Bill Clinton në Tiranë

Ilir Yzeiri: Pse na do Amerika

8 Korrik 2023, 12:49| Përditesimi: 8 Korrik 2023, 13:25

  • Share

Vizita e presidentit Bill Klinton në Tiranë në datat 3 dhe 4 korrik zgjoi edhe njëherë natyrën tonë emocionale që në rastin e miqve të mëdhenj, të vendeve të mëdha apo të atyre personazheve që na janë gjendur në kohë të vështira, shfaqet më tërë larushinë e ngjyrave : nga ato ngazëllyese, prekëse, glorifkuese, por edhe folklorike nganjëherë.

Nga pikëpamja antropologjike ky tipar i shqiptarëve lidhet edhe me nevojën për t’u identifikuar me më të fortin dhe më të drejtin. Ka shumë arsye pse ka ndodhur kështu, por një ndër to mund të jetë edhe fakti që në familjet e mëdha të popujve europianë, shqiptarët, nuk bëjnë pjesë në asnjërën prej tyre.

Të rrethuar me fqinj që identifikoheshin dhe identifikohen edhe sot e gjithë ditën me familje të mëdha popujsh e gjuhësh europiane, shqiptarët, në rrymë të shekujve, të gjitha fatkeqësitë i kanë pësuar edhe për shkak se kanë qenë të vetëm.

Ndaj, nëse duhet ta tregojmë vërtet lidhjen që kemi me amerikanët, duhet të kuptojmë edhe pse na duan ata ne ose përse aleanca jonë me ta është funksionale.

Lidhjet e shqiptarëve me Amerikën nisin menjëherë pas vitit 1915, pra pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Harris Silajxhiç, ish kryeministri boshnjak në vitet ’90, është ndër të parët që ka hapur arkivat e Uashingtonit në vitin 1991 dhe ka botuar librin « Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit ».

Këtu mund të mësosh se interesi i Amerikës për Shqipërinë është i hershëm. Në pranverën dhe verën e vitit 1914 Shqipëria e Jugut po masakrohej nga ushtria greke. Siç thuhet në libër dhe siç dihet edhe nga burime të tjera, lajmet për këto masakra dhe gjendjen e vështirë të popullsisë shqiptare mezi mbërrinin në SHBA, por, gjithsesi, arrinin atje nga misionarë të ndryshëm të krishterë dhe nga përfaqësues të konsullatave amerikane në vendet fqinje, sepse Shqipëria nuk kishte përfaqësi diplomatike amerikane në vendin tonë.

Ato u vendosën në vitin 1922 pas vetos së presidentit Uillson që denoncoi Konferencën e Londrës për copëtimin e Shqipërisë. Ata ishin të parët që përmes Kryqit të Kuq Amerikan mblodhën ndihma dhe i nisën drejt Shqipërisë.

Është pak e komplikuar historia e anijes Albanija që u nis nga Amerika për në Shqipëri  në vitin 1915 dhe refuzimi që iu bë ankorimit të saj në portin e Durrësit nga Esat Toptani me qenë se sponsori i saj Çarls Krejn ishte dekoruar nga Princ Vidi.

Megjithatë amerikanët nuk u stepën dhe në vitin 1919 ndërtuan në Shqipëri Zyrën e Kryqit të Kuq Amerikan dhe pas kësaj nis këtu veprimtaria e të famshmit Çarls Telford Erikson i cili shpalli që atëherë se vetëm Amerika mund të kënaqë kërkesat për zhvillim të Shqipërisë. Vizioni i tij për zhvillimin e vendit tonë, por edhe të Ballkanit ishte përtej ideve të sotme.

Ai mendonte se Shqipëria duhet të zhvillohej në anën industriale, bujqësore dhe shkencore. Ai kishte idenë e ndërtimit të një Universiteti të madh në Ballkan me qendër në Shqipëri por të organizuar në Amerikë. Gjithçka që u ndërtua në këtë kohë dhe gjithçka që i duhej shqipërisë dhe shqiptarëve në kushtet e emergjencës u realizuan nga Erikson dhe nga mbështetja e qeverisë amerikane. U ngritën dipanseritë në qytetet kryesore, u ngritën gjashtë jetimore për të porsalindurit, u ngritën grupe pune për të studiuar ndërtimin e institucioneve arsimore.

Me këtë vrull dhe me këtë entuziazëm u ngrit shkolla bujqësore në Kavajë, Shkolla teknike në Tiranë. Erikson u kthye në fakt në donatorin kryesor dhe në drejtuesin de fakto të modernizimit të Shqipërisë.

Ajo që ndodhi pastaj me Uillsonin dhe me mbështetjen e fortë të Amerikës në arenën ndërkombëtare, tregonte se shqiptarët, më në fund, e kishin gjetur partnerin e tyre strategjik. Mirëpo, historia nuk do të vazhdonte gjatë.

Lufta e Dytë Botërore dhe ardhja e komunistëve në pushtet pas fitores historike mbi nazifashizmin, e ndërpreu këtë partneritet strategjik. Të gjithë e dimë tani se çfarë ndodhi pas viteve ’90 dhe të gjithë nuk e harrojmë dot atë që bënë amerikanët dhe presidenti Klinton në vitin 1999 për të çliruar Kosovën.

Të gjitha e kanë rrënjën në vitin e largët 1915 kur amerikanët ndryshe nga fqinjët tanë perëndimorë dhe ndryshe nga të gjitha shtetet e tjera të Europës nisën të parët anijen ALBANIJA me ndihma për shqiptarët dhe aty panë e njohën një popull dinjitoz. Arsyet e kësaj lidhjeje janë të shumta, por siç thuhet në librin e Silajxhiçit ato nisin që në vitin e largët 1790-1800, atëherë kur anijet tregtare amerikane ndeshnin vështirësi në Mesdhe dhe ky ishte shkaku i ndërtimit të flotës së madhe amerikane, e cila për shkak të largësisë së madhe gjeografike dhe mungesës së mjeteve të tjera ishte dhe është edhe sot arma bazë e strategjisë globale amerikane.

Para viteve 1790 ishin anijet pirate algjeriane që kontrollonin Mesdheun. Flota luftarake amerikane është ndër të parat që në vitin 1795 filloi përdorimin sistematik të forcës për mbrojtjen e anijeve tregtare në Mesdhe. Në këtë periudhë ajo nisi të dërgojë edhe emisarët e saj për të njohur popujt e këtij rajoni. Me këtë rast u zbuluan edhe shqiptarët.

Nuk është rastësi që edhe shkolla e parë shqipe, por edhe veprimtari të tjera kulturore e fetare u nxitën nga emisarë amerikanë të krishterë. Për të arritur deri te Erikson. Shqiptarët mesa duket kishin lindur për të qenë partnerë besnikë të amerikanëve në Mesdhe, por edhe amerikanët kishin gjetur partnerë të devotshëm aty.

Dua të nënvizoj në fund atë që shkruante në një raport të tijin Robert Denison, drejtor i Njësisë së Kryqit të Kuq Amerikan për Shqipërinë në vitin 1919. Ai vë në dukje sidomos gatishmërinë e shqiptarëve për bashkëpunim dhe durimin e tyre në kushtet e masakrave të përgjakshme të viteve 1914-15. Ashtu të pa ngrënë e të drobitur: « Shqiptarët nuk luten, - shkrua ai, - ata presin të disiplinuar dhe në heshtje para dispanserisë, në radhë, për te mjeku ». Ku humbën këta shqiptarë që janë bërë sot të padurueshëm, grindavecë  dhe jo bashkëpunues me amerikanët…

M.T//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkodrani-Belgjike: 08/07/2023 18:12

    Se don te merr pasurine, nje interes e ka diku, pse na don amerika tjeter!

    Përgjigju
  • Lexues: 08/07/2023 15:51

    Si cdo vend, Amerika ka nxjerre njerez te medhenj e te vegjel, fisnike e funderrina. Njerez si Wilson, FDR dhe Jimmy Carter e kane udhehequr njerezimin ne rrugen e duhur. Funderrina si Nixon, Kissinger, Trump e Pompeo e kane kthyer boten permbys.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?