Foto ilustruese

Pse koha shkon përpara, dhe jo mbrapa?

7 Tetor 2022, 16:55| Përditesimi: 7 Tetor 2022, 16:58

  • Share

Kur Isak Njutoni botoi librin e tij të famshëm “Principia” në vitin 1687, 3 ligjet e tij mbi lëvizjes e objekteve zgjidhën shumë probleme. Pa to, ne nuk mund të kishim shkuar dot në Hënë 282 vjet më vonë. Por këto ligje sollën në fizikë edhe një problem të ri, i cili nuk u trajtuar me shumë seriozitet dhe që i shqetëson ende sot kozmologët. Problemi është se ligjet e Njutonit funksionojnë rreth 2 herë më mirë sesa mund ta prisnim. Ato përshkruajnë botën ku jetojmë çdo ditë – botën e njerëzve, lëvizjen e akrepave të orës – por ato janë gjithashtu shumë të mira për një botë në të cilën njerëzit ecin mbrapa dhe koha kthehet pas.

“Karakteristika më interesante e ligjeve të Njutonit, që nuk u vlerësua deri vonë, është se ato nuk bëjnë dallimin midis së kaluarës dhe së ardhmes. Por drejtimi i kohës është tipari më i dukshëm i saj, apo jo? Unë kam fotografi të së kaluarës, por nuk kam asnjë fotografi të së ardhmes”- thotë fizikani dhe filozofi teorik Shon Kerol, që e trajton natyrën e kohës në librin e tij të fundit me titull “Idetë më të mëdha në univers”.

Problemi nuk kufizohet vetëm tek teoritë shekullore të Njutonit. Thuajse të gjitha teoritë bazë të fizikës kanë funksionuar po aq mirë, duke shkuar sa par pas në kohë, thotë fizikanti KarloRoveli i Qendrës për Fizikën Teorike në Marsejë, Francë, dhe autori i disa librave duke përfshirë “Rendi i kohës”.

“Duke nisur nga Njutoni, dhe më pas me teorinë e Maksuell për elektromagnetizmin, më pas me punën e Ajnshtajnit, dhe më vonë me mekanikën kuantike, teorinë e fushës kuantike, Relativitetin e Përgjithshëm dhe madje edhe gravitetin kuantik, nuk ka dallim mes të kaluarës dhe së ardhmes. Kjo na duket si diçka e habitshme, sepse dallimi është kaq i dukshëm për të gjithë ne”- thotë Roveli.

Siç thotë Marina Kortes, astrofizikante në Universitetin e Lisbonës: “Ka shumë pasoja që fillojnë me marrjen më seriozisht të pyetjes “Pse kalon koha”? Një pjesë e përgjigjes qëndron tek Big Bengu i ndodhur gati 14 miliardë vjet më parë. Një tjetër vjen nga ekstremi i kundërt, nga vdekja përfundimtare e Universit.

Por përpara se të nisim këtë udhëtim epik mbrapa dhe mbrapa përgjatë vijës kohore të Universit, ia vlen të ndalemi në vitin 1865. Gjatë shekullit XX-të, kur qymyri futej me lopatë nëpër furra për të gjeneruar energji përmes avullit, shkencëtarët dhe inxhinierët që shpresonin të zhvillonin motorë më të mirë, përqafuan një sërë parimesh që përshkruanin marrëdhëniet midis nxehtësisë, energjisë dhe lëvizjes.

Atë vit në Gjermani, fizikani Rudolf Klausius deklaroi se nxehtësia nuk mund të kalojë nga një trup i ftohtë në një trup të nxehtë, nëse nuk ndryshon asgjë tjetër rreth tyre. Ai krijoi konceptin që e quajti “entropi” për të matur këtë sjellje të nxehtësisë.

Siç e thekson Roveli në librin e tij “Rendi i kohës”, ky është i vetmi ligj bazë i fizikës që mund ta dallojë të kaluarën nga e ardhmja. Për ta ilustruar këtë ligj, Roveli merr stilolapsin dhe e lëshon nga njëra dorë tek tjetra. “Arsyeja pse ndalon në dorën time është se ka pak energji. Më pas energjia kthehet në nxehtësi dhe më ngroh dorën. Dhe fërkimi ndalon zhvendosjen. Përndryshe, nëse nuk do të kishte nxehtësi, do të zhvendosej përgjithmonë atje-këtu, dhe unë nuk do ta dalloja dot të kaluarën nga e ardhmja”- shprehet ai.

Deri këtu, gjithçka duket shumë e qartë. Kjo derisa filloni të konsideroni se çfarë është nxehtësia në nivelin molekular. Dallimi midis gjërave të nxehta dhe atyre të ftohta, është se sa të trazuara janë molekulat e tyre. Në një motor me avull të nxehtë, molekulat e ujit janë shumë të shtypura, duke u përplasur me shpejtësi me njëra-tjetrën.

Të njëjtat molekula të ujit janë më pak të trazuara kur bashkohen në formën e kondensimit në xhamin e dritares. Këtu qëndron dhe problemi: kur e zmadhon krahasimin në nivelin molekular, për shembull një molekulë uji që përplaset dhe kapërcehet nga një tjetër, zhduket shigjeta e kohës.

Nëse do të shihnit një video mikroskopike të asaj përplasje, dhe më pas do ta kthenit mbrapsht, nuk do të ishte e qartë se cili drejtim ishte përpara dhe cili pas. Në shkallën më të vogël, fenomeni që prodhon nxehtësi – përplasjet e molekulave – është simetrik në kohë.

Kjo do të thotë se shigjeta e kohës nga e kaluara në të ardhmen shfaqet vetëm kur bëni një hap prapa nga bota makroskopike në atë mikroskopike. Kjo dukuri u vu re për herë të parë nga fizikanti austriak Ludvig Bolcman.

“Pra, drejtimi i kohës vjen nga fakti që ne shohim gjërat e mëdha, por nuk shohim detajet”- thotë Roveli.

Por nëse ekziston vërtet një shigjetë e drejtimit të kohës, nga ka ardhur ajo? “Përgjigja është e ngulitur në fillimet e Universit. Big Bengu kishte entropi të ulët dhe ende, 14 miliardë vjet më vonë ne po notojmë në pasojat e atij cunami që filloi pranë Big Bengut. Kjo është arsyeja pse koha ka një drejtim për ne sot”- deklaron Kerol.

Shigjeta e kohës që lind nga entropia, na sjell më pranë të kuptuarit pse koha shkon vetëm përpara. Por mund të ketë më shumë shigjeta të kohës se kjo që njohim. Dhe për t’i kuptuar këto, duhet të kalojmë nga fizika tek filozofia.

“Mënyrat se si ne e kuptojmë dhe përjetojmë kohën në mënyrë intuitive nuk duhet të merren lehtë”- thotë Xhenan Ismael, profesore e filozofisë në Universitetin e Kolumbias, Nju Jork.

Nëse mendoni mbi përvojën tuaj me kohën, mund të jeni në gjendje të dalloni disa nga shigjetat psikologjike që përbëjnë një pjesë thelbësore të përvojës njerëzore. Një nga këto shigjeta është ajo që Ismaeli e quan “rrjedha e kohës”.

“Nëse shihni botën, nuk përjetoni një paraqitje thjesht statike të gjendjes së menjëhershme të botës, pra si në një film të përbërë nga një numër kornizash statike çdo sekondë. Ne e shohim drejtpërsëdrejti se bota po ndryshon”- thekson ajo.

“Kjo përvojë e rrjedhës së kohës është ndërtuar në perceptimin tonë. Shikimi nuk është aspak si një aparat filmi. Në fakt ajo që ndodh është se truri juaj mbledh informacion gjatë një periudhe kohore. Dhe e integron atë informacion në një mënyrë të tillë që në çdo moment, ajo që shihni është një llogaritje që ka bërë truri.

Kështu ju jo vetëm shihni gjërat që lëvizin, por edhe sesa shpejt dhe në cilin drejtim po lëvizin. Ndaj gjatë gjithë kohës, truri juaj e integron informacionin në intervale kohore dhe ju jep rezultatin. Kështu në një farë mënyre jeni duke e parë kohën që ecë n”-shton Ismael.

Një veçori e dytë e kohës që Ismael e dallon nga rrjedha, të cilën ajo e quan “kalim i kohës”.

Ideja e kalimit është e lidhur ngushtë me përvojat e orientuara nga koha, si kujtesa dhe pritshmëritë. Merrni shembullin e një martese apo ndonjë ngjarjeje të shumëpritur në jetë. Përvoja jonë e këtyre momenteve ka shumë shtresa – nga fazat e planifikimit të ndashëm, tek vetë intensiteti i ditës, dhe deri tek kujtimet që qëndrojnë me ne për vite. Në këto përvoja të ndryshme ka një drejtim: mënyra se si ne e parashikojmë një ngjarje në të ardhmen, është thelbësisht e ndryshme nga mënyra se si e kujtojmë atë kur ka kaluar.

Marrë me shkurtime nga “BBC Future” – Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?