Ndikimet ruse nuk duhet të kalojnë thjeshtë dhe pa vëmendjen e duhur në këtë kohë delikate për shoqërinë tonë, ku edhe njëherë, si shpeshherë në udhëkryqe të rrezikshme që na është dashur të kalojmë, na duhet të gjithëve të kontribuojmë për të kuptuar dhe për të vendosur se cilën rrugë, atë rrugë, të drejtë dhe të sigurtë, do të na duhet të ndërmarrim. Edhe këtë herë të gjithë duhet të jemi tepër të vëmendshëm për të kuptuar se çfarë nuk shkon dhe sidomos: ku rrezikojmë të shkojmë.
Në disa analiza, në disa batuta rrjetesh sociale, apo debate televizive, përmendet përciptazi ardhja në Shqipëri e personave të njohur botërisht për lidhjet dhe ndikimet e tyre me botën ruse. Thënë kështu, shumë mund të konkludojnë po ç’të keqe ka? Me botën tashmë globale, me gjeopolitikën, me ekonominë globale… etj. etj. Por jo, tek ne ky ndikim nuk do të ishte më fatal se askund tjetër. Përse?
Jemi një vend i vogël ende në shtetformim, (të ndryshëm nga demokraci të tjera të konsoliduara), ku rruga drejt një demokracie perëndimore apo drejt një “demokracie” putiniane do të rezultonte për ne jetësore. Një kthim pas nën ombrellën e një drejtimi totalisht pa rregulla, në dorën e një familje, apo të një individi që ka për pasion “demokracinë me pikatore”. Duhet të bëjmë sytë katër dhe të dallojmë disa gjëra të çuditëshme dhe sulme të organizuara informative që po ndodhin në këtë kohë.
Demokracitë moderne mbështeten mbi tre shtylla thelbësore: zgjedhje të lira, media të pavarura dhe një opinion publik të informuar. Kur një fuqi e huaj, si Rusia e Putinit, përpiqet të ndikojë ose të manipulojë këto shtylla, nuk kemi më të bëjmë me një konkurrencë normale, por me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit demokratik.
Strategjia ruse është e dallueshme nëse jemi të vëmendshëm, pasi përdor të vjetrën dhe të pëlqyeshmen metodë: përça e sundo. Rusia sot nuk përpiqet të eksportojë një ideologji, por synon të dobësojë unitetin dhe stabilitetin e brendshëm të demokracive, duke i bërë më të polarizuara, më të ndara dhe më të brishta. Këtë e arrin përmes dezinformimit masiv, mbështetjes ndaj lëvizjeve ekstreme (si të djathta ashtu edhe të majta), manipulimit të rrjeteve sociale, financimet e fshehta për parti, media apo figura politike pro-ruse
Shembull? Në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016, Rusia ndërhyri në mënyrë masive duke krijuar mijëra profile false dhe fushata të organizuara në rrjetet sociale për të përhapur urrejtje dhe përçarje.
Russia ka dhënë gjithmonë shembuj konkretë, nën sytë e të gjithëve, se e ka për zemër ndikimin alla KGB edhe sot e kësaj dite dhe kudo ku mundet dhe i shkon. Një pjesë thelbësore e strategjisë ruse është ajo që quhet “lufta e informacionit”. Përmes mediave si RT (Russia Today) dhe Sputnik, Rusia përhap narracione të rreme, të shtrembëruara apo teori konspirative. Qëllimi nuk është të bindë, por të ngatërrojë dhe të relativizojë të vërtetën. Pra hapi i parë është: Fut dyshimin sepse diçka do të mbesë në kokat e njerëzve. Shembull? Gjatë pandemisë së COVID-19 dhe gjatë luftës në Ukrainë, media pro-ruse përhapën teorinë se virusi ishte një shpikje perëndimore, apo se Ukraina ishte fajtore për konfliktin – duke mashtruar dhe krijuar konfuzion te publiku.
Sulmi ndaj besimit të publikut, është një strategji që ekspertët e fushës e dallojnë lehtësisht, por duhet një vëmendje e shtuar edhe nga të gjithë ne të tjerët. Kur qytetarët nuk dinë më kujt t’i besojnë – as gazetave, as shkencës, as institucioneve – demokracia krijon të çara dhe bie vetvetiu. Dhe ky është qëllimi i vërtetë: të gërryejnë besimin nga brenda, duke përdorur vetë liritë që garanton një shoqëri demokratike për ta dobësuar atë. Liria e shprehjes, është e para.
Pse është tepër e rrezikshme kjo luftë që intensifikohet sidomos në prag zgjedhjesh? Në të vërtetë është e padukshme: nuk ka tanke në kufi, por shpik profile false, meme, influencerë dhe propagandë të maskuar. Është e vështirë për t’u ndalur: vepron në hije, duke shfrytëzuar dobësitë e shoqërive të hapura. Individë të ndikuar apo të paguar nga propaganda ruse, papritur, bëhen të gjithë bashkë dhe vendosin nën sulm persona të besueshëm të shoqërisë. Një qytetar i thjeshtë mund ta dallojë sepse në këto kohëra dëgjon të padëgjuara, sheh sulme nga shumë fronte ndaj pak individëve që deri dje kanë dhënë kontribut të vyer për vendin, për të vërtetën dhe demokracinë. Lajmet e “bujshme” të shpërndara kundër tyre mund të kenë një strategji të fshehtë që i koordinon me një qëllim: linçimin e personave që mund të jenë të besueshëm dhe të kenë peshë në opinionin publik. Strategjia e njohur ruse dallohet pasi e kanë për zemër thërrmimin e personaliteteve përmes lajmeve të rreme, siç rezultoi sulmi denigrues dhe me lajme të rreme ndaj Hillary Clinton në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Nëse shohim dhe në Shqipëri sulme të tilla ndaj individëve, duhet të mendojmë se diçka e mbrapshtë është në veprim.
Është një luftë që nis me komandë dhe fushatë, por ka pasoja afatgjata: mund të ndikojë në zgjedhje, të legjitimojë regjime autokratike, të forcojë populizmin dhe të minojë unitetin evropian dhe Ballkani Perëndimor, që mbetet një rajon i mrekullueshëm për forcimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian në të ardhmen, është një rajon që prej kohësh ka vëmendjen e Rusisë. Edhe Shqipëria veçanërisht.
Përtej Ukrainës, në vende të tjera, përfshi Shqipërinë, Rusia nuk do të guxonte ta grabiste lirinë demokratike me dhunë, por duke helmuar të vërtetën, duke sabotuar informacionin dhe duke ndarë shoqëritë nga brenda. Ndikimet ruse në media dhe politikën perëndimore nuk janë “ndërhyrje të zakonshme”, por mjete të një lufte hibride, që synojnë të shkatërrojnë Perëndimin pa gjuajtur asnjë plumb. Prandaj, njohja, denoncimi dhe kundërshtimi i tyre është çështje mbijetese për demokracinë. Le të shohim Ukrainën, luftën e saj dhe qëndresën e jashtëzakonshme, le të shohim Finlandën, Poloninë e të tjera vende rreth Rusisë, përse të gjithë janë të tmerruar, përse të gjithë synojnë Europën dhe jo modelin rus të lirisë? Kjo duhet të na bëjë të mendojmë, të hapim sytë dhe të dëshirojmë më të bukrën dhe dinjitozen demokraci: SHBA-të dhe Europën.
Komente
