OSHEE

Ekonomi
Opinion

Fatos Çoçoli: Pse merr kredi OSHEE-ja, kur bilancet i ka me fitim?

29 Shtator, 18:28| Përditesimi: 29 Shtator, 18:37

  • Share

Qeveria miratoi në mbledhjen e saj të fundit disa vendime, ku njëra kishte të bënte me marrëveshjen e garancisë 20 milionë euro, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe një banke private, për nevoja të grupit OSHEE.

Referuar të dhënave në bilanc, kompania më e madhe publike në sektorin e energjisë elektrike, rezulton me fitime në vitet 2023-2024, në vlerën mbi 120 milionë euro. Dhe ky vit parashikohet që OSHEE ta mbyllë sërisht me fitim.

Qeveria uli çmimin pa dëmtuar investimet tek OSHEE

Në shkurt të vitit të kaluar Qeveria uli për herë të parë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë me 11 përqind, pa cënuar planin e investimeve të OSHEE, ulje që u argumentua me rezultatet e qëndrueshme ekonomike dhe shëndoshjen financiare të kompanisë.

Natyrshëm lind pyetja: pse duhet të marrë kredi OSHEE Group tek një bankë, aq më tepër private, në kushtet kur rezultatet financiare tregojnë të dhëna pozitive?

Referuar dokumenteve të bërë publikë, gjatë ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjes së Huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), OSHEE kishte nisur me kohë negociatat me bankat për ristrukturimin e kredive, të marra gjatë periudhës së krizës energjetike 2021.

Për shkak të çmimeve të larta të importit, shoqëria publike u përball me kosto të shtuara të blerjes së energjisë, për të cilat mori garanci nga shteti për një hua me vlerë 81.5 milionë euro. Borxhi ishte kryesisht overdraft, me afate të shpejta likujdimi dhe me interesasa jo të favorshme, por nevoja imediate për të furnizuar vendin me energji nga importi ishte e madhe.

Pse BERZH i beson OSHEE-së?

Konsolidimi i financave të grupit OSHEE, pas vitit 2021, si dhe i treguesve gjithnjë e në rritje të performancës, i dhanë mundësi shoqërisë të hynte në negociata me bankat, për të ristruktuar borxhin 81.5 milionë euro, nga termat e një kredie overdrat, në hua afatgjatë dhe me kushte të favorshme shlyerje.

Ftesës iu përgjigj pozitivisht Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila mori përsipër të financonte rreth 45 milionë euro kredi, marrëveshje garancie, e cila u miratua nga Kuvendi në mesin e këtij viti.

Kushtet ishin të favorshme, pasi nga overdraft, tashmë OSHEE do të shlyente kredinë për një periudhë afatgjatë 12 vjeçare (ku në tre vitet e para nuk do të paguante principal), me normë interesi 1% plus Euribor 6-mujor.

Me të njëjtat kushte qeveria miratoi dje marrëveshjen e garancisë me një bankë private, për shumën 20 milionë euro, e cila do të pasohet në vijim për pjesën e mbetur me një tjetër bankë tregtare ndërkombëtare.

Ristrukturimi i borxhit në termat e mësipërm, i jep mundësi OSHEE-së të shlyejë në kohë detyrimin ndaj bankave, dhe jo vetëm interesat (siç ndodhte me overdraftet). Nga ana tjetër, ky ristrukturim nuk e sforcon kompaninë publike, që të menaxhojë lirisht të ardhurat, një e pjesë e të cilave shkon për investime.

Nga të dhënat financiare dhe deklaratat të bëra publike, OSHEE i ka shlyer borxhet nga të ardhurat e veta, pa qenë nevoja për likuiditet direkt nga buxheti i shtetit, edhe pse i ka përfituar nga garancia sovrane. Kjo e fundit është një dokument që i mundëson kompanisë publike që të negociojë lirshëm me bankat dhe të marrë hua me interesa të favorshëm.

Zhvillim përmes rifinacimit?

Nëse grupi OSHEE do të vijojë të dalë me fitime edhe në vitet e ardhshme, me gjasë ristrukturimi i kredive, pra mekanizimi i rifinancimit, duke kaluar nga overdraftet tek huatë afatgjata, do të shikohet si opsion zbatimi edhe për borxhet e tjera që ka me bankat.

Fakti që aktualisht OSHEE është duke investuar përmes huave, nga institucionet financiare ndërkombëtare si BERZH, gjermanët e KfW, Koperacioni Italian, dhe së fundmi nga francezët e AFD, është një tjetër garanci që rrit besueshmërinë e kompanisë publike në sytë e investitorëve strategjikë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?