'Pse hiqet nga shkolla leximi jashtë klase?', Gaqo Bushaka kritik për librat e keqpërkthyer! Adelina Mamaqi: Më dhëmb letërsia, mungon revista për fëmijë

27 Qershor 2022, 16:55| Përditesimi: 27 Qershor 2022, 17:07

  • Share

Nga letra, tek virtualiteti, letërsia për fëmijë si “Bibliotekë lundruese": bëhet temë diskutimi këtë të hënë në Qendrën e Librit dhe Leximit.

“Përgjatë këtij muaji ne kemi hapur një fond për të mbështetur autorët e rinj të letërsisë për fëmijë. Numri i aplikimeve është më i larti, pasi janë rreth 18 autorë që kanë marrë pjesë”, thotë studiuesja Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. 

Shkrimtarë, mësues, studiues e botues sollën në vëmendje mungesën e kritikës letrare, trajtimin e librit për fëmijë si produkt industrial, leximet e munguara jashtë klase, apo lista e titujve të rekomanduar nga Ministria e Arsimit të krijuar pa u konsultuar me të gjitha grupet e interesit.

“Pse duhet të hiqet nga shkolla leximi jashtë klase?”, thotë shkrimtari Gaqo Bushaka, duke shtuar më tej se është i domosdoshëm ribotimi i autorëve të traditës, edhe për shkak të vlerave gjuhësore që trashëgon tek të vegjlit letërsia e tyre.

Referuar leximit online, apo interneti në duart e fëmijëve, në takim u fol për shumë rreziqe të mundshme.

“Fëmijët përdorues të internetit janë në rrezikun e leximit të materialeve të papërshtatshme. Ka shumë raste kur ka fragmente të shkëputura jo bukur, apo që nuk përmendet autori”, thotë botuesja Anila Bisha.

Përkthimet e shpejta, që nxjerrin subjektin nga konteksti, duke i lënë fëmijët peng të nevojës për fitim të disa shtëpive botuese, ishte një nga problemet që mori zë.

“Ka përkthime që nuk kuptohet se çfarë ka dashur të thotë autori”, thotë Bushaka, duke nënvizuar papërgjegjshmërinë e shtëpive botuese në këtë pikë, kur bëhet kompromis me cilësinë.

 “Mungon një revistë që të shkojë në shkolla, sepse një revistë është një enciklopedi e vogël, ku fëmijët gjejnë poezinë, prozën, madje edhe këndin e krijimtarisë”, thotë shkrimtarja Adelina Mamaqi.

Ndryshe nga letërsia për të rritur, titujt për fëmijë, mbeten të një niveli lokal, në mungesë të  përkthimit në gjuhë të huaj.

“Ka një sërë autorësh që do t’ia vlenin të përktheheshin jashtë, si Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Diana Çuli, Astrit Bishqemi etj.”, thotë Bisha.

Nuk mungojnë autorët e rinj të talentuar, por trashëgimia e letërsisë letrare kërkon investim e promovim të emrave të duhur.

“Nga autorët e rinj, veçoj krijimtarinë e Rovena Rrozhanit”, thotë botuesja.

“Më dhëmb letërsia për fëmijë, se kam 60 vjet që botoj. Më dhëmb! Është pjesa ime e pandarë! Dhe dua që kjo letërsi të jetë gjithmonë në zhvillim, të ketë libra akoma më të mirë. Të dalin talente të reja, që të superojnë autorët e vjetër...”, thotë shkrimtarja Mamaqi.

Stimulimi i dëshirës për lexim tek vogëlushët, siç u theksua duhet të vijë, edhe përmes pasurimit të bibliotekave të lagjeve e atyre të shkollave me tituj për fëmijë dhe integrim të aktiviteteve letrare në shkolla.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?