Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç

Pse ka rëndësi nënshkrimi i zbatimit të propozimit evropian?

18 Mars 2023, 09:23| Përditesimi: 18 Mars 2023, 09:30

  • Share

Nëse Kosova dhe Serbia nuk e nënshkruajnë aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve, ato nuk do të mund të bëjnë asnjë hap përpara në këtë drejtim, thonë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Aleksandar Popov.

Sipas tyre, nëse nuk ka nënshkrim, nuk ka as zbatim. Por, pavarësisht kësaj, ata nuk presin që një dokument i tillë të nënshkruhet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në tryezë të diskutimeve do të jetë zbatimi i propozimit të BE-së, për përmbajtjen e të cilit palët janë dakorduar në parim, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Ky propozim nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por pranim të dokumenteve dhe simboleve shtetërore të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, i obligon palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti ka thënë se është optimist për takimin në Ohër, por se nuk varet gjithçka prej tij. Vuçiç ka thënë se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në Ohër. Zyrtarët amerikanë, të cilët e kanë mbështetur propozimin, kanë bërë përpjekje t’i bindin palët se ai sjell përfitime politike dhe ekonomike.

Megjithatë, edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk pret që të ketë ndonjë nënshkrim më 18 mars.

Palët nën presion të opinionit

Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se qëndrimi i Escobarit shkon më shumë në drejtim të amortizimit të zhgënjimit eventual në opinion.

“Më shumë e shoh si përpjekje që t’i shmanget çfarëdolloj situate që takimin e së shtunës do ta paraqiste si dështim. Kjo është më shumë për t’i dhënë hapësirë çfarëdolloj shqetësimi... dhe këtu duket se hezitimi më i madh është te Serbia”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se nuk është reale të pritet që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë planin e zbatimit të propozimit të BE-së në takimin e Ohrit.

Sipas tij, të dyja palët gjenden nën presionin e opinionit të tyre lidhur me përmbajtjen e propozimit. Për më tepër, thotë ai, Vuçiç po përballet edhe me protestat e partive dhe grupimeve të djathta, të cilat kërkojnë nga ai që të mos e pranojë propozimin e BE-së.

“Ai [Vuçiç] do të gjendej në telashe të mëdha në qoftë se të shtunën do të nënshkruante çfarëdo qoftë, sepse është e dukshme që ky plan, në qoftë se lexohet mirë - dhe atë po e lexojnë të dyja palët - në njëfarë mënyre çon në pranimin implicit të Kosovës si entitet i pavarur. Mendoj se edhe amerikanët, por edhe evropianët e kanë kuptuar se, në qoftë se do të ushtronin presion të ashpër që të ketë nënshkrim të shtunën, atëherë, në një kohë të afërt, do të mbeteshin pa bashkëbisedues apo pa partner në Beograd”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

“Pasoja për palët që nuk janë konstruktive”

Megjithatë, analistët vlerësojnë se nënshkrimi i marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia do të jetë i pashmangshëm, sepse, në të kundërtën, palët jokonstruktive do të gjendeshin jo vetëm para presionit të partnerëve perëndimorë, por edhe masave të caktuara ndëshkuese, në formën e humbjes së mbështetjes. Sipas Maliqit, pranimi i planit evropian nga Kosova dhe Serbia vetëm në formë deklarative, pa nënshkrim, nuk nënkupton edhe zbatim të tij.

Kjo, thotë Maliqi, është edhe arsyeja përse partnerët perëndimorë po u japin edhe pak kohë palëve për ta nënshkruar aneksin e zbatimit. “Unë mendoj se nëse Serbia nuk e nënshkruan deri në një afat, të cilin Perëndimi e ka caktuar, qoftë së brendshmi, qoftë që ua ka komunikuar palëve, atëherë është e qartë se do të mbështetet pala që tregohet më konstruktive... Mendoj që ndërmjetësuesit e kanë një lloj skeme të shpërblimeve dhe ndëshkimeve për palët që ata i gjykojnë si konstruktive ose jo në këtë proces”, vlerëson Maliqi.

“Perëndimi nuk lejon t’i shkelet kredibiliteti”

Popov thotë se Perëndimit i ngutet që palët në dialog të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt, marrë parasysh zhvillimet në kontekstin gjeopolitik, përkatësisht pushtimin rus të Ukrainës. Por, sipas tij, BE-ja dhe SHBA-ja e kanë kuptuar se për një gjë të tillë do të duhen disa hapa në javët dhe muajt në vijim. Pas takimit në Ohër, thotë Popov, BE-ja dhe SHBA-ja do të fokusohen në vërejtjet eventuale të palëve lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit.

Ai pret që nënshkrimi i planit të zbatimit të propozimit të BE-së nga Kosova dhe Serbia, të ndodhë deri kah mesi i këtij viti. Pas kësaj, thotë Popov, palët nuk do të mund t’i shmangin obligimet që dalin nga marrëveshja. “As BE-ja dhe as SHBA-ja nuk guxojnë të lejojnë që pas kaq përpjekjeve të investuara, të shkelet kredibiliteti i tyre moral dhe politik, që i gjithë ky rrëfim të përfundojë pa një rezultat konkret. Ata i kanë levat për t’i detyruar të dyja palët dhe ato do t’i përdorin me kohë, në qoftë se do të ketë rezistencë nga palët”, thotë Popov.

Nikoqir i takimit në Ohër do të jetë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në një blog autorial, të publikuar më 16 mars, Borrell ka thënë se është koha për Kosovën dhe Serbinë që të marrin përgjegjësi dhe të lëvizin drejt BE-së. BE-ja është “shtëpia e fundit” për dy vendet, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica nuk janë zbatuar, edhe pse janë nënshkruar./REL

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?