që logjika e shtypjes dhe përjashtimit të kthehet në normë.
Sot në Gaza apo Ramallah mund të ketë persona që nuk do të na pranonin neve si LGBTI, por unë nuk mund të hesht kur mbi ta hidhen bomba që fshijnë shtëpi, spitale dhe jetë të pafajshme. Unë nuk mund të pranoj që një popull i tërë të dehumanizohet, reduktohet në armik dhe të dënohet me vdekje kolektive. Ta bëja këtë do të thoshte të pranoja pikërisht atë logjikë që më thotë mua çdo ditë: “ti nuk ke vend këtu, ti je kërcënim, ti nuk meriton të jetosh me dinjitet”.
Identitetet tona nuk ekzistojnë të izoluara si ishuj, por ndërthuren e plotësojnë njëri-tjetrin. Kauza LGBTI në mbarë botën ka bërë hapa përpara pikërisht sepse është lidhur me lëvizjet feministe, me luftën e punëtorëve, me betejat kundër racizmit dhe me çdo përpjekje tjetër për barazi. Nëse pranojmë të polarizohemi, të ndahemi dhe të mbyllemi secili në kutinë e vet, atëherë do të jemi të pafuqishëm përballë cunamit të antidemokracisë dhe fashizmit që po përhapet gjithandej. Mbështetja për Palestinën është pjesë organike e kësaj beteje të përbashkët, për të mos lejuar që identiteti të përdoret si armë kundër tjetrit.
Prandaj, kur më pyesin pse si grua lesbike apo si aktiviste për të drejtat LGBTI mbështes çështjen palestineze, përgjigjja ime është e thjeshtë: sepse unë dua të jetoj në një botë ku askush nuk dehumanizohet, ku askujt nuk i mohohet dinjiteti dhe ku asnjë identitet nuk kthehet në arsye për të dhunuar, vrarë, bërë gjenocid.
Komente
