Në 17 dhjetor 2021 Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” - Elbasan dhe Universitetin “Eqrem Çabej” – Gjirokastër organizuan konferencën shkencore “Qendrat e banuara të Shqipërisë – gjendja dhe e ardhmja”. Në këtë konferencë, u mbajtën 43 punime shkencore, nga 58 referues dhe bashkëreferues, sudiues të Akademisë së Shkencave dhe të dymbëdhjetë universiteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Me arritjet e tyre ata ndriçuan aspekte të veçanta të qendrave tona të banuara.
Në vazhdim një përmbledhje e referimit tim në seancën plenare të kësaj konference. Qendrat e banuara, ku zhvillohet veprimtaria jetësore dhe prodhuese e shoqërisë njerëzore, kanë lindur qysh në lashtësi. Në funksion të zhvillimeve historike, politike, ekonomike, demografike, shkencore, teknologjike, por edhe të kushteve natyrore, ato vazhdimisht kanë evoluar dhe ndryshuar pozicionin, formën, shtrirjen, strukturën, funksionet, tipologjinë deri sa morën pamjen aktuale. Shumë qendra të banuara kanë lindur në periudha të caktruara, por janë zhdukur në periudhat pasuese. Shumë të tjera kanë vazhduar në shekuj jetën e tyre deri në ditët e sotme, ndërsa vazhdimisht kanë lindur qendra të reja të banuara.
Përpjekjet për t’iu përshtatur globalizimit të kapitalit, punës dhe kulturës; ristrukturimit ekonomik dhe formimit të ekonomisë së re; pasojave të teknologjive të reja të informacionit e komunikimit dhe ndryshimeve klimatike, do të shoqërohen me shfaqien e tipareve, funksioneve e tipologjive të reja, të cilat duhen studiuar me vemendje për të shmangur pasojat e padëshirueshme dhe për të nxitur dukuritë pozitive, si: rritja e efektivitetit ekonomik, kulturor, arsimor, komoditetin dhe cilësinë e jetës së banorëve.
Por është fakt i pamohueshëm se në qendrat e banuara, gjithmonë e më tepër po ashpërsohen problemet, si: degradimi mjedisor dhe polarizimi social, që gjenerojnë pabarazi dhe paqëndrueshmëri; probleme të infrastrukturës, të lëvizjes, të furnizimit me ujë, energji, komunikim; braktisja e shumë venbanimeve dhe mbingarkimi i qendrave më të mëdha urbane në perëndim të vendit etj.
Qendrat tona të banuara kanë qenë objekt studimi i disa fushave kërkimore, si: gjeografia, historia, arkeoloogjia, urbanistika, etnografia etj. Secila prej tyre, nën këndvështrimin e vetë, ka dhënë ndihmesë në sqarimin dhe studimin e problemeve të veçanta të këtyre qendrave.
Kjo është e para konferencë shkencore për qendrat e banuara të vendit, ku marrin pjesë studiues të disa fushave: gjeografë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, inxhinierë hidrogjeologë dhe të pyjeve, urbanistë, artitektë, ambjentalistë etj. E konsiderojmë një nga arritjet më të rëndësishme të kësaj konference që në të janë të përfshira e të përfaqësuara, përveç Akademisë së Shkencave, edhe dymbëdhjetë universitete të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Referuesit nga disa fusha të ndryshme nuk janë të pakët. Por, gama jashtëzakonisht e madhe e problemeve të qendrave të banuara, do të kërkonte pjesëmarrjen e shumë studiuesve të fushave të tjera, si: gjeologë e sizmologë, klimatologë e hidrologë, hartografë dhe specialistë të sistemit të informacionit gjeografik, ekonomistë, staticienë, demografë, sociologë, politikanë, juristë, ambjetalistë, kulturologë, etnografë, antropologë socialë dhe kulturorë; studiues dhe menaxhues të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, të turizmit dhe shumë të tjerë.
Para tre vjetësh u ndërmor projekti i madh 100 + fshatrave, me objekt vizionar studimin dhe ndërtimin e programeve të zhvillimit të shpejtë, të qendrueshëm dhe në harmoni me vlerat e natyrës të këtyre fshatrave. Projekti do të vazhdonte me idenë e shkëlqyer të promovimit dhe aplikimit të këtyre programeve si modele zhvillimi të qendrueshëm në të gjitha vendbanimet dhe zonat rurale të vendit. Megjithë rezultatet jo të vogla, përsëri projekti pati jo pak probleme, të cilat e kishin burimin në konceptimin e ngushtë të objektit, të metodës së studimit dhe të autorëve, të cilët ishin kryesisht urbanistë dhe artitektë. Pa mohuar aspak rolin e madh të tyre në këtë ndërmarrje të madhe dhe me shumë përgjegjësi, ka qënë dhe mbetet e domosdoshme, si u theksua, pjesëmarrja edhe shumë studiuesve dhe specialistëve të tjerë.
Por le ta konsiderojmë këtë konferencë si një fillim të mbarë. Rezultatet e saj do të shërbejnë si bazë dhe nxitje për të ndërmarë studime të thelluara dhe gjithëpërfshirëse mbi qendrat e banuara të vendit për t’u konkretizuar në botimin e monografive në rang njësish administrative dhe kombëtar. Kjo do ta rradhiste Shqipërinë në rradhën e vëndeve të përparuara, të cilat kanë kohë që studiojnë me themel qendrat e banuara, ku zhvillohet jeta, veprimtaria jetësore e prodhuese e popullsisë. Ne duhet të marrim shëmbull nga Kosova, ku ka kohë që i është kushtuar vëmëndje e veçantë studimit të qendrave të banuara. Monografitë e botuara për këto qendra përbëjnë një kontribut të vyer të shkencës kosovare në shërbim të kulturës dhe të zgjidhje së problemeve shpesh të rënda të vendbanimeve rurale dhe urbane.
Zhvillimet e fundit në Shqipëri, shumica spontane dhe kaotike, kanë shumëfishuar problemet e vendbanimeve tona. Lëvizjet e mëdha të popullsisë nga zonat malore e kodrinore drejt zonës fushore dhe qyteteve të mëdha, janë shoqëruar me braktisjen e shumë qendrave rurale, por edhe të disa qendrave urbane; krahina të tëra, me pasuri të mëdha natyrore, janë drejt shkretimit të plotë demografik. Kjo ka sjellë probleme të mëdha në shpërndarjen gjeografike të popullsisë dhe të ekuilibrave demografikë; në zhvillimin social e ekonomik dhe rritjen e madhe të pabarazive midis rajoneve të vendit; në zhdukjen e pasurive kulturore dhe të traditave të vendbanimeve të braktisura; në rritjen e vazhdueshme të proceseve të shkretirizimit të tokave të punueshme, tashmë të braktisura, dhe të peizazheve të tëra gjeografikë.
Edhe në zonat fushore, sidomos perëndimore, ku është grumbulluar pjesa më e madhe e popullsisë, qendrat e banuara, sidomos qendrat e mbingarkuara urbane, po përballen me probleme të mëdha sociale, ekonomike, urbane, mjedisore etj, të cilat, duke u agravuar vazhdimisht, po e vështirësojnë zhvillimin dhe jetën e banorëve, po e bëjnë atë gjithmonë e më stresuese. Prej kohësh ka dalë domosdoshmëria e studimeve mbi gjetjen e zgjidhjeve më të mira të këtyre problemeve të mëdha. Krahas studimeve të veçanta, tepër të rëndësishme, janë të domosdoshme edhe studimet gjithëpërfshirëse, si këto që promovoi konferenca në fjalë.
Qendrat e banuara po përballen me sfidën e madhe mjedisore të ngrohjes globale të klimës me pasoja katastrofike për të sotmen dhe sidomos për të ardhmen jo të largët. Strategjitë dhe programet konkrete të zbutjes së ndryshimeve klimatike dhe të përshtatjes ndaj tyre, veç të tjerave, duhet të mbështeten edhe në studimet e thelluara e gjithëpërfshirëse të vendbanimeve.
Pa asnjë dyshim, rëndësinë e këtyre studimeve e kanë rritur edhe proceset tashmë të definuara qartë të integrimit kombëtar, rajonal, europian dhe më gjerë, procese të cilat kërkojnë edhe ekspertizën shkencore të studiuesve të qendrave të banuara.
Sipas prof. Emil Lafe, ende nuk ka kodifikim shtetëror të formës së shkruar të emërtimeve të qendrave të banuara dhe emërvendeve. Ndaj, ka gabime në hartat, në studimet gjeografike, në botimet enciklopedike dhe në shtypin e përditshëm. Standardizimi i emërtimeve të qendrave tona të banimit kërkon studime komplekse gjuhësore, gjeografike, historike etj.
Mbështetur edhe në termat e references së konferencës, theksojmë këto probleme të studimit të vendbanimeve:
- Roli i kushteve gjeografiko-natyrore në formimin, evolimin, shpërndarjen dhe funksionimin e vendbanimeve shqiptare; mundësitë e komunikimit e marrëdheniet me vendbanimet dhe hapësirat e afërta e të largëta. Vendbanimet dhe rreziqet natyrore.
- Historia e vendabanimeve në hapësirën shqiptare. Historia e popullimit, lindja dhe etimologjia, fazat historike të zhvillimit dhe të evolucionit.
- Popullsia dhe vendanimet. Ecuria e numrit të popullsisë, përqëndrimet e saj, heterogjeniteti/ homogjeniteti i popullsisë; shtimi natyror, migrimet dhe faktorët natyrorë, socialë, politikë, shëndetësorë etj., efektet e tyre; strukturat sasiore dhe cilësore të popullsisë; gjendja sociale, cilësia e jetës; kultura, traditat materiale e jo materiale; trashëgimia kulturore.
- Urbanistika dhe infrastruktura. Lidhjet rrugore, sigurimi i energjisë, ujit, komunikimit, aksesi në internet etj. Morfologjia urbane/rurale, tipologji/tiparet e zhvillimet materiale të objekteve / lagjeve, zonimi funksional hapësinor/modele, gravitacioni urban, lëvizjet pendulare etj.
- Klasifikimi i vendbanimeve sipas origjinës, vendndodhjes dhe funksioneve. Vendbanim i vjetër apo i ri, fushor, kodrinor apo malor; me funksione banimi, pushimi, prodhues, aktivitete shërbimi, kompleksi i botës së punës të qytetit/fshatit. Tipologjitë bazë të funksioneve, roli dhe perspektiva e tyre funksionale; tipi i qendrës së banuar: qytet/fshat, administrative, industriale, bujqësore, turistike, tregtare, universitare, ushtarake etj. Vendbanimet rurale dhe cilësia e peizazhit.
- Vendbanimet e braktisura ose/dhe të zhvendosura. “Qytete të rinj” monostrukturorë të periudhës së komunizmit dhe dilema e mbijetesës së tyre pas vitit 1990. Faktorët e mundësitë e rivitalizimit/rifunksionimeve të tyre dhe të qendrave të tjera të banuara.
- Vendbanimet dhe territori, resurset humane, përdorimi i tokës dhe proceset urbanizuese; evolucioni i tyre dhe peizazhi. Potenciali human, gjendja e profili socialekonomik/funksional, të ardhurat, cilësia e jetës, struktura e popullsisë e prirjet; ndryshimet hapësinore e strukturore.
- Administrimi i vendbanimeve. Reformat teritoriale dhe efektet e tyre në menaxhimin e territorit. Evolucioni hapësinor i njësive administrative.
- Ekonomia e vendbanimeve dhe sigurimi i të ardhurave. Mundësitë e zhvillimit të qendrueshëm në bazë të kapitalit natyror, human dhe ekonomik. Rivitalizimet urbane/rurale dhe zhvillimet turistike me fokus historik dhe aktual. Mbajtja e lidhjeve dhe rikthimi i banorëve të larguar.
- Probleme të përgatitjes e zbatimit të strategjive dhe programeve të veprimtarisë jetësore dhe prodhuese në vendbanimet për zbutjen e ndryshimeve klimatike, të pasojave dhe të përshtatjes ndaj tyre. Infrastruktura e gjelbër dhe blu e qyteteve për përmirësimin e cilësisë së jetës.
- Peizazhet e bujqësisë urbane, si element i ri i territorit, pjesë integrale e strukturës urbane dhe e strategjisë të rigjenerimit urban; elementë të bujqësisë urbane, si faktorë për ribalancimin e territoreve dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile, me vetëdije të fortë ekologjike si vlerë identitare; për riaktivizimin ekologjik dhe social të zonave të gjelbërta urbane të braktisura e të degraduara. Roli i dyfishtë i bujqësisë urbane: ekosisteme cilësore urbane, si e mirë publike dhe për prodhimin e mallrave ushqimore, për shërbime, hapësira të reja sociale etj.
- Ndërveprimi i faktorëve gjenetikë, historikë e natyrorë në formimin e identitetit vendor, rajonal e kombëtar, si një proces i ri me kahje pozitive, por me shumë probleme dhe të panjohura.
- Standardizimi i emërtimeve të qendrave tona të banimit kërkon studime komplekse gjuhësore, gjeografike, historike etj.
Shumë nga këto probleme studimore janë edhe të fushës së albanologjisë. Ndaj shprehim mendimin se pasurimi i Albanologjisë në Kuvendin e saj të Madh të fundit me studime nga etnoflora e etnofauna, etnobotanika e etnobimësia, antropogjenetika dhe antropomjekësia, të konsideruara larg saj, duhet të pasohet edhe me përfshirjen e studimeve komplekse e gjithëpërfshirëse mbi qendrat tona të banuara. Këto studime, krahas të tjerave, do të ndihmojnë në sqarimin e shumë çështjeve albanologjike.
U përqendruam në disa prej prirjeve më të rëndësishme dhe specifike të sotme në studimin e vendbanimeve tona. Por në referimet e në diskutime dolën mendime dhe argumente rreth konsiderimit albanologjike të studimeve të plota e komplekse të vendbanimeve; rreth tematikës e domosdoshmërisë së ndërmarrjes së tyre.
Shpreh bindjen se studimi i vendbanimeve do të jetë objekt e metodë shkencore e institucioneve studimore shqiptare, në radhë të parë i Akademisë së Shkencave, si koordinatore, por edhe të gjitha universiteteve të vendit. Garanci për këtë janë studiuesit e afirmuar, mendjendritur dhe me kontribute të mëdha. Njëherazi shpreh kënaqësinë se shkenca shqiptare ka një gjeneratë të re studiuesish të ditur dhe të apasionuar, që po i thellojnë dhe i çojnë përpara arritjet në studimin e vendbanimeve tona. Natyrisht, brezi ynë u është mirënjohës për këtë dedikim të tyre.