Përdorimi i fjalës “turp” nga të rriturit i tregon fëmijës se edhe të rriturit po ashtu si ai, fëmija, kur janë të zemëruar apo të inatosur nuk mendojnë apo zgjedhin fjalën dhe veprimin, por veprojnë nëpërmjet inatit.
Fjala “turp” ashtu si fjala “pusho” duhet të hiqet nga përdorimi i të rriturve për t’ju drejtuar të parriturve. Prindërit, edukatorët, mësuesesit dhe të rriturit në përgjithësi, i drejtohen një fëmije kur bën një veprim që atyre nuk u pëlqen:- “s’ke turp” “të të vijë turp” apo “turp të kesh”. Këto shprehje nuk janë të menduara, por reaksione emotive, si padurimi, bezdia, inati dhe pafuqia. Kur fëmija nuk bindet apo ka bërë diçka që e vë të rriturin në siklet, i rrituri që kërkon bindjen pa kushte të fëmijës, pra nënshtrim, humbet kontrollin dhe harron që është prind apo profesionist dhe aq më keq harron që është i rritur; kujtoni shprehjen : “u bë ky të mos më bindet”. Kjo mënyrë edukimi është vërtetuar tashmë që është e dëmshme, sepse vepron nëpërmjet frikës dhe jo nëpërmjet përgjegjësisë dhe respektit. Në fakt fjala “Turp” duhet të jetë një konkluzion i vetë fëmijës, që realizohet nëpërmjet edukimit dhe jo ti thuhet fëmijës drejtpërdrejt nga i rrituri, si etiketim. Përdorimi I kësaj fjale dhe shprehjeve me të, tregojnë që i rrituri nuk përpiqet të edukojë fëmijën nëpërmjet përgjegjësisë, por nëpërmjet frikës dhe nënshtrimit. Po ti mësohet respekti duke ja demonstruar i rrituri, fëmija e arrin vetë konkluzionin. I rrituri duke mos reaguar me “nerva” dhe duke folur për veten, i tregon të parriturit që ai nuk e bën “X” veprim apo nuk e përdor “X” fjalë, sepse e ka të çmuar veten dhe nuk mund të sillet shëmtuar. Të rritur, turpi nuk është thjeshtë një fjalë është, por një emocion shumë I fuqishëm që nuk duhet keqpërdorur, që kërkon shumë kujdes sepse ndikon direkt në personalitetin e njeriut. Menaxhimi I drejtë I ndjenjës së turpit kultivon vetëvlerësimin dhe respekti për veten dhe natyrisht edhe për tjetrin. Respekti dhe vetëvlerësimi nuk mësohet duke i thënë fëmijës “turp të kesh” pra të turpërohet nga vetja por me durim duke zgjedhur fjalët dhe veprimet, pra duke e respektuar konsideruar fëmijën një njeri edhe pse është i parritur.
Trupi i fëmijës bëhet i aftë për të urinuar dhe defekuar në mënyra të vullnetshme pas moshës dy vjeç e gjysmë, moshë në të cilën aktivizohet sistemi nervor piramidal. Në këtë moshë, mbaron dhe mjelimizimi i sfinkterave anal dhe urinar. (Mjelina është ajo substancë që bën të mundur përçimin e impulseve nga qeliza në qelizë.)
Nëse fëmija tregon se ka nevojë për të urinuar apo defekuar, nuk duhet nxituar, aprovojeni por mos shpejtoni që ta ndihmoni apo t’i sugjeroni të shkojë në banjë. Duhet shumë kujdes! Është më mirë që të rriturit të jenë pasiv në këtë proçes. Është një maturim që fëmija duhet ta arrijë pa imponim. Përpara se të ndërhyhet që t’i mësohet se duhet të urinojë, të nxitet të zbresë dhe ngjisë 4-5 shkallë vetë. Të vrapojë, të mbajë një gotë me ujë dhe ta transportojë nga një dhomë në tjetrën, në fillim të mbushur përgjysmë dhe më pas plot. Mësojeni të përdorë thikën dhe të njohë zjarrin, të qërojë bizele dhe të presë bishtaja. Pasi të jetë zhdërvjelltësuar në këto veprime, filloni dhe vendoseni në oturak. Edhe ky proçes është edukim dhe maturim dhe do kohën e vet të realizohet, por mos dyshoni aspak që fëmija do e arrijë këtë kontroll të vetes.
Në ndryshim nga vajzat, që defekojnë dhe urinojnë ulur, djemtë urinojnë në këmbë dhe defekojnë ulur, por, gjithashtu, djemtë deri në moshën 18 muajsh urinojnë kur organi i tyre mashkullor është në ereksion. Mbas kësaj moshe, ereksioni nuk ndodh më gjatë urinimit. Të gjitha këto dukuri edhe pse natyrale, shkaktojnë tek djemtë e vegjël një konfuzion, që kërkon kohë të administrohet. Për këtë arsye te djemtë, të fituarit e kontrollit të defekimit dhe urinimit kërkon më shumë kohë sesa tek vajzat.