Nuk jam i mendimit që largimi ose jo i Blendi Fevziut nga Klan, duhet parë si lajm rozë, apo më keq akoma të diskutohet si çështje shpërblimesh të larta. Padyshim, zhvendosja e Opinion në një ekran tjetër ka ndikim të gjerë në treg, sepse prish disa ekuilibra thelbësorë në median elektronike shqiptare. Nëse nga smira për shpërblimin në para që përflitet se është në këtë lojë, na cyt ta krahasojmë me shpërblimet mujore të gazetarëve të thjeshtë, reporterëve e kështu me radhë, bëjmë vetëm se një krahasim keqdashës dhe populist. Nëse tregu lejon që dikush të paguhet si CR7, nuk kemi pse t’i hakërrohemi duke bërë krahasimin me rrogën e Sindrit Gurit të Kukësit.
Blendi Fevziu ka 28 vjet gazetar dhe në televizion u bë më shumë se 20 vjet me të njëjtin program. Sido që ta përflasim emisionin e tij, ai është ndoshta ndikuesi më i madh dhe më i sulmuari nga konkurenca mediatike. Po të mos kishte kaq rëndësi, nuk do ndodhte që rivalët zgjodhën të njëjtin format për ta goditur. Blendi Fevziu është një gazetar terreni dhe i reportazhit shumë i mirë. Është një nga shkrimtarët më të arrirë të letërsisë dokumentare, prandaj krahasimi me reporterët, bëhet vetëm për të përballur në mënyrë propagandistike dy drejtëza të kithëta. Pas 28 vjetësh të tjera, ndoshta Fevziu do të ketë dalë në pension dhe ndonjë nga këta reporterë mund ta përshkruajë këtë udhë të lavdishme, por jo të gjithë. Ky është rregulli i vështirë i më të mirit, ndaj për mua çështja e pagesës, mund të shkaktojë smirë, por nuk rrëfen të vërtetën.
Sipas meje, rëndësia e dorës së parë që lidhet me lëvizjen e Blendi Fevziut ka të bëjë me trafikun e influencës që Opinion ka në ambjentin politik shqiptar dhe jo vetëm. Trafiku i influencës është sipërmarrja më fitimprurëse në median elektronike sot, ndaj ka shumë rëndësi se në cilin kah anon peshorja; mbetet gur i rëndë peshe në Klan apo në Top Channel.
Unë për vete, disa vite më parë kundërshtoja hapur planifikimin e Opinionit katër herë në javë në Klan, kur isha pjesë e tij. Në atë kohë mendoja që audienca duhej thithur dhe edukuar me prodhime të natyrës më spektakolare, të cilat i përcaktoja me shprehjen “këngë e valle”. E kuptova më vonë se projekti televiziv në Shqipëri mund të bëhej më i madh, duke u bazuar jo vetëm tek torta e varfër e reklamave që kemi në një vit, por mbi të gjitha tek trafiku i influencës.
Nëpërmjet këtij ndikimi të drejtëpërdrejtë tek klasa politike, media kishte në dorë, jo vetëm të thoshte fjalën e saj, por të vendoste deputetë, kryetarë bashkish, anëtarë të kabinetit qeveritar e natyrisht të prodhonte burime të tjera alternative fitimi. Në Shqipëri dhe Kosovë, kjo duhet pranuar që ka ndodhur e vazhdon të ngjajë. Fjala vjen, Baton Haxhiu plazmoi tëpkë këtë model në Prishtinë, madje duke mbajtur një këmbë në Tiranë, prandaj është kaq i fuqishëm në vendimarrjen e politikës së dy kryeqyteteve. Në pikëpamjen televizive ai është një moderator mediokërr (moderator, jo gazetar), por në pikëpamjen e administrimit të trafikut të influencës është tejet i zoti.
Pra, në këtë këndvështrim, lëvizja e Blendi Fevziut ka rëndësi të dorës së parë, kështu që sa do të paguhet ai është vetëm një detaj teknik, sepse ato para janë gjithmonë shumë më pak se ajo që do të dalë në fund të ditës. Kryesore është se cili do ta ketë në përdorim këtë shesh mediatik (agora), ku vijnë paria e kombit, ku bëhen debate të ashpra edhe për shijimin e verës së kuqe dhe ku në mes të emisionit të ndërhyn në telefon ish-ministri i Brendshëm që akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Ka shumë rëndësi se çfarë ndodh pas emisionit, që në tryezën e kafes me “sulltanin”, së bashku me Fevziun kush pronar do të ulet. Por, mbi të gjitha cili pronar do ta marrë në telefon kryeministrin që t’i thotë se Fevziut nuk i ndërhyn dot, “…por për atë punën që folëm dje si do ia bëjmë hallit?”.
Sa herë ka kriza politike, cili do të jetë ai që e mat temperaturën dhe zhvendos ekuilibrat, padyshim edhe falë emisionit “Opinion”. Kur të bëhen listat e deputetëve cilët janë ata që u ngjit fjala si tek lista e qeverisë, si tek ajo e opozitës. Kur hartohen kabinetet e kështu me radhë deri tek zgjedhjet vendore. Ky trafik influence nuk ka çmim, prandaj ta krahasosh këtë punë me reporterët largon vëmendjen nga thelbi. Reporterët dhe gazetarët nuk dëmtohen nga paga e Blendit, por nga mungesa e kontratave, vonesat disa mujore të shpërblimeve prej pronarëve dhe prania e dobët e Urdhërit që i mbron, kur i heqin nga puna për musataqet e Çelos. Fevziu është tjetër kapitull.
Trafiku i influencës u kthye në një zeje kaq joshëse, sa të gjithë konkurentët propozuan të njëjtat formate si Opinion, vetëm se me udhëheqës të ndryshëm. Disa nuk ia dolën të hyjnë aspak në këtë derë joshëse, por disa po, madje jo vetëm ta konkuronin atë, por shpesh dhe t’ia kalonin. Në këtë rast duhet parë nga studiuesit e medias si një e mirë që Blendi Fevziu pa dashje ka prodhuar. Megjithatë, shumë shpesh ai ia del, sepse është metodik, i vullnetshëm, i palodhur në punën e tij, i vëmendshëm që të sprapsë të ftuarit e konkurentëve, ndërsa e kënaq vanitetin e tij shumë herë qesharak në drejtime të tjera, por kurrë në shpinë të Opinion. Kjo e bën atë më të fortin në treg dhe padyshim më të respektueshmin. Prandaj, edhe sikur këtë qershor të vendosë të vazhdojë në Klan, askush nuk garanton që nuk do ikë në qershorin tjetër, sepse prapë do ta kërkojnë. E kërkoi dikur Becchetti në Agon Channel, e kërkon sot Top Channel. Pas një viti nuk e dimë se cili, por këtu do të jemi dhe do shohim. Por, le të kthehemi tek kërkesa e sotme, ajo e Top Channel. Përse në këtë kohë?
Në radhë të parë, duhet thënë copë që familja, pronarja e sotme e Top Channel nuk duhet të dalë më në televizor dhe të thonë që “Ëndërra e Tanit vazhdon”. Jo, kjo ka kohë që ka përfunduar.
Unë, ndoshta jam njeriu i dytë a i tretë që ju bashkova projektit të asaj bote me emrin “Top Channel”. Tani i Topit, ndryshe nga të tjerët trafikun e influencës e realizonte me lajmet, Fiks Fare, një emision politik në javë dhe shpesh me Top Shoë në mbrëmjën e dytë. Kaq. Ai vendosi qysh në krye të ndikojë tek publiku, jo tek klasa politike. Kjo shpjegon dhe gabimet e trasha që bënte në sjelljen e tij politike apo në keqkuptimet e tij të mëdha për zhvillimet e kësaj natyre në vend. Ai zgjodhi të bëhej markë e padiskutueshme në treg me programe të mëdha si Portokalli, Big Brother, X Factor, The Voice, Top Fest, Got talent, MasterChef dhe kështu ja doli. Për trafikun politik e vriste pak ose aspak mendjen. Për shembull, të gjithë e dimë që pak para se të vdiste ishte grindur keqas me Edi Ramën, i cili më pas bëri shefin e ceremonialit mortor. Përse ishin zënë? Për një pult që ta lejonte Tanin e Topit të kalonte në një zonë me trafik të kufizuar në ish-Bllok. Nuk bënë fjalë për leje ndërtimi apo ndonjë tender të Bashkisë, por një pult, sepse Tani i Topit nuk e qethte për trafikun e influencës, por kishte zgjedhur tjetër udhë tjetër në sipërmarrjen e tij mediatike. Pasi ai shkoi, kjo “ëndërr” vazhdoi, derisa familjarët e tij përzunë nga Top Channel drejtuesit e dikurshëm të kësaj linje dhe i zëvendësuan me drejtuesit politikë të partisë LIBRA. Natyrisht, drejtuesit politikë të një media joshen vetëm nga trafiku i influencës dhe jo nga “ëndërra” e Tanit, kështu që sot unë jam i paaftë të vlerësoj, nëse kanë bërë mirë apo keq. Por, për një gjë jam i sigurtë që Top Channel sot po përjeton një ëndërr të re, e cila nuk ka të bëjë me themelet e vjetra të këtij televizioni që nguli njeriu që e quajnë “gjeni”. Në këtë zhvillim, padyshim oferta për Fevziun është mëse e gjetur. Top Channel mund ta bëjë shndërrimin e plotë biologjik, shndërrimin e larvës në flutur, vetëm duke bërë për vete këtë peshë të rëndë të trafikut të influencës dhe në këtë rast zgjedhja është e përkryer.
Nëse ia dalin mbanë ta marrin Blendi Fevziun, atëherë kanë bërë një hap cilësor tejet të madh në shndërrimin përfundimtar të këtij televizioni kombëtar, gjë që do ta ndryshojë thelbësisht programacionin e tij, por do të çelë një gropë të madhe në Klan. Në këtë pikëpamje, kjo mund ta shtyjë Klanin të prodhojë më shumë për të mbytur me audiencë Fevziun që largohet, pra me këtë rast duke hapur vende të reja pune edhe për ata reporterët e varfër. Por sipas meje, Klani do të gabonte rëndë, nëse do të kërkojë ta zëvendësojë Blendin me një të ngjashëm, të cilin tek e fundit ka lindur prej ndikimit të tij. Gjithsesi, ky është vlerësim personal, sepse zgjedhjet e Klanit janë përherë jo-emocionale, në shërbim të sipërmarrjes, ndryshe nga Top Channel pas kohës së Tanit.
Megjithatë, kjo histori ka ende kapituj të pashkruar, prandaj duhet ndjekur me vëmendje, qoftë prej faktit që Blendi Fevziu deri më sot ka bërë kronikanin, kurse tani në kronikën tonë është personazhi kryesor.
Epo mburrje me thike pas shpine s'kisha lexuar ndonjehere kaq ashiqare
Përgjigju