Ambasadore persiane ne Venedik

Opinion
Periferi

Pse Njerëzimi shpiku Diplomacinë dhe si lindi në zemër të Italisë së Leonardo da Vincit

1 Mars, 17:09| Përditesimi: 1 Mars, 17:12

  • Share

Duket se ka ardhur koha të rikujtojmë se sa sakrifica e mundim i është dashur njerëzimit për të perfeksionuar arritje që sot i shijojnë vendet më të përparura, të cilat synohen të jetohen nga e gjithë popullsia në glob. Duket sikur e harrojmë përse kontinente të tëra synojnë të emigrojnë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara dhe sikur harrojmë se pse sot këto dy realitete njihen botërisht si realitetet që janë më afër përfektes së respektimit të dinjitetit njerëzor.

Shtetet domkratike, të bazuar mbi principe lirie, pjesëmarrje politike dhe respekt të të drejtave të njeriut, ndajnë bashkë vlera të njëjta që lehtësojnë dialogun mes njëri-tjetrit. Ndasitë në ekonomi, në politikë apo strategji mund të bëjnë që të lindin fërkime, pikërisht në këtë moment futet në lojë Diplomacia, që shërben si mjet për t’i zgjidhur përmes përballjes konstruktive dhe kompromisit.

Kush më mirë se ne shqiptarët e ka vujatur në kurriz mungesën e demokracisë dhe të diplomacisë si mjete që do të na shpëtonin nga vendimarrja e Unit, e një Diktatori që në fillim askush nuk e mendonte se do të kishte rezultuar i tillë. Kush e besonte se partizani Enver Hoxha do të merrte për vetë të gjitha atributet shtetformuese dhe shtetndëshkuese dhe t’i përdorte ashtu si dinte dhe si donte ai.

Pa diplomacinë, edhe demokracitë më të forta do të rrezikonin të hynin në konflikt, duke vënë në rrezik paqen dhe sigurinë ndërkombëtare... Atëherë a e kujtojmë dot se pse dhe kur lindi domosdoshmëri mes njerëzve për ... Diplomaci?

Diplomacia, e kuptuar si arti i negociatave midis shteteve, ka origjinë shumë të lashtë. Format e para të saj mund të shihen që tek civilizimet mesopotamike, egjiptiane dhe kineze, të cilat në mijëvjeçarin e III p.e.s. dërgonin përfaqësues për të negociuar aleanca, për të zgjidhur konflikte dhe për të vendosur marrëveshje tregtare.

Megjithatë, diplomacia siç e njohim sot mori formë gjatë Rilindjes Evropiane. Në shekullin XV, qytet-shtetet italiane, si Venecia, Firence dhe Milano, zhvilluan një sistem të përfaqësive të përhershme diplomatike për të mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme me shtete të tjera. Shembulli i parë i dokumentuar i një ambasade të përhershme është ai i Venecias në Kostandinopojë në vitin 1455. Ishin kohët kur në Rilindjen italiane punonin dhe jetonin Leonardo Da Vinci, Michelangelo Buonarroti...

Një moment kyç në historinë e diplomacisë moderne është Paqja e Vestfalisë (1648), e cila i dha fund Luftës Tridhjetëvjeçare e cila sfiliti Europën dhe vendosi parimin e sovranitetit shtetëror, duke hedhur bazat e së drejtës ndërkombëtare. Në shekullin XIX, me Kongresin e Vjenës (1815), u përcaktuan rregullat e diplomacisë multilaterale, ndërsa në shekullin XX, krijimi i Lidhjes së Kombeve (1919) dhe më pas i OKB-së (1945) e forcoi më tej rolin e diplomacisë në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sot, diplomacia është një element qendror i politikës globale, e përdorur jo vetëm për të parandaluar konfliktet, por edhe për të adresuar sfida globale si ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe qeverisja ekonomike.

Diplomacia mes shteteve demokratike dallohet nga ajo e vendeve nën diktaturë apo autoritare për transparencën e proceseve të vendimmarrjes dhe përfshirjen e opinionit publik. Insitucionet demokratike iu imponojnë liderëve që të justifikojnë zgjedhjet që ata bëjnë duke e bërë procesin diplomatik më të artikuluar por edhe më solid dhe të legjitimuar nga konsensusi i qytetarëve.

A jemi të gjithë vigjilentë për ta ruajtur këtë vlerë të jashtëzakonshme të demokracisë? Pra Diplomacinë?

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se në primaret e PD do të fitojnë kandidatët më të mirë?