Pse ndryshon sistemi i deklarimit të transaksioneve?

31 Korrik 2019, 07:59| Përditesimi: 31 Korrik 2019, 08:02

  • Share

Ligji i ri rregullon disa çështje themelore në aktivitetin fiskal të bizneseve: detyrimin për të lëshuar faturë në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, subjektet e lëshimit të faturës, përmbajtjen e faturës, procedurën e lëshimit të faturës, detyrimin për të aplikuar faturën elektronike në transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe në procedurat e prokurimit publik, zbatimin e procedurës së fiskalizimit të faturës, regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtësit e softuerve për lëshimin e faturave, procedurën për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave të lëshuara, detyrimin për të lëshuar faturë shoqëruese dhe zbatimin e procedurës së fiskalizimit e faturës shoqëruese dhe dispozita të tjera thelbësore për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji.
Kjo zgjidhje ligjore mendohet se mundëson transparencë më të madhe, rritje të të ardhurave të përgjithshme tatimore dhe ulje të evazionit fiskal, si dhe kontribuon në ngritjen e ndërgjegjësimit për të paguar tatimet nëpërmjet të dhënave të specifike të siguruara nga Administrata Tatimore, ndër të tjera, edhe me qëllim parandalimin e pastrimit të parave. Administrata Tatimore do të ketë informacion dhe pasqyrim për secilën faturë të lëshuar dhe të paguar me para në dorë ose në mënyra tjera, në kohë reale, nëpërmjet një lidhjeje interneti me tatimpaguesin, institucionet financiare ose ndërmjetësit financiarë.

Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë me anë të këtij sistemi të ri përshpejton dhe automatizon proceset e punës, ul kostot e biznesit, realizon kursime të konsiderueshme dhe potencialisht krijon një vlerë të shtuar në veprimtarinë e biznesit, si dhe në administratën shtetërore.

Përveç kësaj, Ministria e Financave ka njohur rëndësinë e nevojës për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën e Këshillit 2014/55/KE dhe Direktivën e Këshillit 2006/112/KE, për arsye të nevojës për të reduktuar dhe eliminuar pengesat në tregtinë ndërkufitare në Bashkimin Evropian. Në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, aktualisht është duke u përdorur një standard i përbashkët evropian i Komitetit Evropian për Standardizim (CEN), datë 28.06.2017, EN 16931-1: 2017, Fatura Elektronike, për modelin e të dhënave semantike të elementeve bazë të faturës elektronike (“standardi evropian për lëshimin e faturave elektronike”). Në këtë standard janë përcaktuar elementet bazë, të cilat fatura elektronike duhet gjithmonë të përmbajë, duke lehtësuar dërgimin dhe marrjen e faturave elektronike ndërmjet sistemeve të bazuara në standarde të ndryshme teknike, me qëllim të heqjes ose reduktimit të pengesave për tregtinë dhe sigurimin ndërkufitar të inter-operabilitetit semantik dhe për rritjen e sigurisë ligjore.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?